VV e ka të pashmangshëm bashkëpunimin me opozitën, i duhen 2/3 e votave për shumë projektligje

vv-e-ka-te-pashmangshem-bashkepunimin-me-opoziten,-i-duhen-2/3-e-votave-per-shume-projektligje

Erblin Hoxha nga Lëvizja “FOL” ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se një prej prioriteteve të kësaj legjislature duhet të jetë plotësim-ndryshimi i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

“Ne presim një gamë të madhe të nismave legjislative për ta rregulluar këtë proces një prej tyre është edhe ligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Është një ligj i cili është përfolur për shumë kohë dhe të cilin tash po duket që duhet të vazhdojë tutje. Një prej prioriteteve tjera është edhe plotësim-ndryshimi i ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, kjo pjesa që është bërë edhe një veprim politik pak para zgjedhjes së presidentit”, është shprehur ai.

Tutje Hoxha konsideron janë një gamë e projektligjeve tjera si në fushën e ekonomisë, energjisë dhe drejtësisë që presin të kthehen edhe në nisma ligjore.

“Këto janë nismat legjislative që janë përfolur për një kohë të gjatë dhe të cilat Qeveria vetëm i ka filluar, mirëpo përkundër kësaj ne shohim edhe ndryshim në ligje tjera që lidhen jo vetëm me skenën dhe aspektin politik që e kemi diskutuar aq gjatë, mirëpo kur vjen puna te nismat legjislative tek pjesa e ekonomisë. Tash shkaku i pandemisë impakti i saj në ekonomi është ende i panjohur dhe duhet të jetë një kreativitet i madh i pjesës së legjislacioneve parlamentare, komisioneve që draft-ligjet e ndryshme, të jenë përkitazi me nevojat që bizneset në Kosovë kanë më i pas, sidomos në vitin 2021-22 e tutje”

“Gjithashtu në procesin e sistemit të drejtësisë është një gamë e madhe e ligjeve që pritet të miratohen. Një prej ligjeve që ne shumë e kemi diskutuar dhe ato konfirmimet në Kuvend sa i përket komisionerit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë, janë disa projektligje edhe në fushën e energjisë që me shku drejtë një garantimi për energji të pavarur dhe të bëhemi një vend ku kemi resurse të ndryshme të burimeve të ndryshme të energjisë. Në këtë pikë është problem me vendos prioritet sepse në rastin e Kosovës të gjitha janë prioritet sepse duhet paralelisht që edhe në sistemin e drejtësisë edhe në atë të ekonomisë e sundim ligji, e mekanizmave specifik të luftës kundër korrupsionit. Gjithsesi deri në përfundim të mandatit katër vjeçar është një listë e gjatë e projektligjeve të cilat gjatë fushatës zgjedhore janë targetuar prej Lëvizjes Vetëvendosje e që presim që ato të kthehen në nisma ligjore.

Kurse Agnesa Haxhiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), shprehet se kjo legjislaturë është më e qëndrueshme se ajo e kaluara dhe e presin një numër madh i projektligjeve.

“Mendoj që e para që duhet të theksohet është që kjo legjislaturë ka një shumicë parlamentare të qëndrueshme dhe nuk do ta ketë problemin e njëjtë siç ka ndodhë me legjislaturën e kaluar kur kemi pas problem në vazhdimësi problem të numrave me një shumicë parlamentare goxha të brishtë. Mendoj që marrë parasysh që kemi pasur kriza të njëpasnjëshme politike dhe zgjedhje të shpeshta ka një numër projektligjesh që presin, janë bartë në fakt prej viti në vit dhe presin shqyrtim dhe miratim”.

Haxhiu ka treguar se ka shumë çështje të cilat e kanë të nevojshme 2 të 3 e votave në Kuvend, prandaj kërkohet edhe frymë bashkëpunimi ndërmjet pozitës e opozitës, raporton EO.

“Gjithashtu ka edhe një numër të institucioneve të pavarura të cilat janë jofunksionale për shkak që është kompletuar bordi i tyre në mungesë, pasi Kuvendi ka dështuar t’i zgjedh ata. Këto janë çështje që kërkojnë shqyrtim urgjentë dhe kjo legjislaturë duhet të intensifikojë dhe të rris dinamikën e punës që të çoj këto çështje përpara, por duhet të theksohet se edhe pse kemi një shumicë parlamentare të qëndrueshme normalisht çështjet që kërkojnë dy të tretat e votave do të jetë problematike sepse nuk i ka numrat vet, prandaj do të duhej të krijohej një frymë bashkëpunimi me opozitën për çështjet që kërkojnë dy të tretat e votave të deputetëve, gjë e cila ka munguar dy ose tri legjislaturat e fundit”.

Ajo ka thënë se Kuvendi duhet të miratojë me urgjencë rregulloren e re të punës në mënyrë që të ketë funksionim të mirëfilltë.

“Për Kuvendin si institucion padyshim që një prej prioriteteve kryesore është miratimi i rregullores së re të punës. Kjo është çështje që bartet ka 10 vjet, punohet në të në vazhdimësi, shqyrtohet në lexim të parë prapë dështon për shkak të mungesës së konsensusit politik që kjo çështje të shtyhet përpara sepse kërkon dy të tretat e votave gjithashtu. Mendoj që është shumë e rëndësishme që të ketë një funksionim të mirëfilltë sepse ka shumë nevojë për avancim të rregullave të brendshme për t’i përshtatë kontekstit aktual politik, por edhe shoqëror”, ka përfunduar.