Mujahid: Fluturimet ndërkombëtare në aeroportin e Kabulit do të fillojnë së shpejti

mujahid:-fluturimet-nderkombetare-ne-aeroportin-e-kabulit-do-te-fillojne-se-shpejti

Zëdhënësi i talibanëve, Zabiullah Mujahid, iu përgjigj pyetjeve rreth zhvillimeve të fundit në vend gjatë një konference për shtyp në kryeqytetin Kabul të Afganistanit.

I pyetur nga korrespondenti i Agjencisë Anadolli (AA) se kur do të fillojnë zyrtarisht fluturimet ndërkombëtare në aeroportin e Kabulit, Mujahidi u përgjigj me këto fjalë: “Janë bërë të gjitha punët e nevojshme për funksionalizimin e aeroportit. Fluturimet e brendshme po kryhen. Vetëm fluturimet ndërkombëtare nuk kanë filluar. Shkaku i kësaj është shkatërrimi i radarit qendror (nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës). Punimet për riparimin e këtij radari janë drejt fundit. Me të përfunduar riparimi, fluturimet ndërkombëtare do të fillojnë së shpejti.”

Kurse në lidhje me avionët e lënë pas nga amerikanët (gjatë procesit të tërheqjes nga vendi), zëdhënësi i talibanëve tha: “SHBA-ja shkatërroi si avionët civilë ashtu edhe ata ushtarakë. Prioriteti ynë është riparimi i avionëve civilë. Më pas ne do të riparojmë gjithashtu avionët ushtarakë. Në rast se ne vazhdojmë të jemi në pushtet, të jeni të sigurt që do të kemi një flotë ajrore të fortë në të ardhmen.”

Duke dënuar sulmet e kryera nga organizata terroriste DAESH në vend ditët e fundit, Mujahid tha se prania e DAESH-it në Afganistan nuk është aq e fortë sa në Irak.

“DAESH-i nuk është (i pranishëm) në mesin e popullit. Vetëm disa njerëz kanë simpati në aspektin e mentalitetit. Në të ardhmen, forcat tona nuk do t’i lejojnë asnjë hapësirë veprimi kësaj organizate”, shtoi ai. /trt

The post Mujahid: Fluturimet ndërkombëtare në aeroportin e Kabulit do të fillojnë së shpejti appeared first on Mesazhi.com.