Përmbyllet procesi i vlerësimit të pakove nga jashtë, refuzohen mbi 20 mijë zarfe

permbyllet-procesi-i-vleresimit-te-pakove-nga-jashte,-refuzohen-mbi-20-mije-zarfe

Shërbimi votues i KQZ-së të premten në mesnatë ka përmbyllur procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime. Nga rezultatet preliminare janë aprovuar rreth 53 mijë e 600 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar rreth 20 mijë e 400 zarfe.

Kështu ka njoftuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi i cili ka shtuar se aktualisht në QNR është duke u bërë rinumërimi i vendvotimeve për të cilat ka marrë vendim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Deri më tani janë rinumëruar rreth 88% apo 487 vendvotime nga 552 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Po punohet maksimalisht që deri në përfundim të ditës së sotme të përmbyllim procesin e rinumërimit”, ka njoftuar ai.

Ai po ashtu në konferencë për media ka njoftuar se të premten në mesnatë është përmbyllur vlerësimi i mbi 43 mijë pakove të supozuara me fletëvotime.

“Sipas të dhënave preliminare, janë aprovuar rreth 53 mijë e 600 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar rreth 20 mijë e 400 zarfe. Këto janë vetëm të dhëna preliminare, sepse shërbimi votues është duke rishikuar bazën e të dhënave nga ku do të kemi të shifra e sakta dhe përfundimtare të numrit të fletëvotime nga jashtë vendit të cilat do të numërohen këtu në QNR”, ka shtuar ai.

Zëdhënësi i KQZ-së ka njoftuar se janë duke punuar  që nesër gjatë ditës të fillojnë me numërimin e rreth 31 mijë e 500 votave me kusht dhe rreth 2 mijë e 800 votave të personave me nevoja të veçanta dhe numërimin e votave të cilat kanë ardhur përmes postës.

The post Përmbyllet procesi i vlerësimit të pakove nga jashtë, refuzohen mbi 20 mijë zarfe appeared first on Mesazhi.com.