Rreth 4300 kosovarë janë vaksinuar me AstraZeneca, deri më tani asnjë problem

rreth-4300-kosovare-jane-vaksinuar-me-astrazeneca,-deri-me-tani-asnje-problem

Në qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori” po vazhdon shpërndarja e vaksinës për personelin shëndetësor. Aty aktualisht janë duke u vaksinuar stafi mjekësor i sektorit privat dhe ata të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Nga fillimi i vaksinimit e deri më sot janë vaksinuar rreth 4 mijë e 300 persona, ndërsa vetëm në mesditë në këtë qendër me AstraZeenca janë imunizuar 95 mjekë dhe infermierë.

Koordinatori i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori”, Niman Bardhi deklaroi se ky procesi i imunizimit në Kosovë po vazhdon të shkojë pa ndonjë telashe. Ai thotë se sot do të vendoset se kur do të nisë vaksinimi i të moshuarve.

“Çdo gjë deri më tani ka shkuar si më së miri, pa pasur ndonjë të veçantë që duhet të diskutohet. Aktualisht deri më tash sot janë të vaksinuar 95 persona në qendrën ‘1 Tetori’, por duke mos pasur numrin e gjeneruar nga regjionet dhe që presim në çdo moment të na përcjellin të dhënat e sakta. Por nëse i referohemi numrit total të të vaksinuarve kemi rreth 4300 persona të vaksinuar deri në këto qaste që po flasim….Ne jem duke vazhduar vaksinimin e personelit shëndetësor privat dhe atyre të FSK-së që kanë mbetur dje pa u vaksinuar. Sa i përket çështjes së vaksinimit të të moshuarve prapë ngelet që mbi bazën e rekomandimit që do dal sot do jeni të informuar se si veprohet tutje qoftë me të moshuarit apo profesionistët shëndetësor”, theksoi Bardhi.

Me qëllim që të vaksinohen të gjithë personat e moshuar mbi moshën 80 vjeçe dhe ata me sëmundje kronike, Bardhi tha se do të angazhojnë edhe ekip mobile për vaksinim.

Koordinatori i qendrës së vaksinimit në Prishtinë thekson se nuk janë ballafaquar me fluks për vaksinim, por që kanë kapacitet që brenda ditës t’i imunizojnë deri në 1 mijë persona.

“Ne jemi të përgatitur për të vaksinuar nga 750 e tutje persona dhe me komoditet mund t’i kryejmë deri 1 mijë raste brenda ditës , por siç e keni parë çdo ditë kur keni qenë këtu fluksi nuk ka qenë shumë i madh këtu, prandaj kemi komoditet në këtë pjesë dhe pa asnjë problem do e menaxhojmë”, deklaroi ai.

Meqenëse për vaksinën AstraZeneca tashmë janë ngjallur dilema, Bardhi thotë se ata që janë vaksinuar nuk kanë shpërfaqur asnjë shqetësim.

“Sipas asaj që ne kemi parë gjithmonë tani brenda kësaj salle nuk kemi pasur ndonjë shqetësim apo reagim nga doza e parë dhe marr në tërësi nuk kemi dëgjuar që mund të themi ndonjë rast shumë i veçantë që ka pasur ndonjë shqetësim dhimbje dore apo ndonjë shqetësim tjetër”, tha Bardhi.

The post Rreth 4300 kosovarë janë vaksinuar me AstraZeneca, deri më tani asnjë problem appeared first on Mesazhi.com.