Sa shpenzojnë rrymë katër komunat në veri të Kosovës?

sa-shpenzojne-rryme-kater-komunat-ne-veri-te-kosoves?

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike –ZRRE rrymën e shpenzuar në veri e njehë si “humbjet e energjisë elektrike”.

Sipas Raportit të ZRRE “Bilanci vjetor i energjisë elektrike dhe termike 2021”, kërkesa gjithsejte për energji elektrike në Kosovë për vitin 2021 duke përfshirë edhe konsumin për furnizim të veriut të Kosovës, parashihet të jetë 6,433.9 GWh. Në këtë kërkesë është planifikuar të merr pjesë: Kërkesa neto në Rrjetin e Shpërndarjes (amvisëria, ndriçimi publik, bizneset e vogla etj. të kyçura në nivelin e tensionit 35kV, 10kV dhe 0.4kV) është paraparë të jetë = 4230.5 GWh, Humbjet në shpërndarje (përfshihen edhe humbjet e tejkaluara) në vlerën = 990 GWh, Mihjet = 114 GWh; Trepça = 21 GËh, Sharr Cem = 69 GWh, NEW.CO. FERRONIKELI = 429 GWh, Shpenzimet e gjenerimit nga transmetimi 138 GWh (TC A =108 GWh, TC B= 30 GWh), Humbjet e sistemit (Konsumi i Veriut të Kosovës)=326 GWh, Humbjet në transmetim në vlerë prej= 113.5 GWh.

Humbjet e energjisë elektrike

Humbjet totale të energjisë elektrike ndahen në:

Sipas ZRRE, humbjet në rrjetin e transmetimit, që paraqesin diferencën e vlerave të matura të energjisë elektrike në hyrje të transmetimit dhe atyre të matura në dalje të rrjetit transmetues. Këtu përfshihen edhe humbjet për shkak te tranzitit (pikat matëse në linjat interkonektive 400, 220 dhe 110kV transferohen në kufijtë ndarës duke përdorur koeficientet e aprovuar të transferimit).

Humbjet në rrjetin e shpërndarjes (distribucionit), që janë diferenca e vlerave të matura të energjisë elektrike të pranuar në pikat e ndarjes nga rrjeti i transmetimit dhe hyrjet nga gjeneratorët e kyçur në shpërndarje dhe në anën tjetër vlerave të matura të energjisë elektrike të dërguar konsumatorëve.

Në planifikimin e humbjeve të tëra në rrjetin e transmetimit përfshihen humbjet e shkaktuara nga ngarkesa e konsumit të Kosovës dhe humbjet e shkaktuara nga energjia elektrike që kalon si tranzit.

Konsumi i veriut të Kosovës, është energjia që shpenzohet në katër komunat veriore të Kosovës. Kjo energji furnizohet nga KOSTT me buxhet jashtë tarifor.

Humbjet e lejuara të energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit janë planifikuar të jenë 113.53 GËh ose 1,71% e sasisë së gjithmbarshme të energjisë në hyrje të transmetimit. Këtë energji KOSTT do ta sigurojë në bazë të parimeve të tregut konkurrues, duke respektuar procedurën për tregtimin e energjisë elektrike.

Humbjet e lejuara të energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes sipas të dhënave të pranuara nga KESCO (humbjet teknike dhe komerciale), janë planifikuar të jenë 909.8 GËh ose 17.43% e kërkesës totale të sistemit të shpërndarjes (Distribucionit) si dhe humbjet e tejkaluara në vlerën 80.4 GËh.

Sipas vendimit të ZRrE, nga muaji prill 2017 me qëllim të krijimit të kushteve për hapjen e tregut të energjisë me pakicë, përgjegjësinë për të mbuluar humbjet nga furnizimi me energji elektrike për pjesën veriore të Kosovës, nga Kompania Furnizuese KESCO i’a ka kaluar KOSTT-it mjete të cilat KOSTT i ka siguruar përmes tarifave të energjisë elektrike, sipas rregullave në fuqi.

Në përputhje me vendimin e Gjykatës së Apelit për tërhequr koston e furnizimit të veriut nga faturat e energjisë elektrike, udhëzimit të ZRrE në lidhje me këtë çështje, si dhe shkurtimit nga ana e ZRrE të tarifave të KOSTT për mbulimin e humbjeve në veri të Kosovës, KOSTT nga  data 2 dhjetor 2017 nuk ka bërë blerjen e energjisë për mbulimin e humbjeve për furnizimin e veriut të Kosovës, rrjedhimisht, për mbulimin e këtij konsumi energjia elektrike është tërhequr nga Sistemi Elektro energjetik i Evropës Kontinentale deri në fillimin e implementimit të Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT/ENTSO-E dhe fillimin e operimit të KOSTT si zonë e pavarur rregulluese në kuadër të Bllokut Rregullues Shqipëri-Kosovë.

