Pse presidentja Vjosa Osmani s’e përmend UÇK-në?

pse-presidentja-vjosa-osmani-s’e-permend-uck-ne?

Ky postim i Osmanit ngjalli reagime të shumta në opinionin publik pasi presidentja e Kosovës nuk e përmendi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për të cilën nuk është hera e parë që është kritikuar, shkruan lajmi.net.

Thyerja e kufirit me Shqipërinë në Koshare nga Brigada 138, nën udhëheqjen e Agim Ramadanit e Sali Çekajt, 22 vjet më…

Posted by Vjosa Osmani on Friday, April 9, 2021

Lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si parti opozitare dhe parti politike të cilat kanë dalë nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi në një prononcim për lajmi.net është shprehur se Osmani nuk beson se lufta e UÇK-së ka qenë përcaktuese për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Bytyçi tha se Osmani njihet për diskursin e saj kundër UÇK-së dhe kundër themeluesve të saj, e sipas tij me theks të veçantë ndaj dy ish-krerëve të UÇK-së dhe ish-liderëve të PDK-së, Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

“Vjosa Osmani nuk beson se lufta e Ushtrisë Çlirimtare ka qenë përcaktuese për lirinë dhe pavarësinë e popullit të Kosovës. Vet znj. Osmani njihet për diskursin e saj kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe themeluesve të saj e sidomos ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit.”, tha Bytyçi për lajmi.net.

Më tutje, Bytyçi tha se djemtë më të mirë të Kosovës që ranë për liri në betejën e Koshares dhe nuk përjetuan lirinë kanë rënë nën flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sipas tij, historia nuk do ta harrojë këtë asnjëherë.

“Në betejën e lavdishme të Koshares kanë luftuar bijtë më të mirë të atdheut, ku shumë prej tyre ranë për lirinë e vendit duke mos përjetuar kurrë fitoren e madhe dhe thyerjen e kufirit që pothuajse për një shekull i kishte ndarë shqiptarët. Këta dëshmorë ranë nën flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe nëse Vjosa Osmani ia mohon këtë detaj të rëndësishëm, vet historia e popullit tonë që është shkruar me gjakun e tyre nuk do ta harrojë këtë asnjëherë.”, tha Bytyçi.

Në anën tjetër, Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është shprehur se nuk është befasi që Osmani nuk e përmend Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pasi ajo nuk e ka përmendur edhe ndër vite.

“Ka kohë që nuk e përmend UÇK-në, kjo për neve nuk është befasi. E kemi një presidente që nuk ia qet goja UÇK-në, por ka marrë mbështetje nga mijëra vota të qytetarëve, tani do të jetojmë me këtë”, tha Berisha.

Më tutje, i pyetur se pse Osmani e mban këtë qëndrim, Berisha tha se këto pyetje duhet t’i drejtohen Osmanit.

“Sepse është asi njeriu apo asi koncepti anti-UÇK, është mirë të flitet me të, ndoshta e ka gjenetike, ndoshta është kundërshtare e UÇK-së, ndoshta mendon se pa luftën e UÇK-së ne do të ishim të lirë, janë pyetje që duhet t’i drejtohen asaj.”, tha më tutje deputeti i AAK-së.

Sa i përket qëndrimeve të AAK-së ndaj këtyre veprimeve të presidentes Osmani, Berisha tha se do të presin 100 ditë edhe për të, pasi e konsiderojnë si produkt të qeverisë Kurti.

Berisha tha se do të presin 100 ditë ani pse sipas tij qeveria Kurti ka dalë menjëherë në shesh me punësime familjare e nepotizëm e deri tek mospërmendja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ne jemi në pushim 100 ditë, që i kemi dhanë qeverisë sepse Vjosa Osmani është prodhim i qeverisë Kurti dhe do të presim 100 ditë e pastaj do t’i japim versionet tona për të gjitha këto të kqija të cilat s’janë pritur 100 ditë, por iu ka dalë menjëherë për 10 ditë edhe nepotizmi edhe tek UÇK-ja edhe për shumë gjëra të tjera, por ne megjithatë do t’i presim 100 ditë.”, tha Berisha.

