Përfundimi i numërimit, Abdixhiku: Fitues jemi të gjithë, për maturinë demokratike e organizim të rezultateve

perfundimi-i-numerimit,-abdixhiku:-fitues-jemi-te-gjithe,-per-maturine-demokratike-e-organizim-te-rezultateve

Ai ka thënë se fitues të zgjedhjeve janë të gjithë për maturinë demokratike të treguar, organizim dhe pranim të rezultateve, shkruan lajmi.net.

Abdixhiku ka uruar të gjithë kandidatët e partive politike për fushatën dhe fituesit e deritanishëm.

I pari i LDK-së thotë se po punohet për raundin e ri të zgjedhjeve dhe besimi i qytetarëve do të trajtohet me kujdes.

Ky është reagimi i plotë i tij:

Procesi zgjedhor përfundoj, e po përfundon edhe numërimi zyrtar i votave të fundit të rregullta e me kusht padallim.
Si vend treguam maturi demokratike, në votim, organizim e pranim të rezultateve. Një standard që e marrim si të qenë por që në thelb është vlerë. Fitues, për këtë, jemi të gjithë.
I uroj të gjithë kandidatët e të gjitha partive për fushatën e bërë; në veçanti i uroj të gjithë fituesit e deritanishëm – me shpresë shumë se do të shërbejnë me dinjitet e përkushtim ndaj secilit qytetar në komunat tona e të tyre padallim.
Si LDK, 17 tetorin do ta kujtojmë me krenari; siç e kujtojmë 14 shkurtin si mësim. Njerëzit e Kosovës na vlerësojnë kur jemi të drejtë, siç na largohen kur s’jemi të tillë – dhe kjo është vlera më e mirë e demokracisë.
Veprimtarët tanë i falënderoj për rezultatin e arritur. Një rikthim vërtetë i madh. Vend për mburrje, festë e garë fituesish s’ka. Mbështetja për ne s’është kundër askujt tjetër. Prandaj të punojmë për raundin e ri; e të qëndrojmë kokëulur por krenarë përballë qytetarëve tanë. Besimin e tyre duhet ta kujdestarojmë me plot kujdes si në pushtet ashtu dhe në opozitë. Politikën duhet ta shohim vetëm si përgjegjësi. /Lajmi.net/