Regaibi – a po bëjmë mirë aq sa mundemi?

regaibi-–-a-po-bejme-mire-aq-sa-mundemi?

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të Cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Salavatet, selami dhe bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin (a.s.), për familjen e tij, për shokët e tij dhe të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër besimtarë!

Allahu i Plotfuqishëm, në Kuran thotë: Medjenit (ia dërguam)– vëllaun e tyre Shuajbin. Ai tha: “O populli im, adhuronie Allahun! Ju s’keni tjetër zot përveç Tij. Mos pakësoni as gjatë matjes me litër as me kandar. Unë po shoh se ju gjendeni në begati të mirë dhe druaj se juve, do t’ju godas dënimi, i një dite që u përfshinë të gjithëve.

– O populli im, plotësoni matjen në litër dhe kandar – me të drejtë dhe mos ua cungoni njerëzve gjërat e tyre! Dhe mos bëni ngatërresa në Tokë!

Atë që ua ka lënë Allahu u është më e mirë, nëse jeni besimtarë; e unë nuk jam ruajtës i juaj.

Ata thanë: “O Shuajb, a mos vallë namazi yt urdhëron që na t’i lëmë ato që i kanë adhuruar të parët tanë ose që të bëjmë me pasurinë tonë çka të duam. Me të vërtetë, sa i butë dhe i drejtë që je ti! (thanë ata në formë ironike)”.

(Shuajbi) tha: “O populli im, ç’mendoni ju nëse unë jam në dokumentin e qartë të Zotit tim dhe, Ai, më ka furnizuar nga Vetja me ushqim të mirë. E, unë nuk dëshiroj të punoj atë çka ua ndaloj juve. Unë dëshiroj vetëm të përmirësojë atë çka mundem. E, suksesi im varet vetëm nga Allahu. Tek Ai mbështetem dhe Atij i drejtohem.” (Hud, 84-88)

Pejgamberët janë model për njerëzit. Ja këtu, shembulli i Shuaibit(a.s.),na shtyn të mendojmë dhe na udhëzon në rrugën drejt suksesit të sigurt.

Ai së pari thotë: “Unë e di kush është Zoti im”, pastaj, ai thotë, “Unë nuk dëshiroj të punoj atë çka ua ndaloj juve”, dhe pastaj përfundon, “Unë dëshiroj vetëm të përmirësojë atë çka mundem. E, suksesi im varet vetëm nga Allahu.”

Muaji Rexheb tashmë ka filluar. Nata e tij e parë në prag të së premtes, e cila ishte mbrëmë, është Nata e dëshirave – Lejletur-Regaib.

Shkalla e parë ose hapi i parë në rrugën drejt realizimit të dëshirave të njeriut është feja, besimi në Allahun, vetëdija për ekzistencën e Krijuesit. Të gjithë njerëzve në tokë ju ka ardhë një kërkesë e tillë, sepse pa të, pa besim, nuk është e mundur të arrihet lumturia në të dy botët. Ti mund të jesh kushdo qoftë, madje mund të jesh edhe xhaxhai i Pejgamberit Ebu Talibi, por nëse nuk e di kush është Zoti yt i vërtetë, do të shkosh në xhehenem.

Dëshira e njeriut është që të ketë sukses në jetesën e ekuilibruar në këtë botë. Njohja e Zotit dhe pranimi i urdhrave dhe ndalimeve të Tij, ia mundëson njeriut përmbushjen e kësaj  dëshire. Kjo botë na është dhënë neve, nuk i jemi dhënë ne kësaj bote. Kur Shuajbi(a.s.) thotë se ai e di kush është Zoti i tij, ai atëherë na mëson se Zoti im, është edhe Zoti i të gjithëve, dhe se vetëm Ai jep, kurse besimtarit i jep gjithçka me bollëk, sepse besimtari e di se çka është vlera e vërtetë. Vlera e vërtetë është ajo nga e cila përfitojmë gjithmonë, ajo është vepra e mirë, ajo është falënderimi ndaj Krijuesit dhe Dhuruesit, ajo është shprehja e bindjes përfundimtare ndaj Krijuesit dhe Dhuruesit.

Shuajbi (a.s.), e paralajmëroi popullin e tij. Ai u tha atyre se ata po jetojnë në bollëk,ndërsa po e harrojnë Zotin, andaju tha se, ka frikë se ju vjen atyre ndëshkimi dhe do të shkatërrohen.

Edhe ne po jetojmë në bollëkun e begative të Zotit. Këto begati janë aq shumë sa që askush nuk është në gjendje t’i numërojë. Të vetëdijshëm për këto begati të pafund, dhe të paralajmëruar me natën e mbrëmshme të dëshirave, për t’i përmbushur dëshirat tona, dhe për të jetuar të lumtur në të dy botët, ne duhet të jemi të vetëdijshëm për Zotin, duhet ta falënderojmë Atë, dhe,nëse sinqerisht ia shprehim falënderimin tonë, atëherë Ai do të na japë edhe më shumë.

Njeriu ka shumë dëshira. Prindi ka dëshirë që fëmijët e tij t’i nxjerr në selamet dhe ata të jenë më të mirë se ne.

