Paçarizi: PDK-ja me parafushatën më interesante ndonjëherë

pacarizi:-pdk-ja-me-parafushaten-me-interesante-ndonjehere

“Më erdhi mirë që dëgjova diçka të tillë nga Hoxhaj, sepse ka kohë të gjatë që kemi pasë një lloj parafushte e cila është zhvilluar për vendin e dytë dhe të tretë dhe nuk është folur për vendin e parë”.

“Kur dikush i shpalos ambiciet me sigurinë e Hoxhajt, e bën garën pak më interesante pasi ende nuk e dimë se kah po shkohet. I kemi sondazhet që ju besoj, pasi janë të mbështetura në një metodologji shkencore, por kur një kandidat kaq serioz si Hoxhaj e bën një deklaratë të tillë, ma merr mendja që është i gatshëm me marr përgjegjësinë dhe pse jo me fitu zgjedhjet; me ndërtu një lloj rrëfimi të narracionit i cili çon kah një përplasje e të mëdhenjve”.

Paçarizi në Edicionin e Analizës në Klan Kosova, ka thënë që PDK-ja i ka lënë gjithmonë derën e hapur koalicioneve paszgjedhore.

“Nëse PDK-ja nuk fiton i kanë opsionet tjera. Ndoshta e ka lënë derën hapur për koalicione me partitë tjera, por ka një problem pasi PDK-ja për herë të parë po e bën një fushatë të përplasjes me të gjitha subjektet politike. Brenda 10 ditësh sa ka nis të dalë në terren publikisht, Hoxhaj është  përplasur me të gjithë rivalët e tij përfshirë edhe Haradinajn që s’ka pasë arsye ndoshta që të përplaset; duke e përjashtuar Limajn me të cilin e kanë një ‘bahçe të votave’ të përbashkët dhe kqyrin kush ka me shku më herët me i vjel frutat”.

Sipas Paçarizit, këtë radhë PDK-ja po bën një fushatë shumë më ndryshe, duke e krahasuar me herat e tjera.

“Me VV-në sigurisht është mirë me luftu me më të madhin, sepse edhe nëse humb – ke humb nga më i madhi. Edhe një injorim që ia ka bërë në vazhdimësi Hotit, duke mos e konsideruar si rival të denjë për debatet e famshme. Mendoj që e ka luajtur një lojë interesante Hoxhaj dhe nuk e di sa do të jetë e efektshme por gjithesi një fushatë ndryshe e PDK-së”.