Të hënën fillon gjysmëvjetori i dytë, ​MASH e DKA-të thonë se kanë bërë përgatitjet e duhura

te-henen-fillon-gjysmevjetori-i-dyte,-​mash-e-dka-te-thone-se-kane-bere-pergatitjet-e-duhura

Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit deklarojnë se janë bërë të gjitha përgatitjet që të hënën të nisë gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2020/2021. Përfaqësues të këtyre institucioneve thonë se është bërë dezinfektimi i objekteve shkollore dhe pajisja me mjete mbrojtëse nga COVID-19 janë disa nga

Fillimi i procesit mësimor nuk rrezikohet të shtyhet as nga greva e paralajmëruar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, të cilët i kanë dhënë afat edhe një javë qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit, që të shqyrtojnë dy kërkesat e tyre, atë për shtesa në pagë për punëtorët e këtij sektori dhe nënshkrimin e kontratës kolektive.

Në një përgjigje me shkrim, zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës Diellza Kukaj, thotë se janë bërë të gjitha përgatitjet që të hënën të fillojë gjysmëvjetori i dytë.

“Plani i ministrisë është që mësimi të filloj me prezencë në shkollë, por tre skenarët së bashku me udhëzuesin e përgjithshëm do të jenë prapë në dispozicion të shkollave për organizimin e mësimit në kushte pandemie ashtu siç ka qenë organizimi mësimit në gjysmë vjetorin e parë. Ashtu siç është planifikuar periudha e pushimit është duke u shfrytëzuar për dezinfektim dhe përgatitje të shkollave përmes shpërndarjes së materialeve mbrojtëse dhe higjienike ndërkaq, MASh ka filluar procedurat për përkrahje të shkollave në ofrim të kushteve të sigurta për mbajtje të mësimit me prezencë. Inspektorati i Arsimit gjatë gjithë kohës do jenë në terren dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me DKA –të për përgatitjet në shkolla. MASh nga burimet e veta financiare dhe donator të ndryshëm është duke pajisur në vazhdimësi nxënësit dhe mësimdhënësit me pajisje teknologjike të cilat ndihmojnë në organizimin e mësimit në rrethanat me pandeminë”, thotë ajo.

E kënaqur me përgatitjet që janë bërë në shkolla që të fillojë procesi mësimor është edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. Kryetari i kësaj sindikate Rrahman Jasharaj, thotë se nga raportet që ata kanë nga terreni tregojnë që është bërë një punë e mirë në dezinfektimin dhe furnizimin e shkollave me materiale mbrojtëse nga COVID-19.

“Raportet që kemi edhe nga kolegët tanë nëpër shkolla thuhet se janë bërë angazhime edhe pse po them brenda kushteve tona dhe këto angazhime për shkak të pandemisë nuk janë kurrë të mjaftueshme…Kemi informacione se janë bërë përpjekje dhe po them DKA-të kanë pasur kohë goxha të gjatë 1 muaj, shumicën e rasteve kemi informacione se janë bërë këto përgatitje, ndoshta një informacion më të mirë do ta kemi nga e hëna kur i tërë stafi kthehet në shkolla dhe kolegët tanë do të jenë nga afër do t’i shohin gjërat. Po them, përshtypja e parë është se shkollat brenda mundësive të veta kanë bërë përgatitje në mënyrë që periudha e dytë apo gjysmëvjetori i dytë të jetë sa më i sigurt për nxënësit dhe për personelin arsimor”, thotë ai.

Sa i përket kërkesës nga kjo sindikatë që çdo punëtorit të arsimit t’i paguhen nga 100 euro shtesë në muaj me arsyetimin se e janë të rrezikuar nga COVID-19 gjatë punës së tyre, Jasharaj thotë se nuk do ta pengojnë fillimin e procesit mësimor, por që thotë nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e qeverisë dhe ministrisë atëherë do të marrin veprime sindikale.

