Të qenët më të lumtur duke ndarë vetëm pesë minuta në ditë!

te-qenet-me-te-lumtur-duke-ndare-vetem-pese-minuta-ne-dite!

Allahu i Madhëruar thotë: “Prandaj, më kujtoni Mua (me namaz e lutje) që Unë t’ju kujtoj (me shpërblime) dhe falënderomëni Mua (duke M’u bindur) e mos i mohoni dhuntitë e Mia (me mosbindje)!” [El Bekare, 152]

A ju kujtohet momenti kur e keni blerë veturën e re, veshmbathje apo diçka rreth të cilës kishi ëndërruar dhe nga atëherë keni qenë mjaftë të lumtur?! Me siguri nuk kujtoheni!

Ne blejmë gjëra, i arrijmë qëllimet tona, e kënaqim veten – por asgjë nga këto nuk e siguron lumturinë e përhershme, sepse lumturia nuk funksionon në atë mënyrë.

Me siguri pyeteni se në çfarë mënyre funksionon? Përgjigja është mirënjohja. Allahu i Madhëruar në ajetin e shënuar në fillim të tekstit, mirënjohjen e barazon me përmendjen e Tij.

Mosmirënjohja lind nga frika: frika se nuk do të kemi mjaftueshëm, frika se nuk jemi mjaftueshëm të mirë. Për shembull, ndoshta jeni të pakënaqur në punë sepse keni frikë se nuk do të jeni në gjendje ta kryeni me sukses, dhe keni frikë mos ju largojnë nga puna.

Nëse mbështeteni tek Allahu me mbështetje të vërtetë, do të shihni se mirënjohja është arma juaj e përditshme kundër frikës!

Është koha ta mësoni mirënjohjen ashtu që ajo t’ju bëhet zakon. Në këtë mënyrë do të jeni në gjendje ta zvogëloni frikën dhe t’i hapeni shtigjeve të lumturisë.

Nuk ka të bëjë me ndonjë gjë mistike apo të vështirë. Ja për çfarë bëhet fjalë:

Çdo natë para se të shkoni të pushoni, bëjeni një listë duke përfshirë pesë gjëra për të cilat i jeni mirënjohës Allahut të Madhëruar.

Ndoshta në fillim do t’ju ​​duket e vështirë apo e çuditshme, por provojeni. Secili prej nesh mund të kujtojë pesë gjëra për të cilat është mirënjohës. Mund të thuash se je mirënjohës për një ditë të këndshme, për një racion të mrekullueshëm, për një familje që të do, shëndetin, shokun më të mirë ose një moment të veçantë. Edhe kur gjërat nuk shkojnë si duhet, duhet të jeni mirënjohës që gjërat nuk janë akoma më keq.

Mos mendoni për gjëra të mëdha. Nu’man ibën Bashir, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Ai që nuk e falënderon Allahun për gjëra të vogla, nuk do ta falënderojë për gjëra të mëdha; dhe ai që nuk tregon mirënjohje ndaj njerëzve nuk do ta falënderojë as Allahun. Vlerësimi dhe përmendja e begative të dhëna nga Allahu konsiderohet mirënjohje, ndërsa e kundërta konsiderohet mosmirënjohje. ”(Ahmedi)

Pa marrë parasysh nëse gjërat në listë janë të natyrës shpirtërore si dashuria prindërore për fëmijët, ose pak më pak serioze si dashuria për ëmbëlsirat, me rëndësi është të shënoni të paktën pesë gjëra për çdo natë, me këmbëngulje dhe pa ndërprerje.

Shpjegim shkencor: Pse mirënjohja e përditshme është e dobishme?

Shënimi për çdo ditë i gjërave për të cilat jeni mirënjohës, e stërvit trurin tuaj për t’i vërejtur gjërat pozitive. Për çdo minutë të jetës sonë ndeshemi me një mori informatash dhe truri ynë duhet t’i filtrojë ata. Mendoni për këtë: kur mësoni një fjalë të re, befas bëheni të ndjeshëm ndaj saj. E vëreni më shumë. Kjo ndodh sepse truri e ka karakterizuar fjalën si të rëndësishme, kështu që në vend që ta mbajë atë në sfond, truri ua tërheq vëmendjen tek ajo.

Këtë efekt mund ta ktheni në favorin tuaj. Duke bërë një listë ditore të gjërave për të cilat jeni mirënjohës, ju e ‘detyroni’ trurin tuaj të kërkojë gjëra për të cilat mund të jeni mirënjohës. Shumë shpejt pas kësaj, do t’i vini re kudo.

Shprehja e mirënjohjes ndaj Allahut me vetëdije, të paktën pesë gjëra çdo ditë, ju jo vetëm që do të bëheni më optimist dhe më të kënaqur në jetën tuaj, por gjithashtu do të flini më qetë dhe më pak do të vuani nga depresioni.

Pra, cilat janë gjërat për të cilat mund të jeni mirënjohës sot? Ji mirënjohës ndaj Allahut të Madhëruar, bëhuni më të lumtur dhe më produktiv!

Burimi: akos.ba
Përktheu: Lutfi Muaremi

[[email protected]]