I ashpër në reagimin ndaj presidentes Osmani ka qenë kryetari i Partisë Socialdemokrate Dardan Molliqaj. Në postimin e tij në Facebook të titulluar “Autonomizmi s’e duron UÇK-në, shikojeni presidenten”, Molliqaj është shprehur se Osmani po e harron me qëllim UÇK-në.

Molliqaj thotë se Osmani po e shmang UÇK-në në çdo rast që i bëhet e mundur dhe po i rikthen problemet e të shkuarës duke injoruar pajtimin tejpartiak për luftën e UÇK-së.

Sipas Molliqajt, për Osmanin më nuk janë pengesë njerëzit e UÇK-së sepse ata janë në Hagë e shumë prej tyre do të shkojnë, por sipas tij Osmanit i pengon historia e UÇK-së.

Kreu i PSD-së nuk është ndalur me kaq. Ai ka shkruar se Osmani e dëmton idenë e lirisë dhe e redukton në ideologji viktimizuese.

“UÇK është provë e vullnetit dhe dijes, prove e subjektit besnik që tejkalon mendësine autonomiste thellë të ngulitur ndër ne. Ndryshe, po e hoqëm UÇK-në, i bie që Kosova u çlirua jo prej vullnetit e ndërgjegjes çlirimtare, por thjesht sepse Millosheviqi e teproi me represion. Kjo është me siguri pasoja, e për bindjen time edhe motivi e qëllimi. Mendja autonomiste ndryshe s’është….”, ka shkruar Molliqaj.

Autonomizmi s’e duron UÇK-në, shikojeni presidenten

Vjosa Osmani nuk është në nivelin e detyrës unifikuese të…

Posted by Dardan Molliqaj on Friday, April 9, 2021

Për betejën e Koshares ka shkruar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku duke thënë se sot kujtohen 113 heronjtë e Kosharës të cilët na e kujtojnë peshën e rëndë të lirisë dhe sakrificën e shtrenjtë të djemve dhe vajzave të UÇK-së.

“Në mëngjesin e 9 prillit të vitit 1999, saktësisht 22 vjet më parë, burrat dhe gratë më të mirë të vendit kishin nisur thyerjen e kufirit shqiptar. Ky akt i tyre trimërie kishte shënuar edhe nisjen e Betejës së Koshares, një ndër përballjet më të lavdishme shqiptare të shekullit të 20-të. Sot, nderojmë gjithë të rënët; falënderojmë gjithë të gjallët. Sot, kujtojmë të 113 heronjtë e Koshares dhe sakrificën e tyre mbi altarin e lirisë. Agimi, Saliu, Abazi, Xhemajli, Aliu me secilin tjetër të rënë, na kujtojnë se sa rëndë peshon liria, se mbi çfarë sakrifice të shtrenjtë të djemve e vajzave të UÇK-së – gjeneratat e sotme e përjetojnë shtetësinë. Jemi krenarë me ta. Jemi përjetësisht falënderues për ta. Mbi të gjitha, jemi në detyrim me ta; që secilën ditë të sotme ta kthejmë në ditë për atdheun tonë të shenjtë.”, ka shkruar Abdixhiku.

Në mëngjesin e 9 prillit të vitit 1999, saktësisht 22 vjet më parë, burrat dhe gratë më të mirë të vendit kishin nisur…

Posted by Lumir Abdixhiku on Friday, April 9, 2021

Lidhur me këtë postim të Osmanit kanë reaguar edhe shumë opinionistë e politikanë në Kosovë, duke e konsideruar si të paprecedentë e përçarëse qasjen e Osmanit karshi UÇK-së. /Lajmi.net/