Në pritje të Ramazanit 2021

ne-pritje-te-ramazanit-2021

Vëllezër dhe motra në Islam!

Tema e hutbes së sotme është: ‘Në pritje të ramazanit të vitit 1442 h. /2021’.

Sipas Takvimit të Bashkësisë Islame në Republikën e Kosovës për vitin 2021,dita e parë e ramazanit të bekuar – me vullnetin e Allahut –do të jetë të martën, më 13 prill 2021, kurse një natë para saj (të hënën në mbrëmje) do të jetë teravia e parë. Saktësisht, me akshamin, jacinë dhe namazin e teravisë, do të hyjmë në muajin e bekuar ramazan:në muajin e mëshirës së pakufishme të Allahut të Plotfuqishëm, në muajin e Kuranit, i cili është “Udhëzim për botët”, në muajin e Natës së Kadrit, e cila është më e vlefshme se 1000 muaj, në muajin e betejës së Bedrit, të çlirimit të Mekës dhe ngjarjeve të tjera të rëndësishme nga historia e Islamit, në muajin e solidaritetit ndërmusliman, muajin e iftarit dhe syfyrit, muajin e rritjes së ibadetit dhe bukurive të ndryshme të cilat e zbukurojnë dhe e bëjnë të veçantë këtë muaj në krahasim me muajt e tjerë.

Allahu i Plotfuqishëm, në ajetin 183, të sures el-Bekare, thotë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِنْ قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ.

“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ka qenë urdhëruar atyre para juve, që të bëheni të devotshëm.”

Me ajetin e cituar, Allahu i Plotfuqishëm, umetit të Muhamedit (savs), ia urdhëron agjërimin, i cili u ishte urdhëruar edhe popujve të kaluar, ndërsa qëllimi kryesor i agjërimit është devotshmëria. Për këtë shkak, ramazani i ardhshëm le të jetë muaj i devotshmërisë sonë të sinqertë dhe i vendimit që gjithçka që bëjmë le të jetë vetëm në emër të Allahut të Plotfuqishëm, dhe për ta arritur kënaqësinë e Tij!

Më tutje, Allahu i Plotfuqishëm, në ajetin 184, të sures el-Bekare, thotë:

“(Agjërimi është i obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëron), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri. Ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është edhe më mirë për të. Mirëpo, po që se e dini, agjërimi është më i mirë për ju.”

Në ditët e para të Islamit, agjërimi ka qenë i obliguar nga tri ditë, në çdo muaj, pastaj ai rregull u shfuqizua dhe u zëvendësua me agjërimin e ramazanit.

Muadh ibn Mesudi (r.a.), ka thënë: “Ky agjërim me sheriat ka qenë i caktuar që nga koha e Nuhut (a.s.), derisa Allahu i Plotfuqishëm e shfuqizoi dhe e zëvendësoi me agjërimin e muajit ramazan. Ata e kanë pasur të përcaktuar: “Kur dikush e kafalë namazin e mbrëmjes dhe shkon për të fjetur, ai e ka pasur të ndaluar ushqimin, pirjen dhe bashkëshorten, deri në të njëjtën kohë.”

Ajeti vijues i sures el-Bekare,flet për atë se në muajin ramazan ka filluar shpallja e Kuranit, pastaj Allahu i Plotfuqishëm, përsëri e urdhëroi agjërimin, dhe ata që janë të sëmurë ose në rrugë, ditët e humbura të agjërimit i kompensojnë më vonë. Ajeti përfundon me fjalët, se Allahu i Plotfuqishëm, besimtarëve dëshiron t’ua lehtësojë, dhe jo t’ua vështirësojë…

Pas këtyre tri ajeteve në të cilat flitet për rregullat e agjërimit, në ajetin 186,flitet për pranimin e lutjes së atij që i drejtohet Allahut të Plotfuqishëm, që më pas në ajetin vijues, përsëri flitet për rregullat që lidhen me agjërimin.

Thotë Allahu i Plotfuqishëm, në ajetin 186, të sures el-Bekare:

“E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.”

Vendosja e këtij ajeti në këtë kontekst jep mesazhin se lutja, sidomos në ramazan është e pranueshme. Ajo njëherit është ftesë për besimtarët që sinqerisht t’i drejtohen Zotit të tyre dhe ta shpresojnë ndihmën e Tij.

