Një tjetër tragjedi me migrantë në Mesdhe, dhjetëra të vdekur

nje-tjeter-tragjedi-me-migrante-ne-mesdhe,-dhjetera-te-vdekur

Të paktën 41 persona e kanë humbur jetën në një tragjedi me migrantë që ndodhi në pjesën qendrore të Detit Mesdhe më 20 shkurt, njoftoi Zyra e Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit (IOM) pranë OKB-së në Itali, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim të përbashkët nga Zyra e IOM-it në Itali dhe Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) thuhet se sipas deklaratës së personave që kanë shpëtuar të paktën 41 persona e kanë humbur jetën.

Sipas deklaratave të dëshmitarëve, në gomonen që është nisur më 18 shkurt nga Libia, ndodheshin 120 persona prej të cilëve 6 gra dhe 4 fëmijë. Gomoneja filloi të mbushet me ujë 15 orë pas nisjes në det dhe bëri thirrje për ndihmë urgjente.

Më tej në njoftim thuhet se pas 3 orësh anija “Vos Triton” me një operacion i ka ndihmuar, por gjatë kësaj periudhe shumë persona kanë humbur jetën.

Në njoftimin e përbashkët të institucioneve të OKB-së thuhet se dhjetëra mijëra migrantë që përpiqen të kalojnë Mesdheun Qendror përmes Libisë janë viktima të “brutalitetit të papërshkrueshëm” të trafikantëve me njerëz dhe milicëve, ndërsa që nga fillimi i vitit 2021 në det kanë humbur jetën 160 migrantë.

Ndërkohë mes datës 1 janar-21 shkurt 2021, numri i atyre që kanë kaluar Mesdheun dhe kanë arritur në Itali është mbi 3.800 prej të cilëve 2.257 janë nisur nga Libia.

Në njoftim u bë thirrje për përpjekje urgjente ndërkombëtare ndaj migrimit të parregullt.

The post Një tjetër tragjedi me migrantë në Mesdhe, dhjetëra të vdekur appeared first on Mesazhi.com.