O besimtarë, përmendni shpesh Allahun

o-besimtare,-permendni-shpesh-allahun

Falënderimi i takon Allahut të Plotfuqishëm, Zotit të të gjitha botëve! Salavati, paqja dhe bekimet qofshin mbi pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij të nderuar, mbi sahabët dhe mbi të gjithë pasuesit e tij.

Vëllezër të nderuar!

Hutbeja e sotme titullohet: O besimtarë, përmendni shpesh Allahun!

Allahu i Plotfuqishëm në Kuran ju drejtohet besimtarëve me këtë thirrje:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اذْكُرُوا اللَّهَ ذِكْرًا كَثِيرًاوَسَبِّحُوهُ بُكْرَةً وَأَصِيلًا

“O besimtarë, përmendni shpesh Allahun, dhe lavdëroni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje!” (el-Ahzab, 41-42)

Njeriu përbëhet nga trupi dhe shpirti. Ushqimi i trupit janë artikujt ushqimorë që i konsumojmë çdo ditë, ndërsa ushqimi i shpirtit është që të bëjmë atë, me të cilën është i kënaqur Allahu. Dhe njëra nga veprat më të dashura të Allahut është dhikri, do të thotë, përmendja e Allahut të Plotfuqishëm.

Rëndësinë e dhikrit në jetën e çdo besimtari e tregon më së miri ajeti i mësipërm, sepse Allahu thotë: “O besimtarë, përmendni shpesh Allahun, dhe lavdëroni Atë…”

Askund në Kuran as në hadith nuk do të gjejmë urdhrin: “O besimtarë, falni shumë namaze, kryeni shumë haxhillëka, jepni shumë zekat, agjëroni shumë…” Por siç po shohim, Allahu thotë: Bëni shumë dhikër, përmendni shpesh Allahun.

Kështu që, transmetohet se i Dërguari i Allahut a.s. i ka pyetur sahabët: “A doni t’ju njoftoj për veprën më të mirë, e cila është më e zgjedhur te Zoti juaj dhe në shkallën më të lartë, e cila është më e mirë për ju sesa dhënia e arit dhe argjendit, dhe më e mirë se xhihadi me armikun, në të cilin ju do t’i vrisnit ata, por edhe ata juve? “Po, sigurisht!”- u përgjigjën ata. Ai tha: “Përmendja (dhikri) e Allahut të Plotfuqishëm.”

Edhe një karakteristikë që është e veçantë vetëm për dhikrin është, se dhikri nuk ka as kufizime dhe as përjashtime. Për shembull, kur është fjala për namazin, ai është i kufizuar me kohë, me kushte etj. Prandaj, njeriu nuk mund ta falë namazin jashtë kohës së tij, nuk mund ta falë namazin pa abdes, nuk mund ta falë namazin i shtrirë, nëse është i shëndoshë etj., ndërsa për dhikrin këto rregulla nuk ekzistojnë. Dhikri mund të bëhet në të gjitha gjendjet, me abdes dhe pa abdes, edhe në xhami, edhe në rrugë, edhe në shkollë, edhe në fushë, edhe në punë, edhe shtrirë, edhe ulur edhe në këmbë….

Është transmetuar se një njeri të devotshëm, i cili mendonte se nuk kishte të barabartë me të,Allahu e kishte drejtuar tek një tregtar që ta mësonte se ku e ka vendin. Kur erdhi ky i devotshmi te tregtari, ai as që e pyeti pse kishte ardhur, por menjëherë ia dha detyrën, i tha:“Merre këtë pjatë me zhivë dhe shko deri atje, pastaj kthehu, por ki kujdes që zhiva të mos derdhet.” Kur u kthye i devotshmi, tregtari e pyeti: “Më thuaj, derisa po e mbaje këtë pjatë me zhivë, a të ra ndër mend Allahu?”I devotshmi iu përgjigj: “Jo, pasha Allahun, unë vetëm tek zhiva mendova!”Atëherë tregtari i tha: “Dëgjo, kjo puna ime është më e rrezikshme sesa zhiva, sepse unë edhe tregtoj edhe vazhdimisht Allahun e përmendi.”

