Turqia fton ambasadorin e SHBA për të protestuar vendimin e Bidenit

turqia-fton-ambasadorin-e-shba-per-te-protestuar-vendimin-e-bidenit

Ministria e Jashtme e Turqisë ka thirrur në takim ambasadorin amerikan në Ankara, për të protestuar vendimin e Shteteve të Bashkuara për ta njohur si gjenocid dëbimin dhe vrasjen e armenëve nga Perandoria Osmane.

Zëvendësministri i Jashtëm i Turqisë, Sedat Onal u takua me ambasadorin amerikan, David Satterfield në orët e vona të së shtunës, për t’i shprehur dënimin e Ankarasë për vendimin e Bidenit.

“Deklarata nuk ka bazë ligjore, në kuptimin e ligjit ndërkombëtar dhe lëndon popullin turk, hap një plagë, që është gjë e vështirë që të rregullohet në marrëdhëniet tona”, tha Ministria e Jashtme turke.

Të shtunën, më 24 prill, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, përmes një deklarate, njohu si gjenocid ngjarjet që nisën më 1915, ku vlerësohet se janë vrarë 1.5 milion armenë nga turqit otomanë.

Kjo deklaratë e Bidenit menjëherë u kundërshtua nga zyrtarët turq, edhe pse presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ende nuk ka folur për këtë çështje.

Turqia refuzon që ta përdorë fjalën gjenocid dhe thotë se në atë periudhë janë vrarë turq dhe armenë dhe ka bërë thirrje që një komision historianësh të hetojnë këtë ngjarje. /rel

The post Turqia fton ambasadorin e SHBA për të protestuar vendimin e Bidenit appeared first on Mesazhi.com.