Rritet në 212 numri i martirëve palestinezë si pasojë e sulmeve izraelite në Rripin e Gazës

rritet-ne-212-numri-i-martireve-palestineze-si-pasoje-e-sulmeve-izraelite-ne-rripin-e-gazes

Sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës nuk u ndalën tërë natën e kaluar dhe vazhdojnë ende gjatë ditës.

Një seri sulmesh ajrore u kryen në disa struktura civile, toka bujqësore dhe një pikë sigurie në pjesë të ndryshme të qytetit.

Avionët luftarakë izraelitë bombarduan një qendër të sigurisë dhe zyrën e të burgosurve palestinezë të liruar në kompleksin qeveritar “Al-Ansar”, në zonën perëndimore të Gazës.

Gjatë këtyre sulmeve ajrore, Izraeli goditi po ashtu një shtëpi në lagjen perëndimore “Al-Makwisi” dhe një shtëpi e një apartament në distriktin lindor “Shujaiya” të Rripit të Gazës nën bllokadë.

Të plagosurit nga sulmet u transferuan në spital.

Shpërthimet nga sulmet ajrore izraelite jehuan edhe nëpër errësirën e para-agimit në Gazë duke ngjyrosur qiellin e natës me flakë portokalli.

Raketat e lëshuara nga avionët luftarakë izraelitë rrafshuan plotësisht edhe objektin 6-katësh “Kahil”, një ndërtesë e rëndësishme në rrugën “Gamal Abdel Nasser” të lagjes “Rimal”, ku ndodheshin bibliotekat dhe qendra arsimore e Universitetit Islam.

Kurse në veri të Gazës, ushtria izraelite goditi një hapësirë bujqësore në një sulm me raketa duke shkaktuar zjarr në zonë.

Që prej 10 majit e këtej, agresioni i Izraelit në Rripin e Gazës ka martirizuar 212 njerëz, mes tyre 61 fëmijë dhe 36 gra, si dhe ka plagosur 1.400 të tjerë.

(TRT)