SHBA-Kinë, angazhime më të forta mbi klimën

shba-kine,-angazhime-me-te-forta-mbi-klimen

Shtetet e Bashkuara dhe Kina ranë dakord mbi nevojën për zotime më të forta për të luftuar ndryshimet klimatike, përpara një raundi të ri të bisedimesh ndërkombëtare që mbahet në fund të vitit. Lidhur me këtë çështje dy vendet nxorën një deklaratë të përbashkët të dielën.

Ministria e Mjedisit e Kinës tha se deklarata pason takimet në Shanghai mes të dërguarit kinez mbi klimën Xie Zhenhua dhe homologut të tij amerikan, John Kerry, të enjten dhe të premten.

“Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë të angazhuara për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe me vendet e tjera për të trajtuar krizën e klimës”, thuhej në deklaratën e përbashkët.

Dy vendet do të vazhdojnë të diskutojnë mbi “veprime konkrete për të zvogëluar ndotjen e shkakuar nga dora e njeriut duke synuar ruajtjen e kufirit të temperaturës në përputhje me Marrëveshjen e Parisit”.

Z. Kerry mbërriti në Shangai të mërkurën në mbrëmje dhe si rezultat i protokolleve lidhur me COVID-19 u transferua në një hotel që nuk ishte i hapur për publikun. Ai më pas udhëtoi drejt Seulit.

Ndalesa e tij në Shangai ishte vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan që kur Presidenti Biden mori detyrën. Më herët, zyrtarët amerikanë dhe kinezë zhvilluan një takim në Alaksa ku shkëmbyen deklarata të nxehta.

Bisedimet shënojnë gjithashtu një rinisje të dialogut për klimën mes dy emetuesve më të mëdhenj të gazit në botë. Diskutimet dypalëshe u ndalën gjatë administratës Trump, i cili u tërhoq nga marrëveshja e Parisit nën pretendimet se ndëshkonte padrejtësisht bizneset amerikane.

Shtetet e Bashkuara pritet së shpejti të bëjnë një premtim të ri për të zvogëluar ndotjen në një përpjekje për të fituar besimin e aleatëve të saj. Presidenti Biden riktheu Shtetet e Bashkuara në marrëveshjen e Parisit mbi klimën. /voa

The post SHBA-Kinë, angazhime më të forta mbi klimën appeared first on Mesazhi.com.