Vazhdojnë protestat kundër “grusht shtetit” në Sudan, numri i të vrarëve rritet në 7

vazhdojne-protestat-kunder-“grusht-shtetit”-ne-sudan,-numri-i-te-vrareve-rritet-ne-7

Protestat në Sudan vazhdojnë në ditën e tretë të tyre kundër shpërbërjes së qeverisë nga ushtria dhe arrestimit të shumë politikanëve të lartë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit të cilët kërkojnë dorëzimin e qeverisë tek civilët, formuan barrikada me gurë, kontejnerë dhe pemë në bulevardet kryesore në rajone të ndryshme të kryeqytetit Khartoum.

Po ashtu protestuesit dogjën goma dhe hodhën slogane kundër ushtrisë.

Forcat e sigurisë që janë pozicionuar në mënyrë intensive përpara shtabit të përgjithshëm të ushtrisë në kryeqytet, kanë bllokuar rrugët dhe nuk lejojnë hyrjet në zonë.

Numri i personave që kanë humbur jetën në protesta është rritur në 7, ndërsa i të plagosurve në mbi 140.

Gjithashtu shumë njerëz nuk shkuan në punë, si dhe shumë biznese qëndruan të mbyllura pas thirrjes së bërë për grevë nga Forcat e Deklaratës për Liri dhe Ndryshim.

Që nga 25 tetori, edhe shkollat në vend janë të mbyllura, ndërsa vazhdon kufizimi në linjat e telefonit dhe internetit.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme

Në orët e para të mëngjesit më 25 tetor në Sudan u arrestuan shumë politikanë dhe kryeministri Abdullah Hamdok i cili u lirua mbrëmë.

Pas ndërhyrjes ushtarake, pjesa civile e qeverisë dhe shumë parti politike i bënë thirrje popullit për të dalë nëpër rrugë.

Mijëra sudanezë u mblodhën në zona të ndryshme të kryeqytetit Khartoum pas thirrjes dhe filluan të zhvillojnë protesta kundër ndërhyrjes ushtarake.

Kreu i Këshillit të Sovranitetit të Sudanit, gjenerali Abdel-Fattah al-Burhan, në një deklaratë për televizionin shtetëror, njoftoi se kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, se është shpërbërë Këshilli i Sovranitetit dhe kabineti dhe se do të formohet një qeveri teknokratike e cila do të përfaqësojë të gjitha shtresat në Sudan. /aa

The post Vazhdojnë protestat kundër “grusht shtetit” në Sudan, numri i të vrarëve rritet në 7 appeared first on Mesazhi.com.