Çfarë mësojmë nga kytregim? Është e lehtë të jesh i devotshëm në xhami, kur je vetëm dhe i pafuqishëm, por le të bëhemi të devotshëm kur jemi në punë, kur jemi të fortë dhe të fuqishëm.

Katër gjëra janë të vështira për t’u bërë: (1) Të jesh i devotshëm kur askush nuk të sheh, (2) Të japesh kur nuk ke, (3) t’ia thuash të vërtetën dikujt që mund të kesh nevojë për të, dhe (4) të falësh kur ke mundësi të ndëshkosh. Vërtetim i gjithë kësaj janë fjalët e Allahut të Plotfuqishëm në Kuran: “Njerëzit, të cilët shitblerja nuk i pengon në të përmendurit e Allahut, dhe të cilët e falin namazin dhe e japin zeqatin, dhe të cilët druajnë nga Dita, në të cilën zemrat dhe shikimet janë të shqetësuara. – E (e lavdërojnë Allahun) që Allahu t’i shpërblejë ata me dhuratat më të mira për atë që kanë punuar, e që t’jua shtojë atyre dhuntinë e Tij. E, Allahu e furnizon kë të dojë, pa llogari.” (en-Nur, 37-38)

Dhikri mund të bëhet në çdo kohë, por është më mirë që të bëhet ashtu siç thuhet në ajet, në mëngjes dhe në mbrëmje.

Pse në mëngjes dhe në mbrëmje? Sepse disa dijetarë kanë thënë: “Njeriu i robërohet asaj për të cilën mendon së pari kur të zgjohet në mëngjes dhe për atë që mendon së fundmi kur të shkojë në shtrat.”

Kujt i robërohemi ne dhe çfarë mendojmë kur ngrihemi ose kur duam të shtrihemi? Le të përgjigjemi secili për vete.

Vëllezër të dashur!

“Përmendja e Allahut është ilaç, kurse përmendja e njerëzve është sëmundje.” –Ka thënë Pejgamberi ynë (savs). Pikërisht ky hadith na ofron përgjigjen, se pse ne jemi shoqëri e sëmurë shpirtërisht. Sepse ne,as në xhami nuk mund të vijmë pa e komentuar dikë, pa përgojuar, pa bërë shpifje etj.

Le ta kemi parasysh se kur të vijmë në xhami, ne kemi ardhur në shtëpinë e Zotit, e kur të shkojmë në shtëpinë e dikujt, është mirë që të bisedojmë pak me atë te kush kemi shkuar, do të thotë, të bëjmë dhikër, të lexojmë Kuran, të falim namaz…

Prandaj, vëllezër të dashur, le t’i lëmë njerëzit dhe t’i drejtohemi Allahut. Le të lexojmë sa më shumë La ilahe il-lallah, sepse Pejgamberi (savs), ka thënë se ky është dhikri më i mirë. Le të lexojmë sa më shumë Subhanallahil-‘adhim, ve bi hamdihi, sepse Pejgamberi (savs), thotë: “Kushe shqipton këtë, do t’i mbillet atij një pemë në xhenet, dhe pemët në xhenet janë të arta.”

O Zot, na mundëso që t’i ndjekim këshillat dhe rekomandimet e Tua, që të falënderojmë sa më shumë, dhe të të përmendim sa më shumë.

O Zot, falja Jote është shumë më e madhe se mëkatet tona, dhe mëshira Jote na jep shpresë më të madhe se veprat tona. Andaj, ki mëshirë për ne, na i fal mëkatet tona, dhe mbuloje turpin tonë në Ditën e Gjykimit!

O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!

O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!

O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!

O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!

O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë ose mposhtin pabesimtarët.       

O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me mëshirën Tënde, na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin! 

Përshtati: Miftar Ajdini