Qytetarët e Kamenicës në hall nga mushkonjat (Video)

Qytetarët e Komunës së Kamenicës thonë se janë në hall nga mushkonjat, madje pati raste ku u detyruan të kërkojnë edhe ndihmë mjekësore për shkak të tyre.

Nga Komuna u tha se edhe nëse bëhet dezinsektimi do të bëhet vetëm në zonat më të ndjeshme nga mushkonjat duke pasur parasysh buxhetin e vogël.

Milot Kamberi nga Komuna e Kamenicës thotë se është detyruar ta dërgoj djalin e tij për të marrë trajtim mjekësor për shkak të mushkonjave.

“Vet kam pasur rastin para disa ditëve kur gjatë një shëtitje me djalin, e kanë pickuar mushkonjat dhe jam detyruar ta dërgojë për trajtim në qendrën e mjekësisë familjare për t’i dhënë ndihmë mjekësore”, thotë për RTV Dukagjinin, qytetari Milot Kamberi.

Kamberi nuk është i vetmi që ka shqetësim mushkonjat.

“Kur po ndezim dritat natën, mushkonjat po futen brenda në shtëpi. Vapa është e madhe dhe kur po i lëmë dritaret hapur ato po futen brenda”, tha qytetari Ismet Sylaj, përcjell Telegrafi.

Edhe nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Kamenicë pranojnë se ka raste që së fundmi kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të mushkonjave, mirëpo nuk mund të konsiderohet tragjike sipas Kryeshefit të kësaj qendre.

“Kemi pasur raste që janë paraqitur pacientë për shkak të pickimit të mushkonjave. Nuk ka qenë ndonjë alarm i veçantë për dallim nga vitet tjera. Sigurisht simptoma kanë pasur dhe ne u kemi dhënë terapi për të minimizuar këtë efekt”, tha Ferid Beqiraj, kryeshef në QKMF.

Ndërsa kryetari i kësaj Komune Qëndron Kastrati i telefonuar në emisionin Zyra e Ankesave në RTV Dukagjini lidhur me këtë çështje tha se edhe nëse bëhet dezinsektimi do të bëhet vetëm në zonat më të ndjeshme nga mushkonjat duke pasur parasysh buxhetin e vogël.

“Jemi duke shikuar mundësinë në raport me gjendjen që e kemi. Duhet ta kemi parasysh se në raport me gjithë territorin që ka Komuna e Kamenicës nuk kemi mundësi, por do të shqyrtojmë mundësitë për disa nga zonat më të ndjeshme”, tha Qëndron Kastrati.

Në Kamenicë nuk është bërë asnjëherë dezinsektimi, ndërsa qytetarët e kësaj komune patën ankesa edhe për reduktimin e ujit të pijes gjatë orëve të pasdites./Telegrafi/