Washington Post thotë se SHBA-të mblodhën fshehurazi të dhënat e gazetarëve

washington-post-thote-se-shba-te-mblodhen-fshehurazi-te-dhenat-e-gazetareve

Departamenti i Drejtësisë në kohën e ish presidentit Trump, mblodhi fshehurazi regjistrimet telefonike të tre gazetarëve të Washington Postit, të cilët mbuluan hetimin federal për lidhjet midis Rusisë dhe fushatës presidenciale të vitit 2016, shkroi gazeta të premten.

Zbulimi çon në një përplasje të re midis qeverisë federale dhe organizatave të lajmeve e mbrojtësve të lirisë së shtypit, të cilët konsiderojnë se marrja e regjistrimeve të gazetarëve, është ndërhyrje në veprimtarinë e mbledhjes së lajmeve, të mbrojtur me kushtetutë. Veprime të ngjashme kanë ndodhur rrallë gjatë dekadës së kaluar, duke përfshirë një konfiskim të regjistrave telefonik të gazetarëve dhe redaktorëve të agjencisë së lajmeve Associated Press mbi një rrëfim të vitit 2012, që zbuloi një komplot të shmangur për sulm me bombë.

Në një deklaratë të botuar nga gazeta, Cameron Barr, kryeredaktor ekzekutiv, tha se “jemi thellësisht të shqetësuar nga ky përdorim i pushtetit qeveritar për të kërkuar qasje në komunikimet e gazetarëve. Departamenti i Drejtësisë duhet menjëherë të bëjë të qarta arsyet e tij për këtë ndërhyrje në veprimtarinë e gazetarëve që bëjnë punën e tyre, një veprimtari e mbrojtur nga amendamenti i parë (i Kushtetutës)”.

Ky veprim me sa duket kishte për qëllim identifikimin e burimeve të gazetarëve në shkrimet rreth sigurisë kombëtare, të botuara në muajt e parë të administratës së ish presidentit Trump, ndërsa hetuesit federalë shqyrtuan me kujdes nëse fushata e tij e vitit 2016, ishte bashkërenduar me Kremlinin për të ndikuar mbi zgjedhjet.

Sekuestrimi i regjistrimeve u miratua nga udhëheqja e Departamentit të Drejtësisë vitin e kaluar. Gazetarët – Ellen Nakashima, Greg Miller dhe Adam Entous, i cili që atëherë është larguar nga Washington Posti – u njoftuan me letra me 3 maj që Departamenti i Drejtësisë kishte marrë të dhëna për bisedat e tyre në telefonat në shtëpi, në punë dhe në telefonat celular.

Regjistrimet e kërkuara, sipas gazetës, mbulojnë periudhën nga 15 prilli i vitit 2017, deri më 31 korrik të vitit 2017. Udhëzimet e Departamentit të Drejtësisë për hetimin e rrjedhjeve në media, urdhërojnë që veprime të tilla të ndërmerren vetëm kur të jenë shterur rrugët e tjera për marrjen e informacionit dhe që gazetarët e prekur të njoftohen, nëse nuk përcaktohet se kjo do të pengonte hetimin ose do të ndërhynte në sigurinë kombëtare.

“Ndërsa është e rrallë, Departamenti ndjek procedurat e vendosura brenda politikës së tij të udhëzimeve për media kur ndjek procesin ligjor për të marrë të dhëna telefonike dhe regjistrime të postës elektronike nga punonjësit e medias si pjesë e një hetimi për zbulimin e paautorizuar të informacionit të klasifikuar”, tha në një deklaratë zëdhënësi i departamentit, Marc Raimond.

Ai tha se cak i këtyre hetimeve nuk janë gazetarët “por ata që kanë qasje në informacionet e mbrojtjes kombëtare të cilët ua ofrojnë mediave dhe kësisoj nuk arrijnë ta mbrojnë atë siç kërkohet ligjërisht”.

Bruce Brown, drejtor ekzekutiv i Komitetit të Gazetarëve për Lirinë e Shtypit, tha se kjo “ngre shqetësime serioze rreth amendamentit të parë”.

“Është e domosdoshme që udhëheqja e re e Departamentit të Drejtësisë të shpjegojë saktësisht kur prokurorët morën këta regjistrime, pse vetëm tani po njoftojnë gazetën Washingotn Post dhe mbi çfarë baze Departamenti i Drejtësisë vendosi të heqë dorë nga detyrimi i njoftimit paraprak nën udhëzimet e tij, kur hetimi me sa duket përfshinë raportimin e para tri viteve”, tha z. Brown.
Qeveria gjithashtu tha se kishte marrë një urdhër gjykate për të mbledhur të dhëna nga posta elektronike e gazetarëve që do të tregonin se me kë kishin shkëmbyer porosi, por nuk i mori ato shënime, tha gazeta.

Washington Post tha që Departamenti i Drejtësisë nuk saktësoi qëllimin e urdhrit dhe nuk identifikoi ndonjë artikull të veçantë. Por, periudha kohore e përfshirë në urdhër, përfshinë botimin e një artikulli që sugjeronte se përgjimet e shërbimeve të zbulimit tregonin se z.  Jeff Session, në atë kohë prokuror i përgjithshëm i ish presidentit Trump, kishte diskutuar çështjet e fushatës me ambasadorin e atëhershëm të Rusisë, Sergey Kislyak.

Departamenti i Drejtësisë nën ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Eric Holder, në 2015 shpalli udhëzimet e rishikuara për mbledhjen e të dhënave nga mediat gjatë hetimeve për rrjedhje të informacionit, duke ndryshuar gjuhën që organizatat e lajmeve thanë se ishte e paqartë.

Politika e përditësuar ishte një përgjigje ndaj zemërimit të medias me taktikat e administratës së ish presidentit Barack Obama, që shiheshin si tepër agresive dhe armiqësore ndaj tyre.

Jeff Session, pasardhës i prokurorit Holder, shpalli në vitin 2017 një qasje të ripërtërirë ndaj rrjedhjes së informacionit lidhur me sigurinë kombëtare në media. /voa

The post Washington Post thotë se SHBA-të mblodhën fshehurazi të dhënat e gazetarëve appeared first on Mesazhi.com.