Si qëndron situata me COVID-19 në disa prej qyteteve më të mëdha të vendit, nga ku pati më tepër viktima

si-qendron-situata-me-covid-19-ne-disa-prej-qyteteve-me-te-medha-te-vendit,-nga-ku-pati-me-teper-viktima

Poashtu Kosova është ndër vendet e pakta që ende nuk ka pranuar asnjë vaksinë antiCOVID, teksa u tha se vaksinat e para pritet të arrijnë gjatë muajve të ardhshëm, gjë e cila mbetet të shihet se sa do të jetë e realizueshme.

Por që nga muaji mars e deri më sot janë konfirmuar 1.426 raste të vdekjes.

Të kontaktuar nga lajmi.net Komuna e Prishtinës, saktësisht Drejtoria për Shëndetësi ka bërë të ditur se numri i të vdekurve si pasojë e këtij virusi është 214.

Pra përgjatë këtyre muajve përballje me koronavirus janë gjithsej 214 viktima nga Komuna e Prishtinës.

Të pyetur lidhur me numrin e përgjithshëm të pacientëve me COVID-19 që po trajtohen në kuadër të spitalit, u bë e ditur se janë gjithsej 1 mijë e 169 pacientë të cilët po vazhdojnë të marrin trajtim shëndetësorë.

Në kuadër të Prishtinës numri i të shëruarve nga COVID-19 ka arritur në mbi 20 mijë e 748 persona.

Qyteti i Ferizajt poashtu po vazhdon të përballet me situatë të ngjashme të të prekurve me koronavirus.

Nga muaji mars deri më tani nga kjo komunë kanë humbur jetën 89 qytetarë.

“Numri i të vdekurve sipas raportimit zyrtar nga IKSHPK për pacientët ferizajas të infektuar me Sars-Cov-2 (COVID-19) është 89 qytetarë. Numri i pacientëve që po trajtohen në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt nga ky virus është:  44 të hospitalizuar, 10 të pakonfirmuar, 22 të konfirmuar pozitiv dhe 12 negativ”,  u tha në përgjigjen e Komunës së Ferizajt.

Gjithashtu u theksua se numri i të shëruarve nga ky virus ka arritur në 2 mijë e 391 persona.

Në qytetin e Gjakovës situata me COVID-19 vazhdon të jetë mjaftë e rëndë, ku tani për tani janë mbi 173 raste aktive.

Nga muajt e parë të vitit të kaluar deri sot numri total i rasteve me koronavirus ka arritur në 2 mijë e 255.

Nga Komuna e Gjakovës kanë bërë të ditur për lajmi.net se numri i përgjithshëm i viktimave nga COVID-19 është 97 persona.

“Numri total i të shëruarve në Gjakovë është 1979, janë 186 raste aktive dhe trajtimi shëndetësorë në kuadër të Spitalit Rajonal të Gjakovës po vazhdon.  Trajtim janë duke marrë 46 pacientë”, u tha në përgjigjen e dhënë nga Komuna e Gjakovës.

Ditë më parë në komunën e Gjilanit u arrit në 100 numri i të vdekurve si pasojë e COVID-19.

Por tani për tani janë gjithsej 170 raste aktive dhe 28 persona të konfirmuar me koronavirus janë në hospitalizim derisa po pritet rezultati i 120 mostrave.

Nga muaji mars deri më sot në kuadër të komunës së Gjilanit kanë humbur jetën 103 persona.

Për fat të mirë nga COVID-19 në këtë qytet janë shëruar 3032 qytetarë.

Sa i përket të dhënave në nivel vendi, janë gjithsej 5 mijë e 324 raste aktive me COVID-19, e numri i përgjithshëm i personave të cilët u dyshuan për këtë virus nga marsi deri më sot është 213.372.

Lajmi.net ka kërkuar përgjigje edhe nga komunat e tjera, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur./Lajmi.net/