Urreni dhjetë cilësi tek dhjetë persona

urreni-dhjete-cilesi-tek-dhjete-persona

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të të gjitha botëve. Dërgojmë salavat dhe selam mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, Muhamedin (savs), mbi shokët e tij, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë ata që kanë jetuar dhe kanë vdekur me besim në zemër.

Vëllezër besimtarë!

Tema e hutbes së sotme është: Allahu i Plotfuqishëm i urren 10 cilësi tek 10 persona

Dijetari i madh islam, Ibn Haxher El-Askalani, në veprën e tij të njohur, El-Isti’dad li jevmil-mi’ad(Përgatitja për ditën e rikthimit), e sjell një thënie shumë të bukur dhe përmbajtjesore, të cilën do ta citojmë dhe do ta interpretojmë në hutben e sotme.

Ai thotë:

“Allahu i Plotfuqishëm i urren 10 cilësi tek10 persona:

(1) – koprracinë tek të pasurit,
(2) – krenarinë tek të varfrit,
(3) – lakminë tek dijetarët,
(4) – mungesën e turpit tek gratë,
(5) – dashurinë për këtë botë tek të vjetrit,
(6) – përtacinë tek të rinjtë,
(7) – padrejtësinë tek sundimtarët,
(8) – frikën tek luftëtarët,
(9) – mendjemadhësinë tek asketët dhe
(10) – hipokrizinë tek të devotshmit.”
(Ibn Haxher El-Askalani, Përgatitja për ditën e rikthimit.)

Vëllezër dashur!

Kur bëhet fjalë për statusin e mëkateve dhe mëkatarëve në burimet e Islamit ose në ndonjë vend tjetër, njeriu duhet ta analizojë jetën e përditshme dhe të shikojë se sa janë të afërta apo të largëta këto mëkateprej tij. Kjo i jep ndihmesë shtesë njeriut, sepse ai do ta mbrojë veten nga të këqijat që sjellin këto mëkate.

(1) Koprracia tek të pasurit: –Sipas kësaj, fjalia e dijetarit Ibn Haxher el-Askalani, mund t’i shërbejë një njeriu që të shikojë përreth dhe të shohë se a ka njerëz të pasur por koprrac, në mënyrë që të mos mbështetet tek ata dhe pastaj të përjetojë siklet. Gjithashtu, më së vështiri është të jesh borxhli ndaj një njeriu koprrac që është i pasur.

(2) Krenaria tek të varfrit: –Kjo krenari shpesh herë njeriut mund t’i shkaktojë telashe. Për shembull, njeriu mund të vendos të ndihmojë ta punësojë dikë, por njeriu i varfër arrogant e refuzon këtë, ose hyn në punë, por pastaj i shkakton probleme punëdhënësit, sepse mendon se ai është “më i mirë” sesa ajo që i ofrohet.

(3) Lakmia tek dijetarët: –Kjo lakmi çon në pasurimin e madh të individëve në kurriz të të tjerëve, sepse shumë juristë dinë boshllëqe në ligj, shumë ekonomistë dinë ta paraqesin faturën sikur gjithçka është në rregull, dhe ai është i mirë, shumë inxhinierë, arkitektë dhe ndërtimtarë për fitime personale vendosin materiale më të lira në prodhimet e tyre, përdorin më pak çimento ose armaturë në ndërtesa. Disa mësues dhe profesorë bëjnë gjithnjë e më pak përpjekje për t’i mësuar e edukuar fëmijët, ndërsa anojnë kah fëmijët e njerëzve më të pasur. Në përgjithësi, çdo grup dijetarësh nga çdo fushë ka shumë lakmitarë, gojët e të cilëve vetëm dheu mund t’i ndalojë.

(4) Mungesa e turpit tek gratë: –Ky është një cilësi, e cila njeriut i sjell fatkeqësi qoftë në mënyrë direkte ose indirekte. Pavarësisht se a është zhdukur turpi në shtëpinë e tij, apo jeton në afërsi të grave të pa turp, ai e sfidon veten e tij dhe fëmijët e tij.

