Një shembull i vëllazërisë së vërtetë Islame

nje-shembull-i-vellazerise-se-vertete-islame

Imam Hasan el-Bena, njëherë e kishte treguar një ngjarje prekëse për vëllazërinë e vërtetë islame, të cilën po e ndajmë me ju. Pra, Hasan el-Bena ka thënë:

“Njëherë hyra në lokalin e vëllait Seid Ebu Su’ud, i cili merrej me shitjen e gjërave të vjetra, dhe aty e takova vëllain Mustafa Jusuf, i cili ishte gati ta blinte një shishe për parfum. Blerësi donte të paguante shishen me 10 groshë (kurush), mirëpo, shitësi refuzonte të merrte më shumë se 8 groshë, dhe asnjëri prej tyre nuk donte të lëshonte pe.

Ajo ishte një skenë e cila la gjurmë të thellë në shpirtin tim, andaj u përpoqa të ndërhyjë në atë shitblerje. E kërkova faturën origjinale nga vëllai Seid dhe u vërtetova se çmimi bazë i artikullit që Seidi dëshironte t’ia shiste Mustafës, në realitet, ishte 76 groshë.

I thashë shitësit: “O vëlla, nëse ti nuk fiton nga miku yt dhe nëse nga ti nuk blen ndonjë gjë armiku yt, atëherë me çka do të jeton ti?”

Ai u përgjigj: “Unë nuk bëj dallim midis meje dhe vëllait tim, dhe unë jam i kënaqur që ai po pranon nga unë atë që po ia ofroj”.

Atëherë, i thashë blerësit: “Po ti pse nuk po e pranon ofertën e vëllait tënd?”

Ai më tha: “Nëse unë këtë artikull e blej jashtë për 10 groshë, atëherë vëllai im musliman ka përparësi t’ia japë dy groshë më tepër, madje nëse e dija se do të pranonte edhe më tepër se 10 groshë, unë do t’ia jepja.“

Në fund, me ndërhyrjen time, ata ranë dakord që blerësi të paguante 9 groshë për shishen e parfumit.“

Duke e komentuar këtë tregim, dr. Abdulhalim Mahmud, ka thënë: “Këtu nuk bëhet fjalë për një apo dy groshë, por për një ndjenjë të thellë morale dhe ndjenjë të brendshme, e cila, nëse do të përhapej në mesin e njerëzve, do t’i zgjidhte problemet individuale dhe shoqërore, dhe njerëzit do të jetonin të lumtur dhe të sigurt“.

Përkthim: Miftar Ajdini