Stoltenberg: Spekulimet lidhur me ndryshimin e kufijve, prishin stabilitetin

stoltenberg:-spekulimet-lidhur-me-ndryshimin-e-kufijve,-prishin-stabilitetin

Stoltenberg pas takimit që zhvilloi në selinë e NATO-s në Bruksel me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski tha se i ka parë lajmet lidhur me dokumentin jozyrtar (non paper).

“Nuk mund të komentoj rreth një dokumenti që nuk e kam parë. Spekulimet rreth ndryshimit të kufijve shkaktojnë pasiguri dhe rrezik për stabilitetin e rajonit. Çdo spekulim në lidhje me këtë është i padobishëm. Për NATO-n e rëndësishme është siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Kjo është e rëndësishme për sigurinë e rajonit dhe të Evropës. NATO mbështet stabilitetin e rajonit në mënyra të ndryshme”, tha Stoltenberg.

Sipas tij, NATO do të vazhdojë të punojë për stabilitetin me anëtarët dhe partnerët në rajon. “Respektimi i dialogut konstruktiv dhe i kufijve të njohur ndërkombëtarisht është rruga më e mirë për sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon”, theksoi Stoltenberg.

Pendarovski: Idetë lidhur me ndryshimin e kufijve, jashtëzakonisht të rrezikshme

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i ka vlerësuar si “jashtëzakonisht të rrezikshme” idetë lidhur me ndryshimin e kufijve në Ballkan. Duke rikujtuar bisedimet që ka zhvilluar me vendet e BE-së dhe anëtarët e NATO-s, Pendarovski tha se “Veçanërisht dua të theksoj se askush nuk i mbështet këto lloj dokumentesh. Mosnjohja në mënyrë të hapur në opinionin publik e atyre që kanë shkruar këto është provë se edhe ata vetë kanë turp nga këto mendime”.

“Këto dokumente i formojnë vetëm ata persona të cilët nuk arrijnë të mbështesin as interesat kombëtare të qytetarëve të vendeve të tyre”, tha Pendarovski, i cili shoti se ata që kanë përgatitur dokumentin janë persona që mendojnë se do të vijë mirëqenia kur njerëzit të ndahen në baza etnike. Dokumenti i përgatitur në anglisht me temë “Ballkani Perëndimor – Më tej” thuhet se nuk është qëndrimi zyrtar i Sllovenisë dhe pretendohet se është “një zgjidhje” ndaj problemeve me të cilat përballet ish-Jugosllavia.