Pseudonimet (titujt dhe thirrjet) janë ‘pilula’, të cilat ne i përdorim për ta ushqyer egon tonë

pseudonimet-(titujt-dhe-thirrjet)-jane-‘pilula’,-te-cilat-ne-i-perdorim-per-ta-ushqyer-egon-tone

Dr. Selman el-Avde

Duke folur për pseudonimet që njerëzit i marrin dhe në të cilat thirren, Dr. Ahmed el-Sakr ka thënë: “Pseudonimet janë ‘pilula’, të cilat ne i përdorim për ta ushqyer egon tonë.”

Me një rast i thashë një shokut tim: “O doktor!”, kurse ai mu përgjigj: “Unë nuk jam doktor, unë jam filan filani.”Në fakt, ai kishte ndier se pseudonimet, përkatësisht titujt dhe thirrjet e ndryshme e errësojnë dhe mjegullojnë personalitetin e tij dhe ai dëshironte që të tjerët ta njihnin atë pa ndonjë shtesë në emrin e tij.

Në fillim të karrierës sime shkencore, ia dhashë dorën një njeriu të verbër dhe ai më pyeti: “Kush je ti?” Unë iu përgjigja: “Unë jam filan shejhu!” Fjala, të cilën e dëgjoja vazhdimisht nga njerëzit e afërt, më doli nga gjuha dhe në atë moment ndjeva turp dhe ankth. Sepse, si ju quajnë njerëzit përreth jush është çështje e tyre, edhe nëse për të nuk jeni të denjë, por si mund ta quash veten tënde shejh?

Dua ta përmendi këtu edhe një rast në lidhje me librin (studimin) tim, të cilin gjithashtu e shkrova në fillim të karrierës sime shkencore, me titull: “Fi hivar hadi me’a Muhamed el-Gazali” – Dialog (diskutim) paqësor me Muhamed el-Gazaliun. Në fakt, disa nga miqtë e minë kopertinën e librit para emrit tim e kishin shkruar fjalën ‘shejh’ me shkronja të trasha, ndërsa shejh Muhamed el-Gazaliu – me gjithë moshën, njohuritë dhe virtytet e tij – nuk kishte marrë titull të tillë në kopertinën e librit tim. Megjithatë, shumë njerëz nuk e dinë që unë kopertinën e librit nuk e kisha parë derisa ishte shtypur.

Sipas nevojës, personi mund ta shkruajë dhe ta tregojë titullin e shërbimit dhe të vendit të punës si p.sh. ministri, drejtori ose mbikëqyrësi, sepse kjo e tregon edhe nivelin e përgjegjësisë së tij, por pse të shtohet para emrit: i nderuari, i respektuari, lartmadhëria dhe të ngjashëm? Dhe pse të tjerët t’i konsiderojmë përgjegjës kur e shkelin këtë protokoll të lodhshëm i cili merr kohë, e ngarkon audiencën dhe prish kënaqësinë, veçanërisht nëse përsëritet, ose kalon kufirin, ose pseudonimet dhe komplimentet e tilla u drejtohen atyre që nuk meritojnë?

Ndërkaq, disa insistojnë në pseudonime, tituj dhe thirrje të cilat u janë marrë, sepse nuk i kryejnë më funksionet sipas të cilave u janë dhënë ato pseudonime ose tituj, kështu që e shtojnë formulimin ‘ish’ ose ‘i mëparshëm’, sikur i tilli të flasë për lavdinë e tij të kaluar. Duket se disa tituj pas të cilëve pason shprehja ‘ish’ ose ‘i mëparshëm’, e robërojnë pronarin e tyre në rrethin e së kaluarës, në të cilin është dënuar me jetë. Studentët tanë shpesh ankohen për atë që ata e quajnë ‘absolutizëm akademik’ në universitete, i cili krijon një hendek të thellë dhe të pakapërcyeshëm midis tyre dhe disa profesorëve ose doktorëve të shkencave. Ne shpesh harrojmë se modestia dhe përulësia janë cilësitë më të rëndësishme të një dijetari të vërtetë. Sa më shumë që rritet dituria ime, aq më shumë rritet vetëdija ime për madhësinë e injorancës sime.

Megjithatë, nuk ka asgjë të keqe nëse dikush e thekson titullin e tij shkencor, për sa kohë që ai është i sinqertë dhe për sa kohë që titulli i tij shkencor nuk është i falsifikuar, si dhe për sa kohë që nuk shndërrohet në ekzagjerim dhe përvetësim të së drejtës për një titull të tillë. Por, duhet ditur se vlera e vërtetë nuk është në diplomë dhe në titull shkencor, por në dituri dhe moral, si dhe në njohjen e vlerave dhe përparësive të atyre që ju kanë tejkaluar në dituri.

Pejgamberët e Allahut u kanë folur popujve të tyre dhe i kanë përgëzuar me ardhjen e të dërguarit të fundit të Allahut, Muhamedit (savs),i cili do të vinte pas tyre, dhe ata e pranuan dhe theksuan se ai ishte më i mirë se ata. Njohja e vlerës dhe mirësisë është argument i vlerës dhe mirësisë.

Dhe është më e bukur të shohësh emrin tënd të shkruar në një fjali të plotë (emrin dhe mbiemrin e plotë), pa nevojën e ndonjë shtese dhe plotësimi.

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)