Nis vaksinimi antiCOVID në sheshin e Prishtinës, Bardhi: Jemi lider në rajon sa i përket vaksinimit

nis-vaksinimi-anticovid-ne-sheshin-e-prishtines,-bardhi:-jemi-lider-ne-rajon-sa-i-perket-vaksinimit

Qytetarët sot, duke filluar nga ora 10:00 deri në 17:30 kanë mundësinë që të marrin dozën e parë të vaksinës antiCOVID në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, aty ku është vendosur tenda për vaksinim.

Niman Bardhi, koordinatori i Qendrës së vaksinimit në “1 Tetori”, në Prishtinë, tha se kjo po bëhet me qëllim që të jenë afër personave që ende nuk e kanë marrë dozën e parë të vaksinës.

“Bazuar në Planin e veprimit të vaksinimit në masë ne kemi paraparë që përmes ekipeve mobile të jemi afër qytetarëve. Për herë të parë është ngrit tenda në sheshin ‘Zahir Pajaziti’. Tenda është vetëm për personat që marrin dozën e parë, e jo për të dytën…”, tha ai.

Bardhi njoftoi se nga java e ardhshme ekipe mobile të vaksinimit antiCOVID do të ketë në nivel vendi.

“Siç jeni të informuar mbi 600 mijë persona janë vaksinuar me dy dozat, po i afrohemi shifrës 700 mijë. Aktualisht, kemi rreth 200 mijë që e kanë marrë dozën e parë… nëse bëhen kalkulimet ne jemi lider sa i përket vaksinimit.

Ndërsa, sa i përket interesimit bazuar në grup-moshat jemi brenda kuotës normale dhe shpresojmë që edhe ata persona që ende nuk e kanë dozën e parë të jemi afër tyre dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi”, tha ai.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se sot nga ora 10:00 deri në 17:30, të gjithë të interesuarit për vaksinim kundër COVID-19, mund të vaksinohen nga ekipet mobile të vaksinimit në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Ministria u bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë edhe këtë mundësi shtesë për t’u vaksinuar kundër COVID-19, si rrugën më të sigurt për parandalimin e infektimit nga COVID-19.

The post Nis vaksinimi antiCOVID në sheshin e Prishtinës, Bardhi: Jemi lider në rajon sa i përket vaksinimit appeared first on Mesazhi.com.