Mjekimi i pacientëve me Covid-19, në Kosovë s’ka asnjë rezervë të plazmës së gjakut

mjekimi-i-pacienteve-me-covid-19,-ne-kosove-s’ka-asnje-rezerve-te-plazmes-se-gjakut

Përderisa Kosova ende nuk ka arritur të marrë asnjë dozë të vaksinës kundër Covid-19, një metodë për mjekimin e të infektuarve me koronavirus është plazma e gjakut të të shëruarve nga ky virus.

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare tashmë janë mjekuar dhjetëra pacientë me plazmën e gjakut.

“Deri më tani në Klinikën Infektive kemi rreth 50 pacientë të cilët janë trajtuar me plazmën konvaleshentë. Është shumë me rëndësi që kur e japim plazmën ta dhënë në kohën e duhur që do të thotë sa më shpejt dhe meqenëse ne e kemi të rezervuar kryesisht te pacientët e rëndë dhe pacientët mesatarisht të rëndë, shpeshherë ne i hospitalizojmë me vonesë për shkaqe të ndryshme meqenëse vetë vijnë pacientët me vonesë”, tha për RTV21, infektologu Sali Ahmeti.

Ndarja e gjakut nga plazma bëhet në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Në këtë institucion thonë se aktualisht nuk kanë asnjë rezervë të kësaj plazme.

“Numri i tyre është rreth 430 të cilët kanë dhuruar gjak dhe e kanë kaluar Covid-19. Por jo të gjitha kanë plotësuar kushtet për të qenë si plazme kovalesente kështu që gjithsej i kemi të grumbulluara 80 doza të plazmës kovalesente por që të gjitha janë shfrytëzuar për trajtimin e pacientëve me Covid-19”.

Në Klinikën Infektive pohojnë se efektet e plazmës së gjakut tek pacientët e infektuar që janë mjekuar deri më tani janë të mira.

Në këtë kohë kur kërkesat për plazmën e gjakut janë në rritje e sipër dhe rezervat janë harxhuar në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, ftojnë qytetarët që kanë kaluar Covid-19 të dhurojnë gjak.

Dhurues të plazmës së gjakut mund të jenë vetëm ata persona që kanë nivelin e lartë të antitrupave në organizëm pasi kanë kaluar koronavirusin.