Ramazani na jep mundësi për ti hapur tri porta

ramazani-na-jep-mundesi-per-ti-hapur-tri-porta

Allahu i Plotfuqishëm, si Krijuesi ynë, zgjedh kë të dojë nga krijesat. Allahu i Lartësuar i ka krijuar, dhe prej tyre i ka zgjedhur pejgamberët: “Dhe, Zoti yt krijon ç’të dojë dhe Ai zgjedh; e, ata (adhuruesit e idhujve), nuk mund të zgjedhin. Qoftë i falënderuar Allahu dhe larg nga ato që i përshkruhen Atij për shok!” (el-Kasas, 68)

“Allahu e zgjodhi Ademin, Nuhun dhe familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit në mesin e popujve; pasardhës njëri pas tjetrit. Allahu është dëgjues dhe di çdo gjë.”(Alu Imran, 33-34)

Allahu i Plotfuqishëm, e ka zgjedhur muajin ramazan, kurse në të është nata e zgjedhur e Kadrit: “Na kemi filluar ta shpallim (Kuranin) në natën e Kadrit –e kush të tregon ty se ç’është nata e Kadrit?Nata e kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj.” (el-Kadr, 1-3)

Allahu i Lartësuar, e ka zgjedhur ramazanin në të cilin është shpallur Kurani si lajmërim i agimit për racën njerëzore, dhe në të cilin ndodhën ndryshime të mëdha, jo vetëm në botën e dukshme por edhe në atë të padukshme. Në një hadith, Pejgamberi (savs), u thotë sahabëve të tij duke treguar vlerën e muajit të bekuar të ramazanit: “Ju ka ardhur ramazani, muaji i bekuar. Allahu jua ka caktuar që ta agjëroni. Në të hapen dyert e xhenetit, kurse mbyllen dyert e xhehenemit dhe shejtanët lidhen me zinxhirë. Në të është një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Kushdo që privohet nga begatitë e saj, me të vërtetë, ai është privuar nga një gjë e madhe.”(En-Nasai, Ahmedi – hadithi është sahih)

Begatitë e ramazanit ne i ndiejmë gjatë gjithë vitit. Dijetari i famshëm Islamik Imam Sirhindi thotë: “Ramazani është muaji i Kuranit dhe Kurani është shpallur në të. Ramazani ka mbledhur në vetvete çdo të mirë dhe bereqetin,dhe të mirat që ju vijnë njerëzve gjatë gjithë vitit janë vetëm pika nga deti i ramazanit. Kush bën vepra të mira në ramazan, ai do të shoqërohet me udhëzime drejt veprave të mira gjatë gjithë vitit, ndërsa kush e kalon këtë muaj në përtaci dhe mëkate, ashtu do t’i kalojë i gjithë viti.”

Në vazhdim do t’i hedhim një vështrim kalimthi ajeteve kuranore që flasin për agjërimin, dhe mbi bazën e të cilave mund të shohim mesazhet e agjërimit.

“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ka qenë urdhëruar atyre para juve, kështu që të bëheni të devotshëm.

(jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompenzim, ushqim (ditor), i një të varfëri ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aqë më mirë për te. Mirëpo, agjërimi është më i mirë për ju,po që se dini.

(ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramazanit që në të (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështërsim për ju. (të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se u udhëzoi dhe që të falenderoni.

E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.” (el-Bekare, 183-186)

Ajeti i parë(el-Bekare, 183), i cili flet për agjërimin na tregon se urtësia e agjërimit është arritja e devotshmërisë, ajeti i dytë tërheq vëmendjen te dituria, i treti te falënderimi dhe i katërti te udhëzimi. Prandaj, disa dijetarë thonë se qëllimi i agjërimit është t’i arrijë këto katër gjëra: devotshmërinë (takva), diturinë (ilm), falënderimin (shukr) dhe udhëzimin (rushd).

Aliu (r.a.), agjërimin e ka përkufizuar me një përkufizim të shkurtër, që secili prej nesh duhet ta dijë përmendësh:“Devotshmëria është frika nga Allahu, ndjekja e Shpalljes, kënaqësia me pak në dynja dhe përgatitja për të shkuar në ahiret.”

