SHBA, një marrëveshje me Teheranin është e mundur

shba,-nje-marreveshje-me-teheranin-eshte-e-mundur

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha të enjten se një ujdi që Uashingtoni dhe Teherani të rifillojnë t’i përmbahen marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 për Iranin mund të arrihet brenda pak javësh, nëse Irani merr vendimin politik për ta bërë këtë. Por zëdhënësi tha se ende ka probleme që duhen zgjidhur.

“A është e mundur që në javët e ardhshme të shohim një kthim të ndërsjellë tek marrëveshja, ose një mirëkuptim për t’iu përmbajtur asaj reciprokisht? Po,” u tha zyrtari gazetarëve gjatë një konference telefonike dhe në kushte anonimiteti.

“A është e mundshme? Vetëm koha do ta tregojë, sepse siç thashë, kjo është përfundimisht çështje e një vendimi politik që duhet të merret në Iran,” shtoi zyrtari.

Zyrtarët e SHBA rikthehen në Vjenë këtë javë për një raund të katërt bisedimesh indirekte me Iranin për çështjen si të rifillojë pajtueshmërinë me marrëveshjen, të cilën ish Presidenti Donald Trump e braktisi në vitin 2018, duke bërë që Irani të fillojë të shkelë kushtet e saj rreth një vit më vonë.

Thelbi i marrëveshjes ishte që Irani të ndërmerrte hapa për të frenuar programin e tij bërthamor dhe për t’ia bërë atij më të vështirë prodhimin e materialit të pasuruar në shkallën e një arme bërthamore. Si shkëmbim, SHBA, BE dhe OKB do të lehtësonin sanksionet.

Teherani mohon të ketë ambicie për armë bërthamore.

Zyrtari amerikan tha se ndoshta është e mundur që marrëveshja bërthamore të ringjallet përpara zgjedhjeve të Iranit më 18 qershor, por shtoi ai, i takon Iranit që të marrë një vendim të tillë politik. Ai tha se Irani nuk duhet të kërkojë nga Uashingtoni që të bëjë më shumë se sa parashikohet në marrëveshje ndërsa Teherani të bënte më pak. /voa

The post SHBA, një marrëveshje me Teheranin është e mundur appeared first on Mesazhi.com.