Vlerësimi i All-llahut xh.sh. për veprat tona të mira

vleresimi-i-all-llahut-xhsh.-per-veprat-tona-te-mira

REFLEKSIONE RAMAZANI / 02

Nga Ibnu Abbasi, r.a., transmetohet se Resulull-llahut, s.a.v.s, i është transmetuar nga All-llahu xh.sh. se ka thënë:

“Me të vërtetë All-llahu i ka shkruar veprat e mira dhe veprat e këqia. Pastaj këtë e ka sqaruar: ‘Kush dëshiron ta bëjë një vepër të mirë, por nuk e vepron, All-llahu tek ai do ta shkruaj si vepër të mirë të plotë. Por, kush dëshiron ta bëjë një vepër të mirë dhe këtë e bënë, All-llahu do t’ia shkruaj dhjetë vepra të mira, deri në shtatëqind shpërblime dhe më shumë. Kush dëshiron të veprojë një vepër të keqe, dhe nuk e vepron, All-llahu tek ai do ta shkruajë si vepër të mirë të plotë, por nëse dëshiron dhe e bënë, All-llahu do t’ia shkruaj si një vepër të keqe’.” (Buhariu dhe Muslimi)

Refleksion:

All-llahu xh.sh. i do veprat e mira dhe i do shumë vepruesit e punëve të mira dhe të mbara. Pasi që Ai i do veprat e mira, i ka rritur shumë shpërblimet për to dhe ka motivuar robërit e tij në kryerjen e punëve të mira. Kjo është kështu pasi Zoti ynë është Mëshirëplotë dhe dëshiron që sa më shumë t’i shpëtojë robërit e Tij. Madje, edhe atëherë kur robi nuk ka mundësi të veprojë një punë të mirë, të cilën e ka bërë vazhdimisht, por për ndonjë arsye legjitime ai ka pushuar së kryeri atë vepër, All-llahu xh.sh. vazhdon t’ia llogaris atë sikur ta ketë kryer. Këtë e vërteton hadithi i Muhammedit a.s.: “Kur robi sëmuret apo udhëton, atij i shkruhet shpërblimi i veprës që vepronte kur s’është udhëtar dhe është i shëndetshëm”. (Buhariu)

“Atë që ta përgatitni për veten tuaj prej të mirave, atë do ta gjeni te All-llahu edhe më të mirë, dhe shpërblim më të madh…” (Muzzmmeil, 20).

Përgatiti: Hfz. Mehas Alija

(Islampress.ch)