Valon Syla: Bashkimi Kombëtar përmendet për të nxitur votuesit

valon-syla:-bashkimi-kombetar-permendet-per-te-nxitur-votuesit

Syla në T7, ka deklaruar aty se asnjë parti në Kosovë e Shqipëri nuk ka punuar mjaftueshëm që ta jetësojë bashkimin kombëtar.

“Njerëzit kur flasin për bashkim kombëtar, e bëjnë për ta nxit një votues. Problemi është që asnjë subjekt politik nuk është marrë seriozisht për këtë temë, e cila ka qenë kartë elektorale që është përdor deri sot”, ka deklaruar ai.

Tutje, ai ka folur edhe për grupacionet politike të cilat janë pro dhe kundër kësaj ideje.

“PDK është për bashkim, LDK është kundër, për shkak të Kosovo-centrizmit”, ka thënë opinionisti Syla.

Si ide, është përmendur në zgjedhjet parlamentare të 2021-ës nga kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj. Ky i fundit ka thënë se në rast se Kosova vazhdon të mbetet në “status quo”, do të nisë referendumin e bashkimit kombëtar me Shqipërinë.

Ndërkaq, Vetëvendosja që prej kohës sa ishte në opozitë, e ka përmendur bashkimin me Shqipërinë. Së fundmi, kreu i kësaj partie, Albin Kurti, ka thënë se po të kishte ndonjë referendum për bashkim ndërmjet dy vendeve, ai do të votonte pro.