Ajetet kuranore mbi agjërimin përmbajnë rekomandime për edukimin e individit dhe të mbarë shoqërisë. Musliman nuk e jeton jetën e tij pa qëllim, por me një qëllim të përcaktuar saktësisht. Qëndrimi ynë ndaj gjithçkaje shënohet me besim dhe bindje. Kështu që kur bëhet fjalë për ibadetin, ne e dimë se cili është qëllimi ynë final: Kënaqësia e Allahut, tërheqja nga ushqimi sjell përfitime. Por,sa njerëz sot kurohen me agjërim, edhe pse veprimi i tij është i provuar nga ana mjekësore? Me ardhjen e muajit ramazan, miliona muslimanë së bashku kanë agjëruar në emër të Allahut. Ky agjërim na ka sjellë jo vetëm përfitime të kësaj bote, por edhe të botës tjetër.

Pilula e agjërimit shëron njëkohësisht edhe shpirtin edhe trupin dhe mendjen. Agjëruesi heq dorë edhe nga ushqimi dhe pija e lejuar për hir të Allahut, dhe kështu njeriu mëson t’i kontrollojë dëshirat. Duke agjëruar, njeriu mësohet t’i përdorë begatitë e Allahut, dhe jo ato ta përdorin atë.

Ju tërheq vëmendjen për faktin se Islami lehtësimin e ka bërë themel:“Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështërsim për ju…”(el-Bekare, 185) Gjendja jonë do të përmirësohet me lehtësim dhe butësi,jo me ashpërsi dhe vrazhdësi.

Ibadeti në Islam reduktohet në edukimin e zemrës dhe shpirtit, dhe jo në urinë e thjeshtë të trupit. Islami thërret në rabbanijje–(besim të vërtetë) dhe e refuzon rahbanijje–(asketizmin). Islami bën thirrje për shfrytëzimin e të mirave të kësaj bote, por edhe për vetëdije ndaj ahiretit:

“Dhe me atë që të ka dhënë Allahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos le mangët atë që të takon nga kjo botë, dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë Allahu ty, e mos bën të këqija në tokë, se Allahu nuk i do çrregulluesit.” (el-Kasas, 77)

Islami është feja rregullimit (islah), dhe që përfshin rregullimin e marrëdhënieve njerëzore. Ramazani është mundësi për rregullimin e marrëdhënieve njerëzore, për rregullimin e situatën midis bashkëshortëve, për rregullimin e situatës midis besimtarëve. Pajtimi i dy palëve në grindje largon urrejtjen nga gjoksi, çon në unitet dhe eliminon ndarjet mes tyre. Pajtimi është burim sigurie, stabiliteti, dashurie dhe paqeje, si dhe provë e vëllazërisë së vërtetë të besimit. Allahu i Lartësuar thotë: “S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj…” (el-Huxhurat, 10)

Pejgamberi (savs), shpjegon se një nga veprat më të mira është pikërisht pajtimi i njerëzve. “A doni që t’ju informoj për diçka që është më të vlefshme sesa shkalla e namazit, agjërimit dhe sadakës?”, i kishte pyetur Pejgamberi (savs)sahabet. “Sigurisht që duam, o i Dërguari i Allahut!”,thanë ata. “Pajtimi i njerëzve, sepse në të vërtetë grindja me njerëzit është një diçka që i anulon veprat.” (Ebu Davudi, hadithi është sahih)

Ne po jetojmë në një kohë kur ka përçarje dhe keqkuptime të mëdha midis muslimanëve, ne po jetojmë në kohë trazirash të mëdha, kur rregullimi i raporteve të ndërsjella midis myslimanëve imponohet si domosdoshmëri. Islami na mëson se vëllazëria është themeli i besimit, dhe nëse nuk kemi vëllazëri duhet të pyesim veten se cili është besimi ynë.

Ramazani na jep mundësi për ti hapur tri porta:

1. Portat e zemrës – Ne mund t’i hapim duke bërë vepra të mira: me lexim të Kuranit, me agjërim, me sadakë, me zekat, me namaz nate, me lutje sepse lutja e agjëruesit nuk refuzohet.

2. Portat e qiellit– Ne mund t’i hapim me lutjet që i bëjmë gjatë rrugës, në të tretën e fundit të natës, midis ezanit dhe ikametit, lutja e atij që i është bërë padrejtësi.

3. Portat e xhenetit.

Autor: Abdusamed Bušatlić

Përkthim: Miftar Ajdini