Përkujtues për gjysmën e ramazanit

perkujtues-per-gjysmen-e-ramazanit

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin (a.s.), për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër besimtarë!

Tema e hutbes së sotme është: “Përkujtues për gjysmën e ramazanit”

Ky është një përkujtues i shkurtër për ta kontrolluar veten, nëse jemi në rrugën e duhur për ramazan të suksesshëm apo jo.

• Le ta rishikojmë nijetin tonë. Pse po agjërojmë? A e bëjmë nijet për agjërim çdo ditë? A jemi duke agjëruar për hir të kënaqësisë së Allahut, dhe duke ndjekur Sunetin e Pejgamberit (savs)? Kjo do të duhej të ishte arsyeja dhe motivimi ynë kryesor.

• Le ta kontrollojmë marrjen e ushqimit dhe pijeve në trupin tonë. Duhet të jemi shumë të disiplinuar kur bëhet fjalë për ushqimin. Ushqimi i tepërt do na e bën të vështirë kryerjen e ibadeteve si teravinë dhe namazin e natës. Do të na bëjë të flemë, dhe do të na i bëjë të vështira bazat e aftësive dalluese të arsyeshme. Mos ta teprojmë në asgjë, sidomos në ushqim! Nëse gjatë këtij ramazani kemi ngrënë tepër,le të ndalohemi! Kemi ende kohë deri në fund të ramazanit që të përmirësohemi, në dashtë Allahu.

• Le t’i monitorojmë ibadetet tona, le ta bëjmë një plan që të mund ta lexojmë hatmen e Kuranit deri në fund të ramazanit, nëse kemi hequr dorë, ose nëse jemi vonuar me lexim. Mos t’i lëmë të gjitha për fund, ose për 10 ditët e fundit të ramazanit. Ndoshta disa prej nesh as nuk do ta përjetojmë fundin e ramazanit! Atë që mund ta bëjmë sot, mos ta lëmë për nesër. Le t’i mbledhim veprat tona të mira, dhe mos të harrojmë se ato shumëfishohen në ramazan!

• Ky është muaji i Kuranit. Mos të lejojmë që të na kalojë ramazani pa e lexuar të paktën një hatme të Kuranit,si dhe mos të na kalojë pa e lexuar përkthimin ose tefsirin e Kuranit, për ta kuptuar për vete, pastaj për të medituar dhe për ta aplikuar në jetë. Sado që të lexojmë, aq sevap do të kemi, me vullnetin e Allahut!

• Le t’i shmangim shpërqendrimet dhe pengesat; të largohemi (aq sa të jetë e mundur), nga TV, nga kompjuteri, nga telefoni celular, nga Facebooku, nga Twitteri, nga You Tube. Për ato gjëra i kemi 11 muajt tjerë të vitit. Mos ta humbim këtë mundësi të artë, për ta fituar faljen e Allahut për mëkatet tona! Ky është muaj i pastrimit, prandaj, që mos t’i lejojmë nefsit tonë që ta merr kontrollin e jetës sonë. Mos të tregohemi naiv.

• Le ta bëjmë ramazanin trampolinë për pjesën tjetër të vitit. Le të miratojmë zakone të reja, t’i heqim qafe zakonet e vjetra dhe të këqija. Le t’i ndryshojmë në vetvete gjërat që nuk na pëlqejnë, ose që përpiqemi t’i eliminojmë. Le të bëjmë shumë përpjekje, pastaj t’i lutemi Allahut që të na ndihmojë në këtë, sepse Allahu ka dëshirë, që ne t’i lutemi për ndihmë, në rrugën e përmirësimit kah e mira për hir të kënaqësisë së Tij.

Vëllezër besimtarë!

• Le t’i shmangim fjalët e këqija, sharjet, thashethemet, etj. Le t’i shmangim njerëzit dhe vendet ku na pret diçka e tillë. Mos të flasim pa nevojë, dhe mos ta humbim kohën e çmuar, të cilën mund ta kalojmë në dhikër dhe ibadet. Le ta ruajmë gjuhën dhe veprat tona.

• Le të japim sa më shumë sadakë. Ky është muaji kur shumë ia vlen që të jemi bujar. Ky është një investim, fitimi dhe profiti i të cilit do të paguhet në jetën e përtejme. Mos të tregohemi koprrac ndaj vetvetes, sepse gjithçka që ne ua ndajmë të tjerëve, atë do ta gjejmë në peshoren tonë në jetën e Gjykimit. Kjo është një mundësi unike!

• Le të kënaqemi në mëshirën dhe begatitë e Allahut. Le të buzëqeshim, sepse kjo është nga Suneti. Le të kënaqemi me familjet tona, me të afërmit tonë, me miqtë tonë dhe me xhematin tonë! Le ta shfrytëzojmë edhe këtë begati, për fitimin e veprave të mira. Le të bëhemi të dobishëm për familjet tona dhe për muslimanët e tjerë.

• Le ta shfrytëzojmë begatinë e lutjes! Begatinë e namazit të natës, të sexhdes, të kohës para-iftarit. Në lutjet tona, le t’i përkujtojmë të gjithë të pikëlluarit dhe fatkëqijtë, të sëmurët, të uriturit dhe të eturit, jetimët dhe ata që janë të shtypur. Mos të tregohemi koprrac në lutjet tona për umetin dhe për muslimanët e tjerë, sepse, mos të harrojmë se, lutja për të munguarin nuk refuzohet, kurse në secilën prej lutjeve tona për tjetrin, melekët bëjnë amin dhe lutjen për ne.

/Ebu Ibrahim Husnayn/

O Zoti ynë, të lutemi na bëj nga ata që e presin dhe e përcjellin muajin ramazan.

O Zoti ynë, na bëj prej atyre që e agjërojnë muajin ramazan.

O Zoti ynë, le të jetë ky ramazan pikë kthese për të mirë në marrëdhëniet tona, në veprat tona dhe në jetën tonë.

O Zot, na ndihmo ta ruajmë dritën e Islamit, këtu në atdheun tonë të bukur!

Ndihmoji dhe mbroji të gjithë njerëzit e rrezikuar dhe pa të drejta, kudo qofshin ata!

Kurthet e armiqve tanë ktheji mbi kokat e tyre!

O Zot, na i mëshiro prindërit dhe paraardhësit tanë të vdekur, të cilët na e sollën dritën e Islamit!

Na i udhëzo dhe forco fëmijët dhe pasardhësit tanë, dhe bëri prijës të umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut tonë!

O Zot, na mëshiro neve në Ditën e Gjykimit, dhe na ndero në xhenet me shoqëri të pejgamberëve, të sinqertëve, të shehidëve dhe të njerëzve të mirë! Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)