Vaksinat do të formojnë rendin e ri gjeopolitik

vaksinat-do-te-formojne-rendin-e-ri-gjeopolitik

Pandemia e Covid-19, e ka përkeqësuar shumë ndarjen globale veri-jug, me shtetet e pasura perëndimore që po lëvizin në mënyrë të qëndrueshme drejt imunitetit të tufës, ndërsa shumica e Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine presin ende shpërndarjen në masë të vaksinave.

Vetëm një numër i vogël vendesh i prodhojnë vetë vaksinat e koronavirusit, ndërkohë që pjesa tjetër e botës varet prej tyre. Dhe kjo krijon mundësinë e krijimit të një rendit të ri gjeopolitik, në të cilin marrëdhëniet pronar-klient përcaktohen nga asimetria e sasisë së vaksinave në dispozicion përkundrejt kërkesës ndaj tyre.

Tashmë, ka indikacione të forta që tregojnë se ato vende që kanë nevojë për vaksinat anti-Covid janë më të prekshëm ndaj imponimit apo joshjes diplomatike. Rusia dhe Kina kanë filluar q ët’i furnizojnë ato me vaksina, në këmbim të lëshimeve të favorshme të politikës së jashtme, ashtu siç po bën edhe Izraeli.

Ndërkohë, vendet perëndimore janë përqendruar në programet e tyre të vaksinimit -edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar kohët e fundit synimin e tyre për të ndihmuar vendet më të goditura nga pandemia, sidomos Indinë.

Për vendet jo-prodhuese të vaksinës, ka gjithmonë një treg, dhe në pamje të parë kjo ka funksionuar për disa. Bashkimi Evropian ka filluar që të kapë ritmin e duhur, duke administruar miliona doza midis 27 vendeve anëtare.

Izraeli vazhdon të jetë një histori e hershme e suksesit. Në vend se të përdorte industrinë e vet cilësore farmaceutike, ai ka importuar miliona doza vaksine tëPfizer-BioNTech, duke i administruar ato me shpejtësi dhe efikasitet.

Ndërkohë,pavarësisht se nuk ka kapacitete të prodhimit të brendshëm, Kanadaja është tani e treta në botë për normat e vaksinimit nga 34 vendet më të mëdha, pas Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara. Dhjetëra miliona doza janë importuar prej saj nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara.

Histori të ngjashme suksesi mund të gjenden në Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrein. Gjithsesi, këto histori suksesi janë kryesisht të kufizuara tek marrëdhëniet tregtare ekzistuese dhe intensive midis ekonomive të pasura dhe të përparuara industriale.

Shkalla e vaksinimeve në shumicën e vendeve të tjera vazhdon që të jetë shumë e ulët, dhe pavarësisht nga grumbulli i dozave të AstraZeneca në SHBA, ky është rezultat i kufizimit në furnizime.

Ligjet e pronësisë intelektuale dhe kufizimet e infrastrukturës, nënkuptojnë krijimin e një monopolizimi gati total të kapaciteteve prodhuese tek një pjesë e vogël vendesh, dhe një hierarki të avantazheve dhe preferencave tregtare, në të cilat një pjesë e vendeve jo-prodhuese kanë përparësi, ndërsa të tjerat lihen në mëshirën e fatit.

Për t’i kapërcyer këto sfida, Organizata Botërore e Shëndetësisë themeloi COVAX, një nismë për të koordinuar blerjen e vaksinave, dhe licencimin e prodhimit të gjerë të tyre, në mënyrë që të garantojë një shpërndarje të drejtë dhe të shpejtë në mbarë botën.

Megjithatë, deri më sot këto përpjekje kanë qenë të dobëta. Pak vaksina janë shpërndarë përmes kësaj nisme. Duke u përballur me mungesa të brendshme, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kufizime mbi eksportet e vaksinave, duke kufizuar furnizimin e vendeve të tjera.

Por ndërsa Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Evropa, janë fokusuar ende tek fushatat e tyre të vaksinimit, prodhuesit e tjerë të vaksinave janë të gatshëm që të shfrytëzojnë kërkesën globale dhe t’i përdorin si një instrument diplomatik furnizimet e tyre.

