Shqipëri, 21 të vdekur dhe 986 raste të reja me COVID-19

shqiperi,-21-te-vdekur-dhe-986-raste-te-reja-me-covid-19

Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë regjistruar 21 të vdekur dhe 986 raste pozitive me koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në vend që nga fillimi i pandemisë është rritur në 104.313 dhe numri i të vdekurve në 1.736

Në orët e fundit janë shëruar 849 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 67.158, dhe raste aktive janë 35.419.

Institucionet shëndetësore kanë kryer edhe 3.691 testime të tjera, ndërsa që nga fillimi i pandemisë janë kryer gjithsej 455.334 testime për personat e dyshuar për COVID-19.

Sipas ministrisë në vend vazhdon procesi i vaksinimit dhe gjithsej janë kryer 10.135 vaksinime kundër COVID-19.

Nga ana tjetër, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur që të mbeten në fuqi masat që u miratuan dy javë më parë.

Në vend do të vazhdojnë ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët dhe ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve dhe klubeve (me përjashtim të shërbimit në banesë) nga ora 20:00-06:00, mësimi online në universitete, mësimi online në shkollat e mesme në disa bashki dhe ndalimi i grumbullimeve masive deri në një vlerësim tjetër të situatës.

The post Shqipëri, 21 të vdekur dhe 986 raste të reja me COVID-19 appeared first on Mesazhi.com.