Muhamedi (savs), në hadithi përmend tre njerëz të cilëve lutja nuk ju refuzohet, dhe njëri prej tyre është personi që agjëron deri në iftar:

Transmeton Ebu Hurejre (r.a.), se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Tre njerëzve lutja nuk ju refuzohet: (1) personit që agjëron derisa të bëj iftar, (2) sundimtarit të drejtë,dhe (3) të dëmtuarit (atij që i është bërë padrejtësi). Atë (lutje) Allahu e ngrit mbi retë dhe ia hap dyert e qiellit dhe thotë Zoti: “Pasha madhërinë dhe Lartësinë Time, unë do të ju ndihmojë, edhe nëse prisni pak.” (Tirmidhiu)

Tregohet prej Selman Farisiut, se Muhamedi (savs), mbajti një hutbe në fund të muajit shaban mbi rëndësinë e ramazanit, ku, midis të tjerash, tha:

“O njerëz, po ju vjen një muaj i madh dhe i bekuar, muajin të cilin gjendet një natë më e mirë se 1000muaj. Është një muaj që Zoti e ka bërë farz agjërimin e ditës, kurse namazet e teravive – (namaze te natës në të) – i ka bërë vullnetare. Çdo vepër e mirë në këtë muaj, është e njëjtë me atë që ka kryer një farz, jashtë këtij muaji. Ndërsa ai që kryen një farz në këtë muaj është i barabartë me 70 farze, që i kryen jashtë këtij muaji.

Ramazani është muajii sabrit, kurse shpërblimi i sabrit është xheneti. Ramazani është muaji i bamirësisë, muajin të cilin shtohet bereqeti i besimtarit të vërtetë. Kush e fton tjetrin në iftar, do t’i falen gjynahet, do të shpëtojë nga zjarri i xhehenemit, dhe do të ketë shpërblim të barabartë me atë, që e ka ftuar në iftar pa asnjë pakësim të shpërblimeve të tij.”

Atëherë sahabët i thanë: ‘O Pejgamber i Zotit! Disa nga ne nuk kanë mundësi për këtë.’ I Dërguari i Allahut u përgjigj: “Allahu do ta shpërblejë me shpërblimin e përmendur, cilido që e fton për iftar agjëruesin edhe me një hurmë, apo me një gotë qumësht, ose qoftë edhe me një gotë ujë.”

“Ky është një muaj, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi është falje, ndërsa fundi i tij është shpëtim prej zjarrit të xhehenemit.

Kushdo që e lehtëson vartësin e tij në këtë muaj, Allahu i Plotfuqishëm do t’ia falë mëkatet dhe do ta lirojë nga zjarri.

Në këtë muaj, përpiquni të plotësoni katër gjëra: Dy me të cilat do ta kënaqni Allahun, kurse dy të tjerat ju nevojiten juve. Dy të parat, me të cilat do ta kënaqni Allahun janë: Dëshmia (shehadeti), se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe lutja për të kërkuar falje prej të madhit Zot për mëkatet e bëra. Dy të tjerat që ju duhen janë: Lutja për Zotin që të na shpërblejë me xhenet dhe lutja që të na ruajë prej xhehenemit.

Kush i jep të pijë agjëruesit Allahu i Plotfuqishëm do t’i japë të pijë nga burimi im,ashtu që më pas nuk do të ketë etje, dhe si i tillë do të hyjë në xhenet!” (Ibn Huzejme)

Vëllezër të dashur!

A po e presim edhe ne të përgatitur ramazanin e këtij viti, me qëllim që t’i afrohemi më shumë Zotit tonë dhe ta meritojmë mëshirën e Tij?

A do të bëjnë iftar edhe te ne të varfrit, të afërmit dhe fqinjët, apo iftaret tona do të jenë darka pune për individë të famshëm dhe me ndikim, me të cilët na lidh dynjaja dhe interesat mashtruese dhe kalimtare?

A do t’i kryejmë në ramazan farzet siç duhet, a do ta ruajmë xhematin dhe a do të pastrohemi plotësisht, shpirtërisht dhe fizikisht?!

Edhe një herë, qoftë i bekuar ramazani për juve dhe për më të dashurit tuaj!

O Zot, na ndihmo ta ruajmë dritën e Islamit këtu në atdheun tonë të bukur!

Ndihmoji dhe mbroji të gjithë njerëzit e rrezikuar dhe pa të drejta, kudo qofshin ata!

Kurthet e armiqve tanë ktheji mbi kokat e tyre!

O Zot! Na ndihmo që me lehtësi ta agjërojmë këtë ramazan dhe ta fitojmë mëshirën dhe faljen Tënde!

Na i mëshiro prindërit dhe paraardhësit tanë të vdekur, të cilët na e sollën dritën e Islamit!

Na i udhëzo dhe forco fëmijët dhe pasardhësit tanë dhe bëri prijës të umetit, gëzim të syve dhe zemrave tona, si dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut tonë!

Na mëshiro neve në Ditën e Gjykimit, dhe na ndero në xhenet në shoqëri të pejgamberëve, të sinqertëve, të shehidëve dhe të njerëzve të mirë! Amin!

Hatib: Nezim Halilović Muderris

Përkthim me përshtatje: Miftar Ajdini

(Islampress)