Momentet e para në xhenet

momentet-e-para-ne-xhenet

Dr. Ratib Nabulsi

Momentet e para në xhenet do të jenë shumë mbresëlënëse.

Kur t’i shohim lumenjtë e xhenetit dhe pallatet, frytet e xhenetit dhe çadrat, arin, perlat dhe mëndafshin.

Kur t’i takojmë të dashurit tanë që kanë vdekur prej kohësh, dhe nuk i kemi parë më prej vitesh.

Kur djali i dëgjueshëm e takon nënën e tij, dhe kur plaku  i dhembshur vajzën e tij, dhe kur prindërit takojnë djalin e tyre, i cili ka vdekur para tyre.

Kur ta shohim atë që në dynja ishte i sëmurë për një kohë të gjatë, atje është shëruar plotësisht, kur ta shohim atë që ishte i pakënaqur që tash e ka pritur ditën e lumturisë së plotë, kur ta shohim plakun të cilit i është kthyer rinia,dhe plakën e thinjure cila përsëri është bërë vajzë e re.

Kur t’i takojmë të dërguarit e Allahut, kur të shoqërohemi me sahabët, kur të njihemi me dijetarët më të mëdhenj të umetit, kur t’i takojmë muxhahidët dhe shehidët, dhe kur t’i shohim melekët me sytë tanë.

Kur të na thuhet: “Ky është Ebu Bekri, kurse ai atje që po vjen të na takojë është Omer ibnul-Hattabi, ndërsa ai që është ulur në hijen e pemës së xhenetitështë Halid ibn Velidi. Ai atje, zërin e bukur të të cilit po e dëgjojmë, dhe së bashku me të Allahun po e lavdërojmë, është dërguari i Allahut Davudi (a.s.).”

Po kur ta takojmë Pejgambetin e dashur, Muhamedin (savs), kur t’i shohim as’habul-kehfin (shokët nga shpella) dhe as’habul-uhdud, edhe besimtarin nga familja e Faraonit, edhe Dhul-Karnejnin.

Kur të na na thuhet:“Ky është sahabiu i famshëm dhe transmetuesi i haditheve, Ebu Hurejre (r.a.), kurse ky tjetri është komentatori i Kuranit (Terxhumanul-Kuran) Abdullah ibn Abasi.”

Kur do ta shohim Allahun, siç e shohim hënën e plotë,dhe kur midis nesh dhe Allahut nuk do të ketë perde (pengesë).

Si do të jetë momenti ynë i parë dhe qëndrimi në xhenet!?

Kur do të mbarojë çdo punë dhe përpjekje, kur njerëzit do ta kryejnë llogaridhënien, kur do të largohemi nga kjo bota e hipokrizisë, e së keqes, e luftës dhe e urrejtjes.

Kur do të zhduken brengat, problemet, flokët e thinjura, eshtrat e thyer, ankthi në gjoks, ilaçet, pajisjet dhe qetësuesit.

Po çfarë do të jetë momenti i shikimit tonë në Allahun e Lartësuar, dhe kur Ai do të na thotë:“Unë jam i kënaqur me ju, dhe më kurrë nuk do të zemërohem me ju.”

Me të vërtetë, xheneti meriton përpjekjet dhe aspiratat tona që, dashtë Zoti, ta meritojmë dhe në të banojmë në të.

Malli i Allahut është i shtrenjtë, malli i Allahut është xheneti.

Ne e lusim Allahun e Plotfuqishëm që të na bëjë neve, prindërit tanë dhe fëmijët tanë të denjë për mëshirën dhe faljen e Tij, si dhe për xhenetin e përjetshëm. Amin!

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)