Tetë sihariqet dhe përgëzimet kur’anore për durimtarët

tete-sihariqet-dhe-pergezimet-kur’anore-per-durimtaret

Hfz. Mehas Alija

Vëlla dhe motër e nderuar, nëse mendon se jeta të është ngushtuar, e qielli të ka arritur një pëllëmbë mbi kokë për shkak të problemeve, shqetësimeve, sprovave, telasheve, mërzive, etj., atëherë duro dhe mos e shiko botën dhe jetën vetëm bardh e zi.

Kur populli i faraonit kishte humbur shpresën se ai do të kthehej e do të pendohej, teksa ndërtonte edhe piramidat, dhe mendonte se bota ka arritur në fund, dikush tjetër, pak më larg tyre, në luginën e Mekkes, ndërtonte shtëpinë e Zotit, Qabenë e madhërishme, ndërsa ishte plotë shpresë, e ai ishte Ibrahimi a.s. dhe djali i tij, Ismaili a.s.

Ashtu njëjtë edhe nëna e Musait a.s., hodhi djalin e saj në lum, nga frika e faraonit, ndërkohë që Zoti, vetëm për pak kohë, ia ktheu djalin në kraharorin e saj, nga vetë faraoni. Në momentin që mendoi se e humbi të birin, vetëm se duroi, dhe, ja, iu gëzua zemra e syri i lotoi nga gëzimi, kur pa djalin sërish në duart e veta. Eh, ky është shpërblimi i durimit!

Shiko tani se sa sihariqe të bukura na paraqet Kur’anit për ata që janë të kalitur me durim dhe ecin në jetë përmes këmbënguljes me durim. Nuk është problem ngadalësia, me rëndësi është mos ndalja dhe mos demoralizimi.

Zoti i Madhërishëm i përgëzon durimtarët, sabërlinjtë, me tetë sihariqe:

1. Dashurinë: “All-llahu i do durimtarët.” (Ali Imran, 146).

2. Ndihmën: “Me të vërtetë All-llahu është me durimtarët.” (Enfal, 46)

3. Shpërblime të larta në xhennet: “Për ata që duruan, do të kenë si shpërblim xhennetin…” (Furkan, 75).

4. Shpërblim kolosal, pa hesap: “Vetëm ata që janë të durueshëm do të shpërblehen pa masë.” (Zumer, 10).

5. Përgëzim: “Dhe ti përgëzoi durimtarët.” (El-Bekare, 155).

6. Bekim, falje.

7. Mëshirë.

8. Udhëzim.

Tre sihariqet e fundit i gjejmë te ajeti i sures El-Bekare: “Të tillët, (pra, durimtarët) janë që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë.” (El-Bekare, 175).

All-llahu është më i madhi dhe Ai di më së shumti dhe më së miri!

(Nga mesazhi hutbesë së xhumasë, në xhaminë El-Hidaje në St.Gallen, 10.09.2021)

(Islampress)