Me fillimin e implementimit të Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT/ENTSO-E dhe operimit të KOSTT si Zonë Rregulluese në kuadër të Bllokut Rregullues Kosovë-Shqipëri, KOSTT ka filluar të bëj blerjen e energjisë për mbulimin e humbjeve për furnizimin e veriut me energji elektrike.

Deri në zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës, Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milion euro për furnizimin e veriut me qëllim të ndalimit të devijimeve ndaj operatorëve të Sistemeve Transmetuese Evropiane që është edhe kusht  i Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT/ENTSO-E.

Planifikimi sivjet 1 GWh më pak se në 2020

Në një përgjigje të dhenë nga KOSTT, ditë më parë për lajmi.net dhe të pa publikuar, thuhet se “Konsumi i energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës për vitin 2020 ka qenë 328 GWh, ndërsa për vitin 2021 është parashikuar të jetë 327 GWh. Sipas Bilancit vjetor të energjisë elektrike për vitin 2021 të aprovuar nga ZRrE, humbjet teknike në rrjetin e transmetimit të Kosovës për vitin 2021 planifikohet të jenë 113,53 GWh. Të hyrat për mbulimin e humbjeve teknike në rrjetin e transmetimit sigurohen nga tarifat e miratuara nga ZRRE për operimin e sistemit të transmetimit. Kostoja sillet rreth 5 milion €nëpërputhje me vlerën e aprovuar nga ZRrE në bazë të procesit tarifor”.

KOSTT ka bërë të ditur se që nga themelimi i KOSTT në vitin 2006 me masat që janë ndërmarrë për zhvillimin e rrjetit transmetues, operimin me metodat optimale, si dhe mirëmbajtjen efektive të rrjetit, është ndikuar në rritjen e performancës së Sistemit të Transmetimit të Kosovës.

“Humbjet janë zvogëluar nga 3.28% në vitin 2007 në 1.27% në vitin 2020. Pra këto shifra janë një performancë e lartë e KOSTT dhe benefiti shkon direkt te konsumatorët. KOSTT konsiderohet një ndër OST-të më të avancuara në regjion dhe më gjerë për nivelin e ulët të humbjeve në rrjet. Sipas Bilancit vjetor të energjisë elektrike për vitin 2020 të aprovuar nga ZRrE, humbjet e planifikuara teknike në rrjetin e transmetimit kanë qenë 114,5 GËh, ndërsa janë realizuar 113,3GWh apo për 1,04% më të ulëta se sa ato të planifikuara”.

Përveç 12 milionë eurove në vit për faturat e energjisë, konsumatorët e komunave në veri të Kosovës, kanë borxh edhe mbi 15 milionë euro të tjera për faturat e ujit të shpenzuar që nga viti 1999.

Të mërkurën, më 28 prill, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në Kuvendin e Kosovës ka miratuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje, që autorizon Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës të shfrytëzojë të hyrat vetanake për të mbuluar devijimet e energjisë elektrike në atë pjesë.

Kompania energjetike “Elektrosever D.O.O” që nga dhjetori i vitit 2020, ka dorëzuar kërkesë në zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), për marrjen e licencës për të furnizuar me energji elektrike katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Por, në mungesë të bordit funksional, ky aplikacion nuk mund të procesohet më tutje.

Bordi i ZRRE-së është jofunksional që nga mesi i muajit dhjetor të vitit të kaluar. Përkundër që bordi aktualisht ka dy anëtarë, ata sipas ligjit, e kanë të pamundur të marrin vendime.

Qeveria e Kosovës tashmë ka shpallur konkurs për kryesues të bordit edhe për dy anëtarë në bordin e ZRRE-së, duke shfuqizuar konkursin e qeverisë së kaluar.

Regjistrimi dhe licencimi i një kompanie serbe është kërkuar në kuadër të dialogut në Bruksel në vitin 2013, ku Kosova dhe Serbia, kanë nënshkruar Marrëveshjen për energjinë. Kjo marrëveshje kishte paraparë krijimin e një kompanie të re, sipas kornizës ligjore të Kosovës, e cila do të furnizojë me energji elektrike konsumatorët në katër komunat veriore, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq).

Kompania “Drustvo Elektrosever D.O.O” në vitin 2018 është regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, me bazë në Komunën e Mitrovicës së Veriut, dhe aktivitet kryesor ka tregtinë e energjisë elektrike. /Lajmi.net/