Mos e tradhtoni amanetin që vetë e keni kërkuar

mos-e-tradhtoni-amanetin-qe-vete-e-keni-kerkuar

Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, Zotit të të gjitha botëve. Paqja dhe bekimet qofshin mbi pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij të nderuar, mbi sahabët dhe mbi të gjithë pasuesit e tij.

Vëllezër të respektuar!

Transmetohet se halifit Omer b. Abdulazizit, këshilltarët dhe zyrtarët e tij i kishin thënë: “Njerëzit janë rebeluar dhe po bëjnë rrëmujë nëpër qytete. Asgjë nuk mund t’i qetësojë përveç kamxhikut dhe shkopit!”

Në këtë halifi Omer b. Abdulazizi u ishte përgjigjur: “Po gënjeni! Popullin gjithmonë e qetëson drejtësia dhe e vërteta.”

Përmes këtij transmetimi pasqyrohen qartë dy lloje të pushteteve dhe të sundimtarëve:

1 – Lloji i parë është pushteti shtypës, të cilin e simbolizojnë këshilltarët dhe zyrtarët e Abdulazizit, nga fjalët e të cilëve flasin egoizmi, korrupsioni, pengimi moral dhe prishja, pandjeshmëria dhe dehja me pushtet dhe komoditet personal, kështu që për të gjitha krizat, trazirat dhe çrregullimet në vend, ata janë të gatshëm ta fajësojnë popullin, i cili edhe ashtu është viktimë e tiranisë dhe krimit të tyre. Ata të gjitha këto i bëjnë, me qëllim të qëndrimit në pushtet dhe ikjes nga sanksionet dhe ndëshkimi për robërimin e njerëzve, për uzurpimin e pronave të tyre, për shembjen e shtetit dhe krijimin e çrregullimeve në shoqëri.

Prandaj, nuk habitemi nga fjalët e Muhamedit (savs), kur thotë:“Dy lloje njerëzish nga umeti im nuk do t’i përfshijë shefati im: sundimtarin e padrejtë (shtypës) dhe personin i cili ekzagjeron në fe (fanatikun fetar).” (Et-Taberani)

2 – Lloji i dytë është pushteti i drejtë, i mishëruar në madhështinë e vërtetë njerëzore të Omer b. Abdulazizit, sundimi i të cilit e përfaqëson paradigmën e pushtetit të drejtë, që është në shenjë të paqes, sigurisë, përparimit universal dhe mirëqenies në shoqëri.

Vëllezër të respektuar!

Ne po jetojmë në kohën, të cilën e ka paralajmëruar Pejgamberi (savs)në hadithin e tij, kur ka thënë: “Kam frikë për ju, nga gjashtë gjëra: (1) nga pushteti i budallenjve dhe horrave, (2) nga derdhja e gjakut të pafajshëm, (3) nga blerja e pozitave, (4) nga ndërprerja e lidhjeve familjare, (5) nga shndërrimi i leximit të Kuranit në këngë dhe (6) nga rritja e numrit të policëve.” (Taberani)

Në të vërtetë, qysh moti pushteti po ju jepet atyre që nuk e meritojnë. Qysh moti njerëzit e padenjë i kanë marrë pozitat e oratorëve, politikanëve dhe udhëheqësve, të cilët flasin në emër të popullit, ndërsa gjysmë analfabetët dhe njerëzit me moral të dyshimtë i qeverisin masat, shtetet dhe të mirat e popullit

Xhemat i nderuar!  (Pushteti është amanet dhe përgjegjësi)

Duke pasur parasysh se gjendemi në prag të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, konsiderojmë se është e rëndësishme t’ua kujtojmë, së pari atyre që do të zgjidhen në pozitat përgjegjëse, e pastaj edhe votuesve, për rëndësinë e madhe që ka pushteti në Islam, e gjithashtu, edhe peshën e amanetit që do ta marrin ata që zgjidhen, duke u bazuar në moton kuranore: “Dhe këshillo, se, me të vërtetë, këshilla u bën dobi besimtarëve.”

Para së gjithash, duhet thënë se pushteti në Islam nuk është aq shumë përfitim sa është barrë, nuk është aq shumë nder sa është detyrë, nuk është aq shumë udhëheqje sa është përgjegjësi – dhe atë një nga llojet më të rrezikshme të përgjegjësisë. Prandaj, çdo musliman që mban ndonjë post (në çdo nivel të qeverisjes) duhet të ketë dy karakteristika dhe vlera shumë të rëndësishme.