Edhe kjo dëshirë mund të përmbushet. Ja, Shuajbi (a.s.), na e tregon rrugën dhe mënyrën. Ai thotë:“Unë nuk dëshiroj të punoj atë çka ua ndaloj juve.” Edukimi është i pamundur nëse fjalët e edukatorit nuk përputhen me veprat e tij. Shembulli personal është fjalimi më i mirë dhe këshilla më e bukur që mund ta japim. Shejh Sa’di Shirazi, duke na këshilluar thotë: “Një qiri nuk do ta humbasë dritën e tij nëse e ndez edhe një qiri tjetër.”

Nuk mund të edukosh duke kërkuar, duke urdhëruar atë që nuk e bën vetë, dhe nuk do të kesh sukses që ta edukosh askënd duke e ndaluar atë që vetë e bën. Unë e di se të gjithë ne ju dëshirojmë fëmijëve tanë më të mirën. Atëherë, për ta arritur atë më të mirën, ne duhet ta bëjmë atë që do t’i bëjë ata më të mirët, si dhe të largohemi nga ajo që do t’i çojë ata në shkatërrim. Le ta ndalojmë pirjen e alkoolit, sepse prej të tjerëve mund të kërkojmë vetëm atë që bëjmë vetë. Le ta lëmë pirjen e duhanit, sepse nga të tjerët mund të presim atë që e bëjmë vetë.Mos u bëj përtac, sepse ti dëshiron që fëmijët e tu, djemtë dhe vajzat tua të jenë të suksesshëm, dhe si do ta bësh këtë, nëse vazhdimisht ju sjell atyre fletë nga bastorja, tiketa lotarie dhe vazhdimisht ju jep shpresa të rreme. Fëmijët në shtëpitë e tyre duhet të kenë një shembull për ta ndjekur, të kenë nga kush ta mësojnë namazin dhe obligimet tjera fetare. Le të bëhemi ne shembull i gjallë për ta, që të na ndjekin.

Njeriu nuk është vetëm trup, ai nuk është krijuar që t’i japë fund ekzistencës së tij me këtë botë. As dëshirat e tij nuk janë vetëm për këtë botë. Ademi (a.s.), njeriu i parë, jetoi në xhenet. Ai prej tij është nxjerrë, por më pas i është mundësuar të kthehet përsëri atje, nëse lirisht e zgjedh rrugën e duhur, dhe kështu çdo njeriu i është mundësuar të përmbushë dëshirën për kënaqësi të përjetshme. Atë rrugë të drejtë, e cila çon në atë kënaqësi, e cila çon në xhenet, na e tregon Shuajbi (a.s.), kur thotë: “Unë dëshiroj vetëm të përmirësojë atë çka mundem. E, suksesi im varet vetëm nga Allahu.”Njeriu është i detyruar të bëjë atë që mundet, kurse për atë që nuk mund ta bëjë, ai nuk është i detyruar.

Xheneti është dëshira ime. A do të më realizohet dëshira ime? Po, do të më realizohet, nëse bëj mirë aq sa mundem. Tash e pyes veten, a mund të falem? Çka po më pengon që të falem? A mund të agjëroj? Çka po më pengon që të agjëroj? A mundem, nëse jam i detyruar të jap sadakë? Çka më pengon që ta bëj këtë? Jam i pasur dhe i shëndoshë, mund të shkoj në haxhillëk. Çka më pengon që ta marr rrugën dhe të shkoj për vizitë dhe të bëhem musafir i Allahut dhe Pejgamberit të Tij?

Çka më pengon që unë të jem i sinqertë, të jem i besueshëm (konfidencial), të jem i vyeshëm, të jem i dobishëm për shoqërinë…? Imagjinoni që të gjithë të bëjmë mirë aq sa mundemi, dhe prej nesh po kërkohet vetëm kaq, jo më shumë.

Allahu i Plotfuqishëm thotë:“Pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm provë për ju, e te Allahu shpërblimi është i madh;andaj druajuni Allahut sa të mundeni, dhe dëgjoni, dhe përuluni dhe shpenzoni (prej pasurisë suaj) për të mirën tuaj.” (et-Tegabun, 15-16)

Allahu i Plotfuqishëm nga ne kërkon që të bëjmë mirë aq sa të mundemi, kurse pjesën tjetër Ai do të na japë nga bollëku i Tij. Ja pra, a mund të jemi të sinqertë? A ka ndonjë mënyrë për të qenë të pakorruptuar? A mund të jemi të përgjegjshëm? A mund t’i dalim në ndihmë njëri-tjetrit? A mundemi….?

E gjithë kjo, dhe shumë më tepër ne mundemi, prandaj le ta dimë se dëshira jonë për të jetuar më mirë dhe më të lumtur, këtu (në këtë botë)dhe në kënaqësinë e përjetshme atje (në botën e ardhshme), nuk do të përmbushet derisa nuk bëjmë gjithçka që mundemi.

O Allahu i Plotfuqishëm, na ndihmo ta kuptojmë se çka kërkon (Ti) nga ne? Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić;

Përshati: Miftar Ajdini

(Islampress)