Sloganet, ‘thumba’ të partive politike për njëra-tjetrën

sloganet,-‘thumba’-te-partive-politike-per-njera-tjetren

Çfarë po duan të përçojnë tek votuesit në Kosovë partitë politike nëpërmjet këtyre sloganeve?

Lajmi.net ka kontaktuar me Ridvan Eminin, studiues i filozofisë dhe politikës i cili ka komentuar sloganet e partive politike.

Nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me këtë slogan janë deklaruar se “Krejt”, nënkupton shumicën dhe të gjithë e “Drejt”, nënkupton fitoren e madhe të proklamuar nga kjo parti, e gjithashtu edhe qeverisjen e tyre, shkruan lajmi.net.

Emini tha se VV po tentoj ta kapë frymën të cilën e ka kultivuar ndër vite dhe gjithashtu po dëshiron të tregojë diçka për mënyrën e qeverisjes së këtij subjekti politik.

“Krejt dhe Drejt. Pjesa e parë e këtij slogani konsideroj se mundohet të kapë frymën e cila është kultivuar me vite të tëra nga VV, kundër elitës politike të kohës, të cilat vetëm pse ishin në qeverisje quheshin si ‘hajna’, ‘kriminel’, ‘komandanta’, e kështu me radhë. Ndërsa pjesa e dytë e tij aludon në atë se nëse qeverisin ata, LVV do të veprojnë në mënyrë të drejtë duke mos bërë diskriminime dhe duke nda një barazi për të gjithë.”, tha Emini.

Institucionalizmi i proklamuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës brenda diskursit të tyre politik është reflektuar edhe në sloganin e tyre për këto zgjedhje.

Një shprehje tautologjike “Shteti. Shtet”, për LDK-në nënkupton se interesi i shtetit duhet të vendoset në rend të parë.

Emini këtë slogan e sheh në frymën tradicionale të LDK-së ku tenton ta paraqesë vetën si shtetformuese dhe nga ana tjetër ky slogan vjen si tentim i shpërfaqjes së synimit për fuqizimin e shtetit.

“Shteti. Shtet. Ky slogan i LDK-së mendoj se tenton ta paraqesë LDK-në si shtetformuese nga njëra anë dhe nga ana tjetër kjo parti synon që ta fuqizojë shtetin nëse do të qeverisë me vendin. Kjo le të nënkuptojë se shteti i Kosovës është në bërje e sipër dhe ka nevojë për qeverisjen e LDK-së në mënyrë që ta përmbyll ciklin e fuqizimit të shtetit.”, tha Emini për lajmi.net.

Emini duke folur për sloganin e Partisë Demokratike të Kosovës e sheh atë si kundërpërgjigje ndaj dy subjekteve politike, Lëvizjes Vetëvendosje e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas Eminit. ky slogan lë të nënkuptojë se PDK po tenton t’iu thotë qytetarëve se do ta rimëkëmb Kosovën nga qeverisja e keqe e koalicionit LDK – LVV.

“Rimëkëmbje. Slogani i PDK-së mendoj se ka një kundërpërgjigje ndaj dy subjekteve të lartcekura pavarësisht faktit se kjo parti doli e para me slogan nga të gjitha partitë tjera. Ky slogan lë të nënkuptojë se partitë të cilat qeverisën së fundmi me vendin, e kanë dëmtuar shtetin dhe se PDK nëse do të qeverisë me vendin do të rikthejë mëkëmbjen e vendit të cilin e kanë dëmtuar qeveritë paraprake.”, tha Emini për lajmi.net.

Slogani i AAK-së, “Forca e Kosovës”, sipas Eminit është krijuar me qëllim të tregojë stabilitetin e kësaj partie pavarësisht numrit të votave dhe gjithashtu ta fuqizojë narracionin se në mandatin qeverisës të kësaj partie është bërë transformimi i FSK-së në Ushtri.

“Forca e Kosovës. Slogani i AAK-së mendoj se ka për qëllim të tregojë se kjo parti është e fortë, ka një stabilitet, pavarësisht se është një parti e vogël ose e mesme nëse mund të themi. Gjithashtu, ky slogan synon ta paraqesë atë se në mandatin qeverisës të saj ka bërë ligjin për transformimin e FSK-së në Ushtri. Andaj, nëse qeverisin ata konsiderojnë se do të forcojnë Kosovën në aspektin e sigurisë.”, tha Emini.

Në fund, duke folur për sloganin e Nismës Socialdemokrate, Emini tha se ky subjekt politik ka targetuar një pjesë të elektoratit.

“Me Çlirimtarët. Slogani i Nismës mendoj se është më i koncentruar, pra synon një grup ose një shtres të caktuar të popullsisë së vendit, pra ushtarët e UÇK-së dhe familjet e tyre.”, tha në fund Emini.

Se çfarë do të sjellin njëmend këto slogane mbetet të shihet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, por Emini në fund për lajmi.net është shprehur se të gjitha këto sondazhe tregojnë një polarizim të skajshëm të skenës politike.

Sipas Eminit, slogani i VV-së është kundër të gjithëve, ai i LDK-së është kundër Vetëvendosjes, slogani i PDK-së është kundër LDK-së e VV-së dhe slogani i Nismës Socialdemokrate kundër PDK-së.

Ky polarizim i skenës politike mund të prodhojë krizë politike në Kosovë pas zgjedhjeve, por mbetet të shihet se cili do të jetë epilogu i dramës së madhe politike në fillimin e vitit 2021. /Lajmi.net/