Von Cramon: Ankohet për ndërhyrjen e Vuçiqit në Kosovë e Kurti voton në Shqipëri, e papranueshme

von-cramon:-ankohet-per-nderhyrjen-e-vuciqit-ne-kosove-e-kurti-voton-ne-shqiperi,-e-papranueshme

Ajo ka thënë se nuk e kupton këtë veprim të kryeministrit të Kosovës, teksa ka kujtuar se në Kosovë ankohen për ndërhyrje nga Serbia dhe Aleksandar Vuçiq.

“Nuk mund ta kuptoj se çfarë është e gjithë kjo. Nga njëra anë të gjithë në Kosovë ankohen për ndërhyrje nga Serbia ose nga vetë Presidenti Aleksandar Vuçiq, por nga ana tjetër këtu kryeministri i Kosovës edhe voton në një shtet fqinj. E papranueshme. Të paktën jo për mua”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, votoi në zgjedhjet e sotme në Shqipëri pak pasi u hapën vendvotimet, ndërsa i ka ftuar qytetarët e Shqipërisë që ta bëjnë të njëjtën.

“Dita e zgjedhjeve është ditë e demokracisë. I ftoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë që sot ta respektojnë atdheun duke votuar dhe bërë zgjedhjen më të mirë. Dita është e bukur, e dielë, me diell, kështu do të jetë deri në mbrëmje. Uroj ditë të bukura dhe mbarësi për Shqipërinë dhe secilin njeri që ashtu sikurse unë, e ka pasaportën e Republikës së Shqipërisë”, ka deklaruar Kurti pas votimit.

Ky veprim i Kurtit ka nxitur shumë reagime nga Kosova. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se kryeministri po interesohet më shumë për zyrtarët e partisë së tij në Shqipëri sesa për fatin e qytetarëve të Kosovës.