O politikanë, nëse e gjeni veten në këtë tekst, mjerë për ju në Ditën e Gjykimit!

o-politikane,-nese-e-gjeni-veten-ne-kete-tekst,-mjere-per-ju-ne-diten-e-gjykimit!

Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, Zotit të të gjitha botëve. Paqja dhe bekimet qofshin mbi pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij të nderuar, mbi sahabët dhe mbi të gjithë pasuesit e tij.

Vëllezër të respektuar!

Hutbeja e sotme titullohet: “O politikanë, nëse e gjeni veten në këtë tekst,
mjerë për ju në ditën e gjykimit!”

Njëra nga skenat në Ditën e Gjykimit, e cila ju referohet jobesimtarëve dhe zullumqarëve, është ajo e cila përmendet në këtë ajet:“Kur çdonjëri që ka bërë zullum, sikur ta kishte tërë pasurinë e botës, ai do ta jepte krejt atë, për të shpëtuar (nga dënimi). Ata do të fshehin pendimin kur ta shohin dënimin, e do të gjykohen mes tyre me të drejtë dhe nuk do t’u bëhet padrejtësi.” (Junus, 54)

Kuptimi i ajetit – siç thonë komentuesit e Kuranit – ju referohet atyre që vdiqën si jobesimtarë, si dhe atyre që vdiqën si muslimanë, por vdiqën me barrën e zullumit dhe padrejtësisë që u kanë bërë njerëzve të tjerë, pavarësisht, se a bëhet fjalë për të drejtat materiale ose morale të njerëzve, të cilat ata i kanë shkelë.

Kur zullumqari e sheh ndëshkimin dhe vuajtjet e xhehenemit, ai do të dëshirojë ta paguajë veten, edhe nëse për atë pagesë do të duhej ta jepte të gjithë pasurinë e kësaj bote, për shkak të skenës së tmerrshme, frikës së papërshkrueshme, shqetësimit dhe vuajtjes së rëndë të cilat nuk do të mund t’i durojë. Atë ditë, zullumqarit pasuria e kësaj bote do t’i bëhet e pavlefshme, dhe ai do t’i jepte të gjitha vetëm që ta paguante veten dhe të shpëtonte nga zjarri i xhehenemit, të cilin e ka merituar duke bërëzullum, në të cilin e ka fut lakmia për pasurinë, pozitën dhe reputacionin e parëndësishëm të kësaj bote.

Derisa jetonte në këtë botë, prej tij u kërkua shumë më pak për ta shpëtuar veten nga vuajtjet e përjetshme. Atij iu kërkua vetëm të mos bënte padrejtësi dhe zullum, dhe, pasi që ai bëri zullum dhe u bë arrogant ndaj të vërtetës dhe udhëzimit të Allahut, në ahiret e gjeti atë që ka punuar dhe përgatitur. Ai do të dëshironte pagesën me pasuritë e kësaj bote vetëm që të shpëtojë nga ndëshkimi, por në Ditën e Gjykimit, nuk do të pranohet as pagesa as ndërmjetësimi, siç thuhet në ajetin kuranor:“Dhe kini frikë nga Dita, kur askush për askend nuk do të mund të bëjë asgjë, dhe kur këmbimi nga askush nuk do të pranohet, e kur intervenimi i askujt nuk vlenë, dhe kur askush nuk do t’u dalë në ndihmë.”(el-Bekare, 123)

Atë ditë, pagesëdo të jetë drejtësia, kurse ndërmjetësues do të jetë vepra e mirë.

Pastaj Allahu, në ajetin e përmendur, thotë:“Ata do ta fshehin pendimin kur ta shohin dënimin, e do të gjykohen mes tyre me të drejtë dhe nuk do t’u bëhet padrejtësi.”

Ky është një pikëllim i papërshkrueshëm dhe keqardhje e thellë për diçka që ka ndodhur në të kaluarën, e cila ka mundur të parandalohet për të mos e përjetuar atë moment.

Fjala: ‘Ata do ta fshehin pendimin e tyre’, do të thotë, që kur zullumqarët do t’i shohin tmerret e Ditës së Gjykimit dhe peshën e vuajtjeve në të cilat kanë rënë, nga ajo skenë ata do të fillojnë të dridhen, do të jenë plotësisht të zbehtë, të hutuar dhe të habitur, kështu që gjuhët e tyre do të lidhen plotësisht, sa që në atë moment nuk do të jenë në gjendje të flasin ose të bërtasin. Është vendosur për çështjen e tyre dhe është bërë gjykimi midiszullumqarëve dhe atyre të cilëve u kanë bërë zullum dhe padrejtësi në këtë botë, me gjykim absolutisht të drejtë.

Prandaj, mjerë ata që kanë pranuar me lehtësi që ta shtypin popullin e tyre, të cilët i largojnë njerëzit nga rruga e Allahut dhe tentojnë ta shtrembërojnë atë, dhe të cilët nuk besojnë në botën tjetër.

Mjerë ata që kanë bërë dhunë, kanë bërë çrregullime, kanë shkatërruar shtete dhe qytete, kanë burgosur dhe vrarë dijetarë dhe intelektualë, si dhe kanë shprehur armiqësinë e tyre ndaj ligjit të Zotit.

Mjerë ata që janë përgjegjës për politikën ose ekonominë e shtetit!

Mjerë ata që e shtypin popullin e tyre, ua mohojnë të drejtat dhe ua zgjasin vuajtjet, të cilët i mbështesin planet djallëzore të armikut, të cilët ua zgjasin vuajtjet e të sëmurëve, varfërinë e të varfërve dhe nevojat e të dobëtve,si dhe të cilët e tradhtojnë dhe poshtërojnë popullin dhe shtetin e tyre duke iu bindur armiqve të tyre.

Mjerë ata që i lehtësojnë sulmet dhe arrestimet dhe i akuzojnë viktimat e tyre sipas dëshirës. Ata që torturojnë viktimat e tyre me format më të urryera të torturave, i kryqëzojnë, i varin dhe i fshikullojnë me kamxhikë elektrikë, edhepse midis tyre ka njerëz të devotshëm, besimtarë të vërtetë, dijetarë, lexues të Kuranit, reformatorë dhe njerëz fisnikë.

Mjerë ata që i plaçkitin paratë e shtetit (lexo: të popullit) dhe që janë zhytur në ryshfet dhe korrupsion!

Mjerë ata që e pengojnë gjyqësorin dhe të cilët nuk vendosin drejtësi në shtet.

Mjerë atatë cilët popullit të tyre ia kanë varrosur ëndrrat e lirisë dhe ëndrrat e kthimit të të drejtave të cilat u janë mohuar për dekada, Ditën kur ata do të jepnin gjithçka që ka në Tokë për t’u paguar, por dëshirat dhe shpresat e tyre do të jenë të kota. (Sadik el-Ghariani; Saff.ba)

I lutemi Allahut që ta bëjë jetën tonë në shenjë të veprave të mira dhe bindjes ndaj Tij!

O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!

O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!

O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!

O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!

O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë apo mposhtin pabesimtarët.       

O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin! 

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)