Petku i devotshmërisë

petku-i-devotshmerise

(Refleksione ramazani / 08)

“O bijtë e Ademit, Ne krijuam për ju petk që ju mbulon vendturpësinë dhe petk zbukurues. Po petku i devotshmërisë është më i miri. Këto janë nga argumentet e All-llahut, ashtu që ata të përkujtojnë.” (El-A’raf).

Në përkthimin e këtij ajeti, Muhammed Assad, tregon se Allahu na “zbret” njohuri për të bërë rroba në mënyrë që të mbulojmë pjesën tonë të turpshme. Nevoja jonë për veshje lind me ndjenjën e parë të fajit, qysh kur u bë mëkati i parë.

Pejgamberi a.s. na ka njoftuar se All-llahu xh.sh. nuk shikon në pamjen e jashtme, në konstruktet dhe figurat, porse në zemrat dhe veprat tona. All-llahu i sheh dhe i lexon zemrat tona dhe e di fort mirë se për kë rrahin ato. Kush ndërton një ekuilibër të anës së jashtme, të mirësjelljes dhe moralit dhe të anës së brendshme, duke u mbuluar me vetëdijen mbi Zotin, ai ka veshur petkun e devotshmërisë, që për synim të parë ka edhe vetë agjërimi.

Devotshmëria, sjellja konform saj, si dhe super-vetëdija për praninë e Zotit, janë relikte dhe gjëra që muslimanët duhet t’i kthejnë në jetën dhe veprimtarinë e tyre. O sot o kurrë kemi nevojë për më shumë vetëdije mbi Zotin dhe për përkthimin e kësaj vetëdije në sendërtimin e një kulture të mirëfilltë dhe humane në raportet tona me njëri-tjetrin.

Devotshmëria na duhet, sepse All-llahu e shikon devotshmërinë tonë.

Përgatiti: Hfz. Mehas Alija

(Islampress)