Karakteristika e parë është forca, dhe ajo nënkupton kryesisht forcën mendore dhe intelektuale, ekuilibrin psikologjik dhe depërtimin maksimalisht të shprehur. Pastaj, etika dhe morali, i cili nuk është vetëm teori e thjeshtë, por pjesë integrale e jetës së përditshme (praktike), si dhe aftësia për të manovruar politikisht e cila nuk del jashtë kornizës së Sheriatit dhe kufijve të vendosur nga Allahu.

Karakteristika e dytë është amaneti dhe ky është themeli i fesë islame. Dijetarët kanë thënë se amaneti është dinjitet për të pasurit, krenari për të varfrit, detyrim për sundimtarët dhe zyrtarët, krye kapital për tregtarët dhe çelësi i çdo suksesi.

Sundimtari i cili e përmbush amanetin është në nivelin e luftëtarit në rrugën e Allahut. Pejgamberi (savs) ka thënë:“Një njeri i cili vendoset në një vend apo pozitë të caktuar, dhe merr të drejtën e tij dhe i jep asaj pozite të drejtën e saj, është si luftëtari në rrugën e Allahut derisa të kthehet nga xhihadi.”

Ai që ka pushtet duhet t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë dhe potencialet e tij, që t’i shërbejë sa më mirë popullit dhe të gjithë qytetarëve në shtet.

Amanet do të thotë, që vlerat e përgjithshme dhe përfitimet, si dhe vlerat morale dhe parimet, duhet të kenë përparësi mbi përfitimet dhe interesat personale dhe partiake.

Amanet do të thotë, që sundimtari, presidenti, kryebashkiaku brengë kryesore duhet ta kenë popullin dhe qytetarët e shtetit dhe komunës së tyre, dhe duhet maksimalisht të përpiqen për t’i siguruar të drejtat e tyre, dhe për të siguruar mundësi për arritjen e qëllimeve të tyre.

Amanet do të thotë, që sundimtari të kujdeset për të ardhmen e popullit, veçanërisht të rinisë, për ambiciet dhe aspiratat e tyre, për pronën e tyre, dhe asnjë euro të mos e harxhojë nga thesari i shtetit për nevojat dhe interesat e tij personale.

Amanet, gjithashtu, do të thotë, që askush mos të zgjidhet në bazë të familjes, apo të ndonjë përkatësie dhe lidhjeje tjetër, por që kriteri i parë dhe kryesor të jetë kualifikimi dhe aftësia.

Vëllezër të dashur!

Mesazhi dhe këshilla jonë për udhëheqësit tonë politikë është ky:

– Mos e tradhtoni amanetin që ju është besuar, sepse kështu popullin tuaj do ta çoni në dëshpërim dhe pasiguri, kurse veten tuaj në poshtërim dhe shkatërrim në të dy botët.

Një musliman të cilit populli i tij ia ka besuar amanetin e udhëheqjes dhe pushtetit, duhet të jetë i palëkundur, i qëndrueshëm, i devotshëm dhe i guximshëm. Ai nuk duhet të jetë frikacak, sepse frikacakët dhe të dobëtit gjithmonë kalkulojnë, madje edhe kur bëhet fjalë për parimet më sublime. Një udhëheqës dhe burrë shteti i vërtetë, duhet të jetë model, ai tek pasuesit e tij duhet të rrënjosë vetëbesimin me qartësinë e pikëpamjeve dhe qëndrimeve të tij. Në asnjë situatë, ai nuk guxon të abuzojë me pozitën e tij ose ta tradhëtojë amanetin e besuar, sepse është mëkat i madh dhe shkatërrues. Pejgamberi (savs), i është lutur Allahut që ta mbrojë nga uria dhe tradhtia, sepse e para e shkatërron jetën e kësaj bote, kurse e dyta e shkatërron fenë, parimet e larta dhe sjell fatkeqësi në të dy botët.

I lutemi Allahut që ta bëjë jetën tonë në shenjë të veprave të mira dhe bindjes ndaj Tij!

O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!

O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!

O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!

O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!

O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë apo mposhtin pabesimtarët.       

O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin! 

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)