Paralajmërohet rritje e rasteve me COVID-19, profesionistët ngrenë shqetësime për tubimet e partive

paralajmerohet-rritje-e-rasteve-me-covid-19,-profesionistet-ngrene-shqetesime-per-tubimet-e-partive

Tubimet e partive politike, pa respektim të masave anti-Covid-19, kanë alarmuar profesionistët shëndetësorë.

Drejtori i Shëndetësisë, njëherësh kryesuesi i Kolegjiumit të Shëndetësisë në Asociacionin e Komunave të Kosovës, Bujar Gashi, thotë se ata presin rritje të numrit të të infektuarve pas ditës së diel.

“Normalisht që për mu punëtorët dhe ekspertët shëndetësor janë dhe ata që e kanë përcjell 24 orë gjendjen me Covid që nga janari deri më tani e të vërtetë jemi të shqetësuar dhe presim rritje të numrave tani këto kemi rritje të numrave por edhe pas ditës së diel që shpresojmë të mos kemi ndonjë masë më të madhe që nuk do te ishte e mirëpo presim së paku zbatim të rekomandimeve”, ka thënë Bujar Gashi, drejtor i Shëndetësisë në Prishtinë.

Derisa shtetet e rajonit për shkak të rritjes së rasteve me Covid-19 dhe përhapjes së variantit të ri të virusit i kanë shtrënguar masat në Kosovë, përpos që janë lehtësuar, ato janë shpërfillur nga subjektet politike, pa dallim, gjatë dhjetë ditëve të fushatës.

Turma të mëdha të qytetarëve brenda hapësirave të mbyllura, pa i respektuar masat, janë parë gati në çdo tubim të secilës parti. E ndonëse policia në shumicën e këtyre tubimeve ishte e pranishme për të mbajtur rendin, ajo jo gjithherë shqiptoi gjoba.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga Policia e Kosovës lidhur me gjobat e shqiptuara gjatë këtyre tubimeve, por ky institucion ka ofruar vetëm shifrat e përgjithshme.

Sipas këtyre të dhënave, që nga gushti i viti të kaluar deri më tani janë shqiptuar mbi 132 mijë fletëparaqitje ndaj atyre që nuk i kanë zbatuar masat.

“Policia e Kosovës të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore që ka, përfshirë angazhimet policore në zbatim të ligjit nr. 07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, ku në tërë territorin e Republikës së Kosovës nga data 26.8.2020 deri më datën 11.2.2021 janë shqiptuar 132.951 fletëparaqitje (tiketa), në bazë të ligjit ndaj personave pa dallime për moszbatim të masave ndaj pandemisë Covid-19, ku përfshihen edhe gjobat ndaj subjekteve politike”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Për gjobat e shqiptuara gjatë tubimeve të partive, të dhëna nuk kanë mundur të ofronin as nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës.

Agjencia përmes një përgjigjeje me shkrim ka bërë të ditur se që nga fillimi i këtij viti ka dënuar 158 persona fizikë dhe 227 persona juridikë, përfshirë ata që kanë mbajtur tubime e organizime në kundërshtim me ligjin dhe masat.

“Në secilin rast kur inspektori në terren has veprime që janë në kundërshtim me ligjin, ai vepron konform mandatit dhe detyrave të punës. Kemi mbajtur takim me KQZ-në dhe Policinë e Kosovës për koordinim të mbikëqyrjes së zbatimit të masave COVID-19. Nga fillimi i vitit 2021 deri më datë 4.2.2021 janë shqiptuar gjithsej 158 gjoba për persona fizikë dhe 227 gjoba për persona juridikë. Ne mesin e gjobave ka të ndëshkuar për arsye të mbajtjes së organizimeve të ndryshme në kundërshtim me ligjin dhe masat e vendosura me vendim të Qeverisë”, thuhet në përgjigjen e AUVK-së.

E Inspektorati Komunal i Prishtinës deri më tani i ka shqiptuar 16 gjoba për partitë politike para dhe gjatë fushatës zgjedhore.

Drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, përmes telefonit ka bërë të ditur se 5 gjoba janë shqiptuar ndaj LDK-së, 5 të tjera ndaj VV-së, 3 gjoba ndaj PDK-së, 2 ndaj AAK-së dhe 1 ndaj Nismës.

Tahiri ka paralajmëruar se edhe këtë të premte në ditën e fundit të fushatës ata do të jenë në terren për t’i dënuar ato parti që nuk i respektojnë masat.

The post Paralajmërohet rritje e rasteve me COVID-19, profesionistët ngrenë shqetësime për tubimet e partive appeared first on Mesazhi.com.