Mrekullia e Krijuesit – fiku

mrekullia-e-krijuesit-–-fiku

Allahu i Madhërishëm në Kuranin fisnik urdhëron e thotë: “Pasha fikun dhe ullirin!“ (Et – Tinë, 1)

Fikun shpesh e quajnë mbretëreshë e frutave të mediteranit, ndërsa ai nuk është frut, por lule! Saktë, shumë lule që rriten brenda kapsulës që gjasojnë në dardhën. Kur e prejmë fikun e freskët përgjysmë, pjesa rozë e lëngshme që gjindet brenda nuk është sikurse tek frutat tjerë “mishi”, por grumbull i luleve të vogla që me kohë janë pjekur, kanë dhënë farë dhe frutat e saj. Kështu, brenda fikut gjinden me mijëra fruta në miniaturë, ndërsa vetë fiku është lule i cili rritet përbrenda. Kjo duket tejet interesante apo jo? Por, kjo nuk është pjesa më interesante kur është në pyetje fjala për fikun.
Krijimi i secilit fiq është një melodramë e vogël e vërtetë, e cila nënkupton sakrificë të vetëdijshme për të vazhduar dy lloje – fikun dhe bletët e fikut. Në realitet kur kuptoni që luleja e fikut lulëzon brenda kapsulës (lëkurës), atëherë mund të pyetni se si fiku frytnohet? Si përhapet poleni i tij kur çdo gjë është brenda?
Meqë lulëzojnë brenda, u nevojitet një proces special i polenizimit, ngase nuk mund të mbështeten në bletë dhe erëra, ndërsa këtu veprojnë bletët e fikut. Fiku nuk mund të mbijetojë pa këto bletë të cilat përhapin materialin e tij gjenetik, ndërsa këto bletë nuk mund të jetojnë pa fikun, ngase aty i lëshojnë larvat e tyre.
Bletët e fikut janë shumë më të vogla se ato që jemi mësuar t’i shohim, ndërsa detyra kryesore e tyre është që të hyjnë në fik dhe në të t’i vendosin vezët. Ndoshta keni vërejtur që në fundin e secilit fik gjindet një zgavër e vogël, e cila shërben që bleta femër të hyjë në frut dhe aty t’i vendosë vezët.
Gjatë hyrjes në fik, bleta mbetet pa krahë dhe asnjëherë më nuk mund të del nga fiku. Ajo i vendos vezët në lulet femërore brenda fikut dhe kështu lë disa qindra vezë. Kështu bleta mëmë edhe i fekondon lulet, ngase me vete bart polenin e fikut.
Bleta mëmë sakrifikohet dhe vdes, ndërsa nga lulet femërore së pari dalin nga vezët bletët meshkuj. Është interesant që i vetmi rol i bletëve meshkuj në tërë këtë tregim është që t’i fekondojnë femrat (motrat e tyre) dhe këtë derisa femrat ende janë në vezë! Meshkujt pastaj shpojnë zgavëra nëpër lëvozhgën e fikut, dalin jashtë dhe menjëherë vdesin.
Femrat e reja të fekonduara mbledhin polenin e fikut dhe dalin nga fruti nëpërmes zgavrës që e kanë bërë meshkujt më parë. Femrat pastaj menjëherë nisen për të kërkuar frutet e reja në të cilat hyjnë, i vendosin vezët, frytnojnë fikun e pastaj vdesin si heronj.
Pasi që shkencëtarët paraqitën këtë zbulim, shumicës së njerëzve iu neverit ideja që me fikun i hanë edhe trupat e bletëve të vdekura, por nuk ka shkas për brengosje. Së pari, fiqtë tajojnë enzime të forta që i zbërthejnë trupat e bletëve. Dhe tjetra, më së shpeshti llojet e fiqve kanë fruta mashkullore dhe femërore, ndërsa ne hamë vetëm fruta femërore, ndërsa tërë procesi i frytnimit zhvillohet tek frutat mashkullore. Ja, e gjitha kjo ndodh para se fiqtë të përfundojnë në pjatën tuaj.