Kina dhe Rusia janë angazhuar të dyja në mënyrë aktive në diplomacinë e vaksinave, duke i kushtëzuar eksportet e vaksinave me lëshime politike dhe ri-konfigurime të favorshme gjeopolitike. Në shkurt, Rusia ndërmjetësoi lirimin e një shtetasi izraelit që ishte burgosur në Siri, në këmbim të financimit të Izraelit për blerjen e një sasie të vaksinave Sputnik V, që do të dërgoheshin në Siri.

Rusia ka furnizuar në mënyrë të ngjashme me vaksina vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, duke i tërhequr ato më pranë “orbitës” së saj. Kina ka deklaruar se vaksinat e saj Sinovac dhe Sinopharm janë një “e mirë publike globale”, dhe ka filluar të furnizojë mbi 100 vende, në shumë raste pa ndonjë kosto.

Disa nga këto vende janë detyruar të anulojnë me shpejtësi marrëveshjet që kishin nënshkruar me herët me Pfizer, potencialisht edhe përmes ryshfetit ndaj zyrtarëve lokalë. Ndërkohë, të dhënat e reja tregojnë se Kina kërkoi ndryshime në pozicionin e Paraguait ndaj Tajvanit, dhe ushtroi me sukses presion ndaj Brazilit për të hapur tregun e saj5G ndaj kompanisë Huawei si një parakusht për marrjen e vaksinave kineze.

Një nga produktet kryesore hegjemoniste që ofrojnë fuqitë aspiruese është siguria kombëtare. Varësitë gjeopolitike janë manifestuar zakonisht nga sigurimi i instrumenteve ushtarake përmes marrëveshjeve të armëve, bazave dhe angazhimeve të sigurisë kolektive.

Për shembull gjatë Luftës së Ftohtë, sasi të mëdha armësh, stërvitje ushtarake dhe trupa u vendosën në hemisferën jugore kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik garuan për shtetet kliente, ndërsa këto të fundit kërkuan në mënyrë oportuniste “mbrojtësin”që ishte më bujar ndaj tyre.

Edhe pse që nga ajo kohë këto devijime janë zvogëluar, ato vazhdojnë ende edhe sot. Në tregun aktual Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krye, të mbështetur nga disa aleatë. Rusia dominon brenda një rajoni të vogël të satelitëve të saj, ndërsa Kina po synon të njëjtën gjë, me një sukses të përzier por me aspirata të dukshme.

Në tregun global të farmaceutikës, gjërat duken ndryshe. Ndërsa ende është një lojtare kryesore, Shtetet e Bashkuara përballen me një konkurrencë të fortë nga disa rivalë të mundshëm. Në Evropën Perëndimore, Gjermania dhe Britania e Madhe gëzojnë një ndikim disproporcional, ashtu si Rusia në ish-sferat e saj të ndikimit, Evropën Qendrore dhe atë Lindore.

Si Kina ashtu edhe India kanë që të dyja kapacitete të mëdha prodhuese, dhe më e rëndësishmja, ato po i dominojnë tregjet e eksportit për produkte gjenerike jashtë Perëndimit. Dhe pavarësisht se është një fuqi relativisht e vogël rajonale, Izraeli ka gjithashtu një domethënie shumë më të madhe sesa do ta linte të kuptohej madhësia e tij, si një tjetër furnizues kryesor i produkteve gjenerike.

Nëse kërkesa për vaksina mbetet e lartë në planin afatgjatë, rivaliteti midis këtyre shteteve për t’u bërë furnizuesit dominues të botës, do të sjellë një ekuilibër global të fuqisë që do jetë shumë i ndryshëm nga i sotmi.

SHBA dhe BE janë të ngadaltë në shfrytëzimin e plotë të mundësive gjeopolitike të diplomacisë së vaksinave, ose të paktën nuk janë të gatshme që ta bëjnë këtë me të njëjtën aftësi dhe entuziazëm si shtetet e tjera. Kjo mund të ndryshojë me kalimin e kohës. Por rezultati do të përkeqësohet nga pabarazitë brenda marrëdhënieve tregtare tashmë të pabarabarta midis këtyre vendeve dhe hemisferës jugore. /abcnews

Nga Simon Frankel Pratt &Jamie Levin, Foreign Policy

The post Vaksinat do të formojnë rendin e ri gjeopolitik appeared first on Mesazhi.com.