Pse është e rëndësishme përmendja e Zotit (dhikrull-llahi)?

pse-eshte-e-rendesishme-permendja-e-zotit-(dhikrull-llahi)?

Përmendja e Zotit të madhëruar e bënë njeriun optimist për të ardhmen, ngase njeriu, duke pasur frikë për të ardhmen, e humbë qetësinë e tij. Kur njeriu nuk e ka të sigurt dhe të qartë të ardhmen e vet, ai vuan shumë dhe, madje, nuk ndjen rehati e qetësi as në kushtet e së tashmes. Kur njeriu beson në të ardhmen, ai bëhet optimist dhe i palëkundshëm. Përmendja e Zotit dhe shpresa e takimit një ditë me të, si dhe pritja e shpërblimit, mundësojnë që njeriu te ec me një dritë përpara.

Sipas teksteve fetare, Kur’anit dhe traditës profetike, personi i cili ka konflikt në bindjen, mendimin dhe veprimin e tij, apo ndoshta edhe hipokrizi, ai nuk gëzon shëndet të plotë shpirtëror, emocional dhe bëhet pre depresionit dhe çekuilibrimit karakterial.

Në një hadith kudsi Muhammedi a.s. thotë se All-llahu xh.sh. ka thënë: “Unë jam në mendimin që robi ka për Mua dhe jam me të kur më përmend. Nëse më përmend në veten e tij, Unë e kujtoj atë në Veten Time dhe nëse më përmend në grup, Unë e kujtoj atë në një grup më të mirë se i tyre.” (Buahriu)

Të të ketë All-llahu në konsideratë dhe të jesh plan i Tij është sublim dhe mundësi e madhe. Një gjë e tillë arrihet, pa dyshim, pos tjerash, edhe me përmendjen e All-llahut të Lartë, pra përmes të bërit dhikër gjatë ditë dhe natës, kur jemi zgjuar.

Sa optimist dhe i bukur është ky ajet madhështor i Kur’anit, ku Zoti na drejtohet: “Prandaj, më kujtoni Mua, që Unë t’ju kujtoj dhe falënderomëni Mua e mos i mohoni dhuntitë e Mia.” (El-Bekare, 152).

Po ashtu, me siguri të plotë, All-llahu xh.sh. thotë: “Vërtetë, zemrat qetësohet me përmendjen e All-llahut.” (Err-Rrad, 28).

Që ta arrijmë këtë, le të themi shpesh e sa më shumë: 1. La ilahe il-lallah; 2. Ja hajju ja kajjum; 3. Subhanallah; 4. Elhamdulilah; 5. All-llahu ekber; 6. Estagfirullah; 7. La haule dhe la kuvvete il-lah bil-lah; 8. All-llahumme sal-li ala Muhammedin ve ala ali Muhammed; etj.

Shkruan: hfz. Mehas Alija

(Islampress.ch)