Nga ç’ju druhen muslimanët vaksinave anti-COVID?

nga-c’ju-druhen-muslimanet-vaksinave-anti-covid?

Për dallim prej shumë grupeve fetare në botë që janë të ndarë në mendime se a duhet marrë vaksinën kundër COVID-19 apo jo, Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), nuk ka dilema të tilla.

Në BIK u rekomandojnë besimtarëve të besimit islam në Kosovë që të marrin vaksinën, gjithmonë duke respektuar udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK).

“Ne si institucion do t’i respektojmë vendimet dhe rekomandimet e IKSHPK-së dhe njëherësh do të kërkojmë nga besimtarët e besimit islam që të veprojnë njëjtë, pra konform rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse”, tha BIK-u në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Mendime të ndryshme janë shfaqur në mbarë botën, sidomos nga myslimanët për shkak të përmbajtjes së vaksinës.

Ata janë të ndarë në mendime pasi një numër besimtarësh refuzojnë të pranojnë vaksinën, për shkak të dyshimeve se ajo përmban xhelatinë derri.

Në një përgjigje që i ka dhënë zyra e kompanisë amerikane Pfizer, Radios Evropa e Lirë në Bosnje e Hercegovinë, thuhet se “vaksina e tyre është e përshtatshme për veganët”, e që do të thotë se asnjë nga përbërësit nuk ka origjinë shtazore.

Çfarë mendojnë pjesëtarët e fesë islame në rajon?

Komuniteti mysliman në Serbi ka mendime të ndryshme për vaksinën.

Zëvendëskryetari i Bashkësisë Islame të Serbisë, Reshad Pllojoviq thotë se kjo ndodh për dy arsye: e para sepse disa besojnë se mund të ketë efekte anësore negative dhe e dyta për shkak të siç është thënë vaksina përmban xhelatinë të derrit.

“Një numër i madh i myslimanëve, edhe ata që jetojnë në mbarë botën si dhe ata që jetojnë në këtë rajon, janë të shqetësuar dhe janë adresuar te Bashkësia Islame për faktin se, siç është e ditur nga i gjithë publiku, xhelatina si produkte me origjinë shtazore përdoret në industrinë e farmaceutikës, në prodhimin e medikamenteve dhe këto mund të jenë me origjinë nga derri, kafshë që myslimanëve iu ndalohet ta konsumojnë”, tha Reshad Pllojoviq për REL.

Megjithatë, ai shton se vaksina do të ishte në rregull nëse gjatë fazës së prodhimit, përmbajtja e xhelatinës kalon nëpër një fazë të transformimit në mënyrë që t’i humbë të gjitha vetitë e saja natyrore.

Nga ana tjetër zëvendëskryemyftiu i Sanxhakut në Serbi, Muhamed Demiroviq thotë se ekzistojnë dilema globale në lidhje me efektet dhe pasojat negative që mund të shfaqen te personat që marrin vaksinën.

“Nga aspekti i Islamit dhe Ligjit të Sheriatit ne nuk mund të konfirmojmë ende korrektësinë dhe lejueshmërinë e këtyre vaksinave”, thotë Demiroviq.

Demiroviq thotë se nga aspekti fetar islam, vaksina do të ishte në rregull vetëm nëse do përcaktohej nga analizat kimike se përmbajtja e derrit ka kaluar nëpër një proces të pastrimit.

“Pra, nëse përcaktohet nga analiza kimike e produktit përfundimtar se ka pasur një ndryshim të plotë të substancës së përbërësit të derrit në një substancë krejtësisht të re, ai proces konsiderohet në Sheriat si një proces pastrimi”, thotë ai.

Por, përkundër kësaj, Demiroviq beson se pas vaksinimit mund të shfaqen efekte anësore.

Ai kërkon nga myslimanët që të mos nguten në marrjen e vendimit për vaksinim, të paktën pa u bërë publike më shumë fakte shkencore.

Edhe komuniteti mysliman në Bosnje e Hercegovinë ka dyshime lidhur me vaksinën kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Këshilltari i Myftiut të Bosnje dhe Hercegovinës, Mustafa Përlaça, më 29 dhjetor 2020, kishte deklaruar për REL se nuk mund të japin ndonjë përgjigje definitive nëse vaksina kundër COVID-19 është e pranueshme për myslimanët apo jo.

“Profeti Muhamed udhëzoi besimtarët që të kërkojnë ilaç sepse ai tha se Zoti i Madhërishëm nuk ka sjellë ndonjë sëmundje pa dhënë një ilaç për të, por ai ua kujtoi ndjekëseve që të mos kërkojnë ilaç në atë që e ka ndaluar Zoti”, tha Përlaça.

Ndërkaq, komuniteti mysliman në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut deri më tani nuk kanë komentuar lidhur me vaksinimin kundër koronavirusit.

Çfarë është xhelatina dhe si përdoret në vaksina?

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) thotë se xhelatina përdoret në disa vaksina si një stabilizues.

Sipas ECDC-së, stabilizuesit shtohen në vaksina për të mbrojtur përbërësit aktivë nga degradimi gjatë prodhimit, transportit dhe magazinimit.

Ky institucion megjithatë thotë se xhelatina mund të shqetësojë një numër njerëzish përkatësisht “një në dy milionë” te të cilët mund të shfaqet reaksion i rëndë alergjik.

Përveç aspektit alergjik, ECDC-ja thotë se prania e xhelatinës shqetëson disa grupe religjioze siç janë myslimanët, hebrenjtë dhe adventistët e Ditës së Shtatë.

Kjo për shkak se këto komunitete fetare e kanë të ndaluar konsumimin e produkteve të derrit, gjë që i shqetëson në rast se vaksinat kanë një përmbajte të tillë.

Në ueb-faqen e saj, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve, rikujton faktin se liderët e grupeve fetare botërore, aprovuan përdorimin e vaksinave me xhelatinë, pasi ata besojnë se përfitimet e marrjes së vaksinave janë më të mëdha se respektimi i ligjeve fetare që ndalojnë produktet e derrit.

Cilat vaksina kanë xhelatinë?

Sipas të dhënave të publikuara deri më tash, vaksinat e kundër COVID-19 të kompanive Pfizer/BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca, nuk kanë asnjë përbërës derri.

Aktualisht nuk dihet përbërësit që janë përdorur në vaksinat e zhvilluara nga Kina dhe Rusia.

Ka pak informacione për përbërësit e vaksinave të zhvilluara nga kompanitë kineze Sinovac Biotech, Sinopharm dhe CanSino Biologics.

Njëjtë është edhe me vaksinën ruse, Sputnik-V për të cilën pati diskutime të shumta, meqë u fut në përdorim pa kaluar nëpër të gjitha fazat e testimit.

Përkundër kësaj, në Rusi po vazhdon vaksinimi me vaksinën Sputnik-V. Një sasi të kësaj vaksine e kanë tashmë edhe institucionet në Serbi. Me këtë vaksinë u imunizuan disa udhëheqës serbë.

Deri më tani, institucionet e Kosovës kanë deklaruar se kanë siguruar 1 milion e 220 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19.

Mirëpo, ende nuk është shumë e qartë se kur do të mbërrijnë në Kosovë. /REL/