NATO: Rusia t’i japë fund pozicionimit ushtarak në kufirin me Ukrainën

nato:-rusia-t’i-jape-fund-pozicionimit-ushtarak-ne-kufirin-me-ukrainen

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Rusia duhet t’i japë fund menjëherë pozicionimit të saj ushtarak brenda dhe në kufirin e saj me Ukrainën, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba vizitoi selinë e NATO-s në Bruksel dhe u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg.

Duke folur në konferencën për shtyp të mbajtur pas takimit, Stoltenberg deklaroi se Rusia ka dërguar mijëra ushtarë të gatshëm për luftime në kufirin ukrainas ditët e fundit dhe se ai po e ndjek këtë situatë me shqetësim.

Stoltenberg deklaroi se kjo është vendosja më e madhe e trupave ushtarake që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe theksoi se shumë ushtarë ukrainas kanë humbur jetën në përplasjet në lindje të Ukrainës në ditët e fundit.

“Vendosja e trupave ushtarake nga ana Rusisë është e paligjshme, e pashpjegueshme dhe thellësisht alarmante. Rusia duhet t’i japë fund menjëherë këtij pozicionimi brenda dhe pranë Ukrainës, t’i japë fund provokimeve dhe të lehtësojë tensionet”, tha shefi i NATO-s.

Duke i bërë thirrje Rusisë të respektojë përgjegjësitë e saj ndërkombëtare, Stoltenberg tha se “mbështetja e NATO-s për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës është e palëkundur”.

“Ne nuk do të pranojmë aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia”, shtoi ai.

Stoltenberg kërkoi nga Rusia t’i japë fund mbështetjes për forcat pro-ruse në lindje të Ukrainës dhe t’i tërheqë forcat e saj nga territori ukrainas, duke shtuar se NATO-ja do të vazhdojë të jetë në anën e Ukrainës. /aa

The post NATO: Rusia t’i japë fund pozicionimit ushtarak në kufirin me Ukrainën appeared first on Mesazhi.com.