Sulm me raketë në bazën ushtarake amerikane në Irak, një i vdekur

sulm-me-rakete-ne-bazen-ushtarake-amerikane-ne-irak,-nje-i-vdekur

Ky ishte sulmi më vdekjeprurës që e goditi koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak në gati një vit, ku janë shtuar tensionet mes forcave amerikane e aleatëve të tyre irakianë e kurdë në njërën anë dhe grupeve militante të lidhura me Iranin në anën tjetër.

Një zëdhënës i koalicionit tha në rrjetet sociale se sulmi i goditi forcat në kryeqytetin rajonal kurd, Erbil, dhe se hollësi të tjera rreth këtij rasti do të publikohen më vonë, shkruan Reuters.

Burimet kurde të sigurisë thanë se së paku tri raketa kanë rënë afër Aeroportit Ndërkombëtar të Erbilit natën vonë. Reporterët e agjencisë Reuters dëgjuan disa shpërthime të forta dhe panë një zjarr afër aeroportit.

Një grup i quajtur Saraya Awliya al-Dam e mori përgjegjësinë për sulmin në bazën e udhëhequr nga forcat amerikane, duke thënë se cak e kishte “okupimin amerikan” në Irak. Sidoqoftë, grupi nuk dha dëshmi për pretendimin e tyre.

Në sulmin e fundit kundër këtij koalicioni, në mars të vitit të kaluar, mbetën të vrarë një britanik dhe dy amerikanë.