(5) Dashuria për këtë botë tek të moshuarit: – Kjo dashuri ka shkatërruar shumë shtëpi. Prindi i moshuar, në vend që të mendojë për fëmijët e tij, ai bëhet koprrac, nuk dëshiron të ndajë pasurinë e tij para vdekjes, dhe shpesh në shtëpi ndodhin grindjet dhe largimi i anëtarëve të familjes nga njëri-tjetri.

(6) Përtacia tek të rinjtë: –Kjo është një cilësi e keqe që ka pasoja të përhershme, pavarësisht se a kemi një fëmijë tek i cili nuk e parandalojmë këtë cilësi të keqe, apo vetë jemi përtacë. Përtacia bëhet pjesë e jetës së njeriut, ajo bëhet zakon. Prandaj, në të ardhmen fëmija jonë, ose vetë ne gjithmonë do të jemi në kurriz të të tjerëve. Nuk jemi të gatshëm të punojmë sepse nuk jemi mësuar të punojmë.

(7) Padrejtësia tek sundimtarët: –Shumë dijetarë, por edhe vetë jeta na mëson se padrejtësia te sundimtarët është një e keqe që shumë lehtë mund të ndodhë. Nëse shoqërohemi, ose rrimë afër një pushtetari, një politikani, ose një padroni dhe vërejmë se ai është i padrejtë me të tjerët, duhet të mendojmë se nesër mund të jemi ne ata, mbi të cilët do të bëhet padrejtësia.

(8) Frika tek luftëtarët: –Frika është një tipar nga i cili duhet mbrojtur, dhe të tjerët duhet inkurajuar që ta urrejnë këtë tipar. Për shkak të frikës, padrejtësia përhapet në shoqëri, sepse askush nuk guxon të reagojë. Shoqëritë zhduken në gjendje lufte, sepse njerëzit kanë frikë të mbrohen. Zhduket besimi, sepse kur frikësohen, nuk dihet se kur dikush do të tradhtojë shoqërinë, komunitetin ose familjen.

(9)Mendjemadhësia tek asketët: –Mendjemadhësia e asketit është një tipar që sillet rreth njerëzve, të cilët njihen si njerëz të dhikrit, të leximit të Kuranit, njerëz nga rreshtat e parë në xhami, etj. Dikush, edhe duke këmbëngulur për ta ndjekur Sunetin, bëhet mendjemadh, duke besuar se mënyra e tij e shfaqjes së Islamit, e veshjes, e të folurit, e ndjekjes së Pejgamberit (savs), është e vetmja mënyrë e drejtë, duke përmbushur kështu, planin e shejtanit, që besimtari ta konsiderojë veten më të mirë se të tjerët.

(10) Hipokrizia tek të devotshmit: –Hipokrizia ose dyfytyrësia tek njerëzit e devotshëm, është një tipar, që u ka shkaktuar të këqija shumë komuniteteve muslimane gjatë gjithë historisë. Është e vështirë ta njohësh ose ta karakterizosh dikë si hipokrit (munafik), por në jetën e përditshme njeriu duhet të shikojë, se fjalët e të devotshmëve, të cilët mbajnë ligjërata dhe flasin për të mirën, a janë në përputhje me veprat e tyre.

I lutemi Allahut të Plotfuqishëm që të na ndihmojë e të na mbrojë nga këto cilësi të këqija e të dëmshme.

I lutemi Allahut të Madhërishëm, që të na forcojë në rrugën e Islamit!

O Allah, na ndihmo që ta ruajmë dritën e Islamit!

O Allah, mos na sprovo me dhunën e sundimtarëve zullumqarë!

O Allah, mos na sprovo me atë që nuk mund ta përballojmë!

O Allah, na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe të na vendosë në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me dëshmorë dhe me njerëz të mirë. Amin!

Përkthim: Miftar Ajdini