Shqipëri, mbërrijnë 8.190 doza të tjera të vaksinës kundër COVID-19

shqiperi,-mberrijne-8.190-doza-te-tjera-te-vaksines-kunder-covid-19

Në Shqipëri kanë mbërritur edhe 8.190 doza të tjera të vaksinës kundër koronavirusit të ri (COVID-19) nga kontrata me kompaninë Pfizer, raporton Anadolu Agency(AA).

Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për mediat tha se vazhdon furnizimi me vaksinën e kompanisë Pfizer.

“Vazhdojmë çdo ditë përpjekjen për të finalizuar një marrëveshje të rëndësishme me një shtet mik për një sasi prej 360 mijë dozash të vaksinës AstraZeneca. Po ashtu jemi në komunikim intensiv edhe me dy shtete të tjera me synimin që të shtojmë sasinë e vaksinave. Objektiv i 14 muajve është shumë ambicioz në kushtet në të cilat ndodhemi për faktin se çdo ditë lufta për të siguruar doza të vaksinës është shumë e fortë nga katër anët dhe sasitë në raport me kërkesat mbeten shumë të vogla”, u shpreh Rama.

Kryeministri i Shqipërisë theksoi se në vend vazhdon procesi i vaksinimit.

“Vazhdojmë vaksinimin tanimë shtrirë në të gjithë territorin të bluzave të bardha. Jemi në përfundim të vaksinimit të të gjithë të moshuarve në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit dhe personelit të tyre dhe kemi filluar edhe me vaksinimin e kategorisë mbi 80-vjeç”, theksoi Rama.

Kujtojmë se gjatë muajit shkurt në Shqipëri kanë mbërritur edhe mbi 8 mijë vaksina të tjera nga kontrata me kompaninë Pfizer.

Shqipëria filloi zyrtarisht më 11 janar fushatën e vaksinimit kundër COVID-19 fillimisht me personelin shëndetësor, sipas autoriteteve me vaksina të dhuruara nga një vend i Bashkimit Evropian(BE).

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 6.728 vaksina.

The post Shqipëri, mbërrijnë 8.190 doza të tjera të vaksinës kundër COVID-19 appeared first on Mesazhi.com.