Fiku është një pemë e këndshme dhe e ushqyeshme. Përmban shumë karbohidrate, që në fiq të thatë arrijnë mbi 60% (glukozë dhe fruktozë), si dhe albumina e yndyra. Në krahasim me pemët e tjera, më së shumti përmban kalcium, bakër, magnezium, kalium dhe sulfur. Fiku përmban më shumë kalcium sesa qumështi. Vlen të përmendet se 100 gr fiq përmbajnë 126-280 kalcium, kurse 100 ml qumësht 120 mg.
Përveç kësaj, fiku përmban mjaft vitaminë A, B1, B2, niacinë, B6, C, etj. Fiku përmban sasi të konsiderueshmetë hekurit, si element i rëndësishëm i organizmit tek anemitë. Në 100 gr fik ka 250 kalori. Bakri, si mikroelement, në fik gjendet në sasi prej 0.3 mg në 100 gr.
Fiku përdoret i freskët, i tharë dhe i përpunuar në produkte të ndryshme si marmelatë, reçel, pekmez, etj. Fiqtë rekomandohen të përdoren nga persona të dobësuar, nga anemikët dhe nga ata që ndjejnë shumë të ftohtë, ngase i japin organizmit forcë dhe nxehtësi.
Fiku nuk këshillohet të përdoret nga persona që vuajnë prej sëmundjes së sheqerit, kurse duhet ta përdorin ata që vuajnë nga hemorroidet, dhembjet reumatike, nga ata që kanë sasi të shtuar të kolesterolit në gjak. Fiku gjithashtu parandalon rënien e flokëve, mënjanon erën e rëndë të gojës (fetor ex ore), pastron mushkëritë nga këlbaza. Në kohë të fundit thuhet se ka veti antikanceroze.
Në rastet e acarimit të faringut, të mishrave të dhëmbëve dhe të rrugëve të frymëmarrjes, lëngu i përgatitur nga zierja e fiqve jep rezultate dhumë të mira.
Fiqtë përdoren me sukses në mjekësinë popullore kundër kapsllëkut. Për këtë çdo mëngjes, pasi të keni pirë më parë një gotë uji të freskët, esëll, hahen disa kokrra fiq. Kjo nuk rekomandohet për ata që vuajnë nga diarreja.
Qumështi i fikut përdoret me sukses për heqjen e kallove, si dhe kundër reumatizmit e dhembjeve të tjera artritike.
Qumështi i fikut të egër përdoret me efekt për zhdukjen e lythave nga sipërfaqja e duarve ose këmbëve. Përgatitet në këtë mënyrë:
Lythat lahen me qumësht fiku të egër 3-4 herë në ditë. Kjo kurë zgjat 4-5 ditë radhazi, derisa të bien vetë.
Gjethet e njoma të fikut kanë veti terapeutike shumë të mira kundër sëmundjes së astmës. Për këtë preferohet të merren 1-2 gjethe të freskëta dhe të zihen në ujë derisa të mbetet gjysma e sasisë së ujit. Lëngu i fituar pihet në mbrëmje para se të flemë ose esëll në mëngjes.
Edhe në këtë pemë Allahu i madhërishëm betohet në kaptinën e fikut (Suretu et-Tinë). Këtë pemë e preferon mjaft edhe Muhammedi a.s.
Tregojnë se njëherë Muhammedit a.s. ia ofruan një pjatë me fiq. Duke ngrënë, ua ofroi edhe shokëve të vet dhe u tha: “Se po të kisha thënë për ndonjë pemë se ka zbritur nga xhenneti, ajo pemë do të ishte fiku, ngase pemët e xhennetit janë pa bërthama.”
Ne na mbetet t’ua preferojmë njerëzve këtë pemë të rëndësishme, pemë e cila është përmendur në Kuranin famëmadh dhe të cilën jo vetëm se e ka preferuar Muhammedi a.s., por edhe e krahasoi me pemët e xhennetit.

Mesazhi i Kuranit fisnik është i qartë, për çdo brez, kohë dhe vend: “E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni (ju o njerëz dhe ju o xhinë)?“

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi / islamgjakova/