PZAP-ja lë jashtë listave kandidatët që kanë probleme me ligjin

pzap-ja-le-jashte-listave-kandidatet-qe-kane-probleme-me-ligjin

Siç kërkoi edhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vendosur pjesërisht pro ankesave të partive politike për certifikim të listës së kandidatëve për deputetë. PZAP-ja ka vendosur që të certifikohen vetëm kandidatët që i plotësojnë kushtet ligjore.

Mbeten jashtë listave të dënuarit me aktgjykim final në tri vitet e fundit. Në këtë listë përfshihet edhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti. Te VV-ja pos tij, kandidimi i është ndaluar edhe katër kandidatëve të tjerë. Vendimi thekson se Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi nuk mund të zëvendësohen me kandidatë të tjerë.

Partitë që duan të ankohen ndaj këtij vendimi kanë 24 orë afat për t’u ankuar në Gjykatën Supreme. Supremja do të ketë tre ditë afat për vendim.

Procesi i certifikimit mbyllet më 31 janar.

Njoftim
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP-i), përmes këtij njoftimi informon të gjitha mediat e Republikës së Kosovës e me gjerë dhe përmes tyre publikun se, PZAP-i brenda afatit ligjorë prej 72 orëve ka shqyrtuar dhe vendosur për të gjitha apelet e paraqitura nga subjektet politike kundër vendimit të KQZ-së, për mos certifikim të subjekteve politike dhe kandidateve.
Siç jeni të informuar me kohë, subjektet politike të cilat kanë paraqitur apele në PZAP kundër vendimit të KQZ-së për mos certifikim të subjekteve politike dhe kandidateve janë si në vijim:
1. Partia Demokratike e Ashkalive të Kosovës (PDAK), për shkak të mos certifikimit të Listës së kandidatëve për deputet nga KQZ-ja, për pjesëmarrje në zgjedhje. Lidhur me këtë apel ju lutëm referojuni Vendimit të PZAP-it, Anr. 04/2021 i datës 26.01.2021 i publikuar në Faqen zyrtare të PZAP-it.
2. Partia e Ashkalive për Integrim (PAI), ka paraqitur 3 (tre) apele, 1 (një) në emër të subjektit politik për shkak të mos certifikimit të Listës së kandidatëve për deputet dhe 2 (dy) apele në emër të dy kandidatit për shkak të mos certifikimit të tyre në Listën e kandidatëve për deputet nga KQZ-ja për pjesëmarrje në zgjedhje. Lidhur me këto 3 (tri) apele ju lutëm referojuni Vendimeve të PZAP-it, Anr. 05/2021 të datës 26.01.2021, Anr. 06/2021 i datës 26.01.2021 Anr. 07/2021 të datës 26.01.2021 të publikuar në Faqen zyrtare të PZAP-it.
3. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), për shkak të mos certifikimit të 1 (një) kandidati për deputet nga KQZ-ja për pjesëmarrje në zgjedhje. Lidhur me këtë apel ju lutëm referojuni Vendimit të PZAP-it, Anr. 08/2021 i datës 26.01.2021 i publikuar në Faqen zyrtare të PZAP-it.
4. Socialdemokratska Unija (SDU), për shkak të ndodhjes së 1 (një) kandidati shqiptar në Listën e kandidateve për deputet të këtij subjektit politik për pjesëmarrje në zgjedhje. Lidhur me këtë apel ju lutëm referojuni Vendimit të PZAP-it, Anr. 14/2021 i datës 26.01.2021 i publikuar në Faqen zyrtare të PZAP-it.
5. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për shkak mos certifikimit të Listës së kandidatëve për deputet nga KQZ-ja për pjesëmarrje në zgjedhje. Lidhur me këtë apel ju lutëm referojuni Vendimit të PZAP-it, Anr. 15/2021 i datës 26.01.2021 i publikuar në Faqen zyrtare të PZAP-it.
6. NISMA Socialdemokrate, për shkak të mos certifikimit të subjektit politik dhe Listës së kandidatëve për deputet nga KQZ-ja për pjesëmarrje në zgjedhje. Lidhur me këtë apel ju lutëm referojuni Vendimit të PZAP-it, Anr. 16/2021 i datës 26.01.2021 i publikuar në Faqen zyrtare të PZAP-it.
7. Lëvizja VETËVENDOSJE! për shkak të mos certifikimit të Listës së kandidatëve për deputet nga KQZ-ja për pjesëmarrje në zgjedhje. Lidhur me këtë apel ju lutëm referojuni Vendimit të PZAP-it, Anr. 17/2021 i datës 26.01.2021 i publikuar në Faqen zyrtare të PZAP-it.
Ndaj këtyre vendimeve të PZAP-it palët mund të parashtrojnë ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës në afate prej 24 orëve nga momenti i pranimit të vendimit të PZAP-it nga pala. Ndërsa Afati për shqyrtimin dhe vendosjen e këtyre ankesave nga Gjykata Supreme e Kosovës është 72 orë nga momenti i dorëzimit të këtyre ankesave nga palët në Gjykatën Supreme të Kosovës.
Vendimet e Gjykatës Supreme të Kosovës janë përfundimtare dhe të zbatueshme për të gjitha palët.
Ju faleminderit për bashkëpunim dhe mirëkuptim.

The post PZAP-ja lë jashtë listave kandidatët që kanë probleme me ligjin appeared first on Mesazhi.com.