Ministri shqiptar i Mbrojtjes: Nato të kalibrojë qasjet kur ushtria serbe i afrohet kufirit të Kosovës

ministri-shqiptar-i-mbrojtjes:-nato-te-kalibroje-qasjet-kur-ushtria-serbe-i-afrohet-kufirit-te-kosoves

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se Shqipëria, NATO apo BE, duhet të jenë të kujdesshme që “në rastin më të mirë t’i “kalibrojmë” qasjet dhe deklaratat që të mos mbeten të paqarta kur ushtria serbe i afrohet kufirit të Kosovës”.

Peleshi foli në ditën e dytë të takimit të ministrave të vendeve të NATO-s në Bruksel.

Ai theksoi se “Kosova nuk është as çerek shteti, as gjysmë shteti, por shtet në kuptimin e plotë të fjalës”, raportoi korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.

Ministri Peleshi theksoi gjithashtu se “Kosova është në të drejtën e saj” dhe se i duhen njohur “përpjekjet për të siguruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët”.

Ministrat e vendeve të NATO-s dhe udhëheqësit politikë diskutuan edhe për bashkëpunimin NATO-BE.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Shqipëria ka kontribuuar për tre vite në misionin e NATO-s në detin Egje, por për t’u nënvizuar janë edhe prezenca në Mali dhe në Bosnje dhe Hercegovinë.

Por Peleshi vërejti edhe rolin në rritje të Rusisë dhe Kinës në këtë Ballkan.

“Këto dy vende po avancojnë objektivat e tyre strategjikë në rajonin tonë, nëpërmjet lidhjeve të tilla historike, kulturore, ekonomike, apo nëpërmjet influencës së tyre në vende apo pjese te rajonit”-tha ai.

The post Ministri shqiptar i Mbrojtjes: Nato të kalibrojë qasjet kur ushtria serbe i afrohet kufirit të Kosovës appeared first on Mesazhi.com.