“Gjysmëvjetori i dytë do të nis me 18 janar, mësimdhënësit janë të përgatitur dhe të përkushtuar, por uroj që institucionet, ministri Likaj dhe kryeministri Hoti mos ta marrin se ne vetëm kemi bërë alarme, por e kemi shumë seriozisht dhe nëse ata heshtin dhe nuk angazhohen sinqerisht dhe nuk reflektojnë atëherë gjatë javës së parë do të mbledhim nënshkrimet konfirmimin e ri të anëtarësisë dhe nëse ai konfirmim është që të veprohet sindikalisht unë jam i obliguar që të shpallë veprime sindikale”, thotë ai.

Lidhur me këtë kërkesë, zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, Diellza Kukaj, ka deklaruar se kanë dërguar kërkesë tek qeveria për fonde shtesë, por që thotë se ende nuk kanë marrë një përgjigje.

“Me Sindikatën jemi në kontakt dhe kemi bashkëpunim të mirë rreth çdo aktiviteti që realizohet në fushën e arsimit. Ne jemi duke bërë përpjekje të adresojmë kërkesën e SBAShK-ut, megjithatë mundësit financiare karshi kërkesave ndryshojnë sidomos pas gjendjes ekonomike të krijuar nga pandemia COVID- 19 dhe shkurtimeve buxhetore. Ne vlerësojmë jashtëzakonisht shumë punën dhe angazhimin e mësimdhënësve në rrethanat me pandemi, dhe për këtë MASh ka drejtuar një kërkesë tek qeveria për fonde shtesë, përveç mjeteve e që janë ndarë për mësimdhënësit me master planin e hartuar nga MASh, dhe jemi në pritje të përgjigjes”, thotë ajo.

Drejtoritë Komunale të Arsimit potencojnë se kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin gjysmëvjetorit të dytë, që do të nis të hënën.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës Shpresa Shala, në një përgjigje me shkrim thotë se shkollat e kryeqytetit janë dezinfektuar dhe janë pajisur me mjete mbrojtëse nga COVID-19.

“DKA i ka bërë të gjitha përgatitjet në institucionet edukativo-arsimor, duke bërë pastrimin gjeneral, furnizimin e të gjitha shkollave me dezinfektues, dezinfektimin e objekteve shkollore dhe furnizimin me material higjenik rezerve”, thotë ajo në një përgjigje me shkrim.

Të gjitha përgatitjet janë bërë edhe në Komunën e Pjesë, ku drejtori i Arsimit në këtë komunë Besim Avdimetaj, thotë se janë të gatshëm që mësimi të nis të hënën.

“Peja është e gatshme të fillojë mësimi, të gjitha shkollat janë të përgatitura, janë bërë të gjitha përgatitjet bazuar në rregulloret e IKSHPK-së dhe çdo gjë është në rregull. Janë pajisur me dezinfektues, me maska me pajisje tjera që janë të nevojshme, lëndët djegëse janë të mjaftueshme në shkolla dhe presim që viti i ri apo gjysmëvjetori i dytë të fillojë pa asnjë problem. Pra, në Pejë të gjitha shkollat janë të gatshme të fillojnë gjysmëvjetorin e dytë”, thotë ai.

Mësimi do të fillojë me prezencë fizike në objektet shkollore, por që Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se do të mbesin në funksion edhe skenarët e tjerë, që janë përdorur që nga fillimi i pandemisë.

Në bazë të kalendarit shkollor mësimi në Kosovë është dashur të përfundojë me 24 dhjetor 2020 dhe të fillojë me 8 janar 2021, por për shkaqe të mos përhapjes së COVID-19 gjysmëvjetori i parë ka përfunduar më 18 dhjetor, ndërsa i dyti do të nisë të hënën

The post Të hënën fillon gjysmëvjetori i dytë, ​MASH e DKA-të thonë se kanë bërë përgatitjet e duhura appeared first on